Monedha Euro - Foto: Wikimedia

Arratiset i Dyshuari për Mashtrim të Shumëfishtë në Anamoravë

Gjykata Themelore në Gjilan ia kishte caktuar Sherif Ademit masën e arrestit shtëpiak, përkundër që dyshohej se kishte mashtruar duke u thirrur si zyrtar i organizatës gjermane, GIZ, në disa komuna të Anamoravës.

Lajmin për arratisjen e tij e ka konfirmuar për Kallxo.com kryeprokurori i i Gjilanit Jetish Maloku.

“Ndaj këtij të dyshuari kemi kërkuar që t’i caktohet paraburgimi prej 30 ditësh, por Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar arrest shtëpiak. Ne e kemi njoftuar gjykatën edhe me shumë mashtrime të tjera. Por sipas të gjitha informatave i dyshuari është larguar nga vendbanimi i tij duke braktisur atë në drejtim të panjohur për momentin, dhe kështu ka shkelur edhe atë masë të shqiptuar nga Gjykata”, tha Malokut për KALLXO.com.

Kryeprokurori Maloku është shprehur se ata nuk kanë arritur as ta marrin në pyetje pikërisht për shkak të ikjes së Sherif Ademit nga masa e shqiptuar.

“Për fat të keq masa e shqiptuar është vërtetuar edhe nga shkalla e dytë e gjyqësorit, për një mashtrues të shumëfishtë e plot vepra penale të kësaj natyre”, ka theksuar Jetish Maloku.

Sipas kryeprokurorit, përveç mashtrimit të zyrtarëve komunalë të Gjilanit dhe Kamenicës, hetimet ndaj Ademit janë zgjeruar pasi janë lajmëruar shumë raste të mashtrimit edhe ndaj qytetarëve të tjerë të Anamoravës, nxënësve, studentëve e zyrtarëve të tjerë të komunës së Vitisë por edhe të qyteteve të tjera të Kosovës.

Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës pas dyshimeve për mashtrim ndaj zyrtarëve të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan.

Dyshime për mashtrim janë ngritur edhe në Komunën e Vitisë. Edhe në këtë komunë, Ademi dyshohet se kishte premtuar ndihma për shkollat, duke u thirrë si zyrtar i GIZ-it .

“Ju njoftojmë se Sherif Ademi është paraqitur në muajin nëntor të vitit 2017 si përfaqësues kryesor i GIZ-it gjerman. Në këtë muaj ai është takuar me drejtorin e arsimit në Viti, Qahil Sinani. Gjatë këtij takimi ai ka njoftuar drejtorin se ka mundësi që në emër të GIZ-it gjerman të pajisë shkollat me inventar (banka, karrige, tabela të zeza dhe kompjuter)”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vitisë për KALLXO.com.

Në këtë takim përveç marrëveshjes për inventar ishte arritur edhe një marrëveshje pa shkrim që Sherif Ademi t’i trajnojë disa nxënës për t’i përgatitur për një vizitë në Gjermani.

“Këto punë janë kryer përmes drejtorëve dhe personit të lartpërmendur. Përkundër të gjitha këtyre aktiviteteve ju njoftojmë se shkollat tona nuk kanë përfituar asgjë nga projekti i pretenduar nga Ademi”, potencohet në përgjigjen e Komunës së Vitisë për KALLXO.com.

Për gati dy muaj Sherif Ademi është takuar me 20 nxënësit e përzgjedhur duke zhvilluar së bashku aktivitete të ndryshme në shkollën “Jonuz Zejnullahu”.

Madje pas dy jave Ademi kishte dhënë propozimin për të mbledhur paratë dhe për të kaluar një ditë në Brezovicë. Secili nga 15 vajzat dhe 15 djemtë e shkollës i kishin dhënë nga 10 euro për të kaluar së bashku një ditë në këtë vend turistik të Kosovës.

Pas disa kohësh, Sherif Ademi përsëri u kishte kërkuar para 30 nxënësve për të shkuar në një vizitë në Shqipëri bashkë me nxënësit e një shkolle në Podujevë.

Secili prej nxënësve të shkollës “Januz Zejnullahu” i kishte sjellë paratë me shpresën që ky udhëtim do të realizohej.

“Por nuk kemi shku, edhe paret nuk na ka kthy më”, ka thënë S.H, nxënës i shkollës “Jonuz Zejnullahu” në Viti.

Nxënësit kishin insistuar që rreth 750 euro që ja kishin dorëzuar Sherif Ademit për të shkuar në Shqipëri t’i merrnin pas.

“Kemi lënë takim te kafeneja “Big Ben” në Viti për na sjellë paratë për nuk na ka sjellë”, ka shtuar S.H.

Pasi nuk arritën t’i marrin parat e tyre nga Sherif Ademi ata e kishin paraqitur rastin në Polici.

Nxënësit kishin kuptuar që mashtrimi i Sherif Ademit ndaj tyre nuk ishte i vetmi mashtrim të cilin ai e kishte bërë duke u fshehur pas epitetit të zyrtarit të organizatës gjermane GIZ.

I njëjti person me 20 dhjetor të vitit 2017 ishte paraqitur rrejshëm si përfaqësues i organizatës GIZ dhe kishte arritur të përfitonte 480 euro nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan.

“Përndryshe për këso veprime të njëjta të Ademit nga mediat u njoftuam se një tentim të tillë e kishte edhe në Gjilan”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vitisë për KALLXO.com.

Zyra e GIZ në Kosovë ka thënë për KALLXO.com se Sherif Ademi nuk është punonjës i GIZ.

“GIZ u informua nga mediat vendore në lidhje me rastin e Sherif Ademit, i cili në mënyrë të rreme e ka paraqitur veten si zyrtar i GIZ. GIZ deklaron se personi i lartpërmendur nuk është punonjës i GIZ-it, as në GIZ Kosova, as nga asnjë zyrë tjetër e GIZ-it”, thuhet në përgjigjen e Samira Ajzeri nga Zyra e GIZ-it në Kosovë.

Ajzeri ka shpjeguar për KALLXO.com se Gjykata Themelore në Gjilan i është drejtuar zyrës së GIZ-it në Kosovë duke i pyetur nëse Sherif Ademi është punonjës i GIZ-it, të cilën thanë se e kanë mohuar.

“Zyra në Prishtinë ndjen keqardhje të thellë për një mashtrim të tillë, duke shpresuar se do të jetë një rast i vetëm dhe u bën thirrje të gjithëve që të mos u japin para dikujt që pretendon të jetë punonjës i GIZ-it”, potencohet në përgjigjen e GIZ-it për KALLXO.com.