Ankesa e Biznesmenëve Ndalon Xhaminë (TV)

Inspektorati i Komunës së Prishtinës të shtunën vuri shiritat ndalues rreth vendit ku ka filluar themelet e ndërtimit xhamia për të cilën Bashkësia Islame e Kosovës kishte marrë leje ndërtimi nga komuna.

Ndërtimet u ndaluan bazuar në vendimin e datës 11 shtator të Ministrisë së Mjedisit që pezullon ato.

Ministria arsyeton vendimin e saj me faktin se procedura e dhënies së lejës për xhaminë është bërë pa u nxjerrë në diskutim publik.

Bashkësia Islame e Kosovës pretendon se vendimi është marrë për arsye tjera.

Ata pretendojnë se arsyeja e ndaljës është fakti që xhamia ndërtohet në afërsi të restorant “Ariu”, në pronësi të Naim Mujës vëllait të deputetit të PDK-së në pushtet, Shaip Mujës.

“Njerëzit privat janë munduar që ta ndalojnë ndërtimin e xhamisë. Fjala është për Restorant Ariun dhe të tjerë, të cilët janë ankuar në Ministrinë e ambientit për ta ndaluar ndërtimin e xhamisë”, thotë Bahri Sejdia kryetar i Bashkësisë Islame për Prishtinën.

Ndërkohë një përfaqësues i këtij biznesi, Fatmir Muja konfirmoi se u ankuan në ministri të mjedisit kundër ndërtimit të xhamisë.

“Ekipi që e ka bërë planin urbanistik për Veternik nuk ka paraparë shtëpi të kultit në këtë lagje. …edhe ne jemi xhematli dhe rregullorja e komunës nuk e parasheh që të ketë objekt të kultit këtu”, thotë Muja.

Ai përjashton çdo mundësi që familja e tij të ketë pasur ndikim në nxjerrjen e vendimit nga ana e ministrisë së ambientit.

“Nuk kisha dashur të përlyhet as emri i familjes e as i Shaip Mujës. Nëse ka ministra që bien në presion të çdo individi atëherë këtu do kemi kaos. Nuk ma merr mendja që dikush ka taku dikend në ministri, përpos kërkesë sonë të cilën e kemi dorëzu në ministri”, thotë Muja.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me disa prej bizneseve tjera të kësaj lagje.

Sevdai Zahiri, pronari i kompanisë “Zahiri” që gjendet pranë restoranit “Ariu”, thotë se ata nuk e kanë nënshkruar një peticion për ndalimin e ndërtimit të xhamisë që është inicuar nga pronarët e restoranit.

 “Ka qenë një iniciativë e këtyre të Ariut [të bëjnë peticion për ndalimin e punimeve të xhamisë], mirëpo nuk e kemi nënshkruar”,  thotë Zahiri.

Edhe Fakete Humolli, përfaqësuesja e kompanisë së elementeve të banjos BSB që gjendet poashtu pranë “Ariut”, thotë se nuk e kanë nënshkruar peticionin kundër ndërtimit të xhamisë. 

“Ne nuk e kemi kundërshtuar ndërtimin e xhamisë. Fundja ne jemi qiraxhi këtu dhe nuk na takon të kemi pozicion për këtë, prandaj nuk kemi nënshkruar asgjë”, thotë Humolli.

Zyrtarët e Inspeksionit Komunal të Prishtinës nuk kanë pranuar të japin prononcim për veprimet e tyre. Madje ata nuk kanë dhënë detaje se pse nuk i kanë ofruar kopjen e vendimit pëërfaqësuesve të Bashkësisë Islame në teren.

Inspektorët komunal u kanë thënë zyrtarëve të BIK-ut se vendimin e kanë marrë nëpërmjet postës elektronike.