Prodhime vendore | Foto: Facebook

Anulimi i pashpjegueshëm i vendimit për mbrojtjen e pemëve dhe perimeve nga importi

Qeveria e Kosovës pa diskutuar dhe pa u arsyetuar i ka shfuqizuar dy vendime të cilat i ka dy javë më parë, për mbrojtjen nga importi të pemëve dhe perimeve. Shfuqizimi i vendimeve ka bërë që ato të mos kenë ndikim pozitiv tek prodhuesit e pemëve dhe perimeve.

Në mbledhjen e qeverisë në të cilën është vendosur për shfuqizim nuk ka qenë i pranishëm fare ministri i Tregtisë dhe Industrisë.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani përmes zyrës për informim, po ata ende nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Artan Oruqi, kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve thotë se do të kërkojë sqarime nga qeveria e Kosovës për këtë anulim të vendimit.

“Do të mbajmë mbledhjen në Shoqatën e Vreshtarëve dhe do të dalim me një përfundim të përbashkët për hapat e mëtutjeshëm. Për këto vendime ka pas reagime të Evropës dhe gjitha shteteve të jashtme, po ne nuk kemi qare pa i mbrojtur prodhimet e tona përndryshe s’ka arsye pse po subvencionohemi kur nuk ka as çmim, as treg. Njerëzit kotë po punojnë”, ka thënë Oruqi.

Marrja e këtyre dy vendimeve kishte një histori të përplasjes në mes të disa dikastereve qeveritare. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani për një kohë të gjatë është ankuar në Doganën e Kosovës se nuk po ia zbaton vendimin për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj prodhuesve. Mirëpo, Dogana në atë kohë deklaronte që ata mund të zbatojnë vetëm vendime të qeverisë së Kosovës, por jo edhe të ministrive veç e veç.

Pas marrjes së vendimit në qeveri, Dogana ishte zotuar se do ta zbatoj këtë vendim duke i vendosur taksën doganore prodhimeve që janë pjesë e vendimit.

Vendimmarrja e vështirë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka lëshuar njoftim për inicimin e hetimit për importet e pemëve dhe perimeve me origjinë nga të gjitha vendet e botës siç parashikohet në Ligjin për masat Mbrojtëse në Importe.

Menjëherë pas marrjes së e këtij vendimi, KALLXO.com, ka pranuar ankesa nga vreshtarët e Komunës së Rahovecit, të cilit kanë thënë se në vendimin e qeverisë në mbrojtjen e 21 produkteve bujqësore, rrushi nuk bënë pjesë në atë listë.

Vreshtarët kanë kërkuar që të mbrohen edhe vreshtarëve.

“Brenga e imja dhe e gjithë bujqve që kanë vreshta është se Ministria, ka marr një vendim që me ja u vu akcizën prodhimeve të huaja që vijnë për mos mi konkurruar produktet tona por vetëm rrushin jo. 21 produkte i ka shti në listë e rrushin e ka lënë anash. Nuk jemi të kënaqur me këtë vendim dhe kërkojmë mu korrigjuar dhe me fut edhe rrushin”, kishte thënë Eqrem Hoxhaj bujk nga Rahoveci, para se të anulohej vendimi i qeverisë.

Edhe Hilmi Dakaj, prodhues i rrushit me 4 hektar vreshta, kishte thënë se prodhimi vendor mund të mbulojë kërkesat e tregut të brendshëm.

“Ma merr mendja mua që boll kemi kapacitet bile ta furnizojmë Kosovën nëse më larg jo”, tha Dakaj.

Ndërkaq, Hysen Canziba inxhinier i bujqësisë i cili ka 3 hektar e gjysmë vreshta tha se rrushi doemos duhet të jetë në listë.

“Rrushi të hyjë në prodhimet në mbrojtje sepse si çdo shtet tjetër në rajon që i mbron produktet e veta”, Canziba.

Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, e kishte mirëpritur vendimin e qeverisë, i cili do të ndihmojë qytetarët e Rahovecit që merren me kultivimin e atyre kulturave.

“Ne jemi në dijeni për masat mbrojtëse për produktet vendore të Kosovës për 21 produkte që hyjnë në domenin e pemëve dhe perimeve dhe jemi në dijeni që në bazë të informatave që i marrim, mungon produkti i rrushit”, tha Latifi.

Mbrojtja e rrushit

Një javë më vonë, pas ankesave të vreshtarëve më 24 korrik në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është plotësuar dhe ndryshuar vendimi, ku disa nga produktet e pemëve dhe perimeve janë hequr nga lista e 21 produkteve dhe janë shtuar disa.

Zyra për Informim e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë për KALLXO.com, se shkaku i kërkesës së Shoqatës së Vreshtarëve, në listë ka hyrë edhe rrushi i tryezës.

“Me kërkesë të Shoqatës së Vreshtarëve, dje në mbledhjen e Qeverisë me propozim nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, është përfshirë në listën e masave mbrojtëse në importe për peme dhe perime, edhe rrushi i tryezës”, thuhet në përgjigje të MTI-s.

Në vendim e plotësuar dhe ndryshuar në pikën 1.2 ndërpritet masa e përkohshme mbrojtëse në importe për disa produkte siç janë: patatja, karota, trangulli, shalqiri, pjepri, lakra e hershme (pranverore), fasulja monokulturë, dredhëza, manaferra, qershia, misri, spinaqi, qepa dhe sallata (të gjitha varietet).

Ndërkaq, në pikën 1.3, Speci, molla, dardha, kumbulla, mjedra dhe rrushi i tryezës shtohen në listën e produkteve të masave të përkohshme mbrojtëse në importe.

Por, në vendim nuk ishte i vetmi ndryshim largimi dhe shtimi i produkteve të reja të pemëve dhe perimeve. Vendimi i parë ishte për importet e pemëve dhe perimeve me origjinë nga të gjitha vendet e botës, ndërsa kjo pikë është ndryshuar duke hequr vendet e BE-s dhe Shtetet e bashkuara të Amerikës nga lista e masës së përkohshme mbrojtëse në importe.

Më 26 korrik MTI kishte dërguar edhe një komunikatë për medie duke u bërë thirrje gjithë fermerëve të pemëve dhe perimeve që janë të mbrojtur me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës që mos të luajnë me çmimet e tregut duke dëmtuar konsumatorin.

“Qëllimi i masës mbrojtëse është për t’i mbrojtur prodhuesit vendor nga konkurrenca e padrejtë, por jo dëmtimi i konsumatorëve me ngritje të çmimeve”, thuhet në komunikatë.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’