Arrestohet Mjeku për Marrje të Ryshfetit

12:00

Gëzim Bajrami, drejtor i spitalit të Ferizajt ka konfirmuar se i arrestuari është dr. Nijazi Vishaj.

Ai tha për KALLXO.com se është njoftuar për arrestimin sot në mëngjes dhe se nuk ka pasur informacione që anesteziologu të ketë qenë i përfshirë në veprimet për të cilat dyshohet.

11:42

Policia e Kosovës ka vënë në pranga një mjek në Ferizaj nën dyshimin për marrje të ryshfetit.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia në Ferizaj, bën të ditur se pas një pune hetimore, të hënën pasdite ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin N. V. mashkull shqiptar kosovar, me pozitë anesteziolog në spitalin rajonal të Ferizajt, nën dyshim se ka kryer veprat penale ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar’.

“Bazuar në hetimet preliminare policore personi i dyshuar tashmë i arrestuar, duke keqpërdorur pozitën e tij ka kërkuar dhe ka pranuar nga një qytetar 100 euro ryshfet, me qëllim që t’i mundësojë operimin e djalit të tij 9 muajsh, punë të cilën ishte i thirrur ta kryente në kuadër të punës së tij”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Pas arrestimit dhe gjatë bastisjes tek i dyshuari gjatë kontrollimit janë gjetur dy kartëmonedha nga 50 euro, të cilat janë konfiskuar në cilësi të provës materiale.

Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer në konsultim me prokurorin përkatës dhe ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, thotë Policia.