“Argëtimi” me të Shtëna Fatal Për një 32-Vjeçar

Një 32-vjeçar ka gjetur vdekjen si rezultat i plagëve të marra nga armë zjarri, duket në rrethana aksidentale. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në fshatin Dolak të Vushtrrisë. 

“Njësitë e para të policisë në vend të ngjarjes, kanë kuptuar se disa persona, të gjithë kushërinj në mes vete, duke u argëtuar para shtëpive të tyre në fshatin Dolak, kanë shkrepur armë zjarri, ndërsa aksidentalisht është plagosur viktima A. Kuçi, rreth 32 vjeç”, ka bërë të ditur policia rajonale në Mitrovicë.

Policia e ka pranuar informatën rreth orës 22:20, nga Reparti i Emergjencës së Spitalit në Vushtrri, lidhur me një rast të plagosjes aksidentale me armë zjarri. “Njësitë e para reaguese të policisë, kanë kontaktuar me mjekun kujdestar në Spitalin e Vushtrrisë, ndërsa viktima ishte transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku edhe është konfirmuar vdekja e tij”, saktësoi Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.
 
Hetuesit policorë, së bashku me prokurorin publik, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhe marrë si pjesë të provave materiale së paku 15 gëzhoja të armës, të kalibrave të ndryshëm.

“Armët të cilat kanë qenë të përfshira në këtë rast, ende nuk janë identifikuar”.

Rasti është kualifikuar si “vrasje nën rrethana aksidentale”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Ndaj tre personave, të cilët ishin me viktimën në çastin e plagosjes, është caktuar masa e ndalimit policor për shkak të mosbashkëpunimit. Ndërsa një tjetër i dyshuar, identiteti i të cilit është i njohur për Policinë, është arratisur nga vendi i ngjarjes. Policia është në kërkim të tij.