Kreshnik Gashi, shef i ARKEP. Foto: Kallxo.com

ARKEP kritikohet për punësime e pagesa të parregullta

Një asistente ishte angazhuar për gjashtë muaj te Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) pa procedura të rekrutimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për këtë agjenci gjeti se asistentja ishte angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta.

“Sipas Ligjit për Shërbimit Civil, neni 12 pika 4, kërkon që për kontrata për shërbime të veçanta të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Në një rast ARKEP kishte angazhuar një asistente për gjashtë muaj, me kontratë për shërbime të veçanta pa zhvilluar procedura të thjeshtuara të rekrutimit. Përkundër që kontrata ishte për gjashtë muaj asistentja e angazhuar ka kërkuar ndërprerjen e kontratës pas katër muajve dhe kjo kontratë ishte ndërprerë”, thuhet në raport.

ARKEP nuk kishte respektuar rekomandimet e Auditorit të vitit paraprak lidhur me mbajtjen e një ushtruesi detyre në punë më gjatë se sa lejohet me ligj.

“Menaxhmenti ka bërë progres të theksuar në zbatimin e rekomandimeve nga vitet paraprake ku një pjesë e rekomandimeve tanimë janë zbatuar. Megjithatë mbeten ende disa fusha ku rekomandimet nuk janë zbatuar e që kanë të bëjnë me: Ushtrimin e një funksioni (pozite) me UD nga viti 2016 dhe  Mos aprovimi i rregullores së punës”, thuhet në raport.

Raporti gjeti edhe telashe me prokurim tek ARKEP-i duke konstatuar se realizimi i projektit kapital këtë vit ishte sfidë për këtë institucion.

Sipas raportit, projekti ‘’Sistemi menaxherial për bartshmëri të numrave’’ në vlerë prej 400,000€ sipas planit të prokurimit ishte paraparë të fillonte në muajin shkurt 2017.

U verifikua se kjo nuk kishte ndodhur pasi që nuk ishte iniciuar ndonjë kërkesë për fillimin e procedurave nga njësia kërkuese dhe fondet e këtij projekti janë reduktuar me vendim të qeverise në muajin gusht. Projekti nuk ishte realizuar për shkakun që ARKEP nuk kishte bërë analizat e mirëfillta dhe parapërgatitjet e duhura për fillimin e projektit.

Megjithatë auditori thekson faktin që në këtë projekt ishin të involvuar edhe akterë jashtë ARKEP-it e që kjo mund të ketë ndikuar që projekti të mos realizohet gjatë vitit 2017.

Problemet të tjera mbi punësimet u hasën në mënyrën e pagesave pasi një shofer u pagua nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.

Në ligjin e buxhetit 2017 ceket se shpenzimi i parave publike nga kategoria “mallra dhe shërbime” nuk është i lejuar për pagesën e punonjësve, qoftë në formë të mëditjeve apo si kontribute në mall, përfshirë shujtat apo dhuratat.

ARKEP prej vitit 2016 kishte të angazhuar një punonjës/vozitës me kontratë për kohë të caktuar. Për vitin 2017 ky punonjës ishte paguar nga 465€/bruto për muaj nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.