Foto: World Bulletin

Andrallat çerek-shekullore për një emër shteti

Debateve prej dekadash mes Maqedonisë dhe Greqisë duket se u është vënë fundi me marrëveshjen që u raportua se u arrit të martën në mbrëmje mes dy kryeministrave të dy shteteve, Aleksis Tsipras të Greqisë dhe Zoran Zaev të Maqedonisë.

Në fakt, me miratimin e kësaj marrëveshjeje, Zaev do ta ketë një shtesë në emrin e shtetit që e drejton- Maqedonia e Veriut.

Greqia e Maqedonia kanë një histori të gjatë përpjekjesh e bllokadash të ndërsjella që jo rrallë kanë sjellë edhe tensione.

Përse gjithë këto andralla për një emër? Problemi i vërtetë në këtë debat shumëvjeçar qëndron më përtej politikës.

Çështja e emrit ka qenë shpata e Demokleut për vite radhazi për Maqedoninë e emërtuar në formën ‘’Republika e Maqedonisë’’ pas shkëputjes së saj nga ish Jugosllavia në vitin 1991. Megjithatë, në 1992, u adoptua përcaktimi ‘’Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë’’ (FYROM) për shkak të lehtësimit të procesit të anëtarësimit të vendit në organizatat ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe së fundi në 1993 në OKB. Edhe pse ky emërtim u kundërshtua asokohe nga Presidenti Kiro Gligorov, për shkak se vendi nuk donte të kishte lidhje me ish Jugosllavinë pasi kjo do të ndizte ambiciet territoriale serbe, të cilët Maqedoninë e quanin me emrin e saj të para Luftës II Botërore ‘’Serbia Jugore’’.

Kryeministri grek atëkohë Kostandinos Mitsotakis pati një qëndrim më të moderuar dhe si rezultat e miratoi emërtimin e përkohshëm të propozuar nga OKB. ‘’Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë’’ qe një zgjidhje provizore deri në zgjidhje të plotë të debatit, i cili nuk lejohej të përdorej si emër, por thjesht si referencë e një vendi që në të kaluarën kish qenë pjesë e Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë.

Në vitin 1995 Maqedonia hasi në të tjera probleme sa i përket flamurit kombëtar, i cili përmbante diellin e Vergina-s mbi sfondin e kuq. Vergina është një qytezë në veri të Greqisë dhe dielli është simbol i lashtë grek. Përkatësisht grekët e konsideruan këtë si provokim, sepse rajoni i Maqedonisë në Greqi përmban të njëjtin simbol në flamurin me sfond të kaltër.

Dielli është simbol pagan që shfaqet pothuaj në të gjitha qytetërimet e lashta të botës dhe si simbol është i përdorur edhe në flamuj të tjerë të shteteve si Japonia, Kazakistani, Kirgizia etj. Pas këtij problemi të dytë, Maqedonia adaptoi në 1995-ën një tjetër diell, kësaj radhe me tetë rreze të verdha që përshkojnë si shirita mes sfondit duke iu larguar krejtësisht konceptit fillestar. Pavarësisht kësaj, dielli ‘Vergina’ përdoret ende në formë jozyrtare si në mjetet e promovimit kombëtar.

Pavarësisht përpjekjeve për promovim dhe ndërtim të imazhit të shtetit përballë ndërkombëtarëve, debatet dhe propozimet për emra të mundshëm vijuan më tutje. Ndër të propozuarat ishin ‘Republika e Vardarit’, ‘Republika e Shkupit’, ‘Maqedonia e Re’, ‘Maqedonia e Epërme’ ose ‘Republika e Maqedonisë së Epërme’ dhe ‘Sllavo-Maqedonia’. Problemi këtu qëndron se Greqia rezistonte në mospërdorimin e termit Maqedoni në emërtimin e vendit pasi bie në kundërshtim me rajonin e Maqedonisë në veri të Greqisë, i cili përmban popullsi që quhet maqedonase dhe kjo krijon ngatërresë/mundësi për pretendim territorial. Grekët iu referohen maqedonasve si shkupjanë ose sllavo-maqedonas dhe shtetit si ‘Ish Republika Jugosllave’. Diçka e tillë konsiderohet si fyese dhe përçmuese për qytetarët e të dyja ‘Maqedoni-ve’.

E gjitha kjo situatë nuk ka ardhur aspak duke u përmirësuar pasi të dyja palët nuk kanë gjetur asnjëherë një rrugë të përbashkët zgjidhjeje.

Nga njëra anë Maqedonia e identifikon veten dhe qytetarët e saj me këtë emër. Konsideron që në Maqedoninë e lashtë ka ekzistuar një popull me kulturë dhe gjuhë të dalluar dhe se Greqia ka qenë nën sundim të saj, por në vitin 1913 (vitin e traktateve për copëtime dhe shkëmbime territoriale), Greqia moderne dhe aleatët e saj të Ballkanit e ndanë atë. Nëse diçka ka ngelur jashtë kufijve, kjo vjen nga copëtimi i paligjshëm territorial.

Nga ana tjetër Greqia e mohon ekzistencën e një Maqedonie tjetër, si përpjekje për gllabërim dhe pretendim territorial e irredentist. Kjo pasi për ta maqedonasit janë dhe kanë qenë popull grek dhe flasin gjuhën greke qysh 4000 vite më parë. Çdo popull që ka folur një gjuhë tjetër ka qenë i huaj dhe barbar për ta. Çdo pretendim tjetër është vjedhje e kulturës dhe trashëgimisë historike.

Ndërkaq Maqedonia e kishte të bllokuar rrugën e negociatave për anëtarësim në NATO dhe BE nga vetoja e Greqisë, si pasojë e emrit.

Ardhja në pushtet e social-demokratit Zoran Zaev e vendosi përsëri çështjen në pah, me vendosmërinë që debati mbi emrin e Maqedonisë do merrte fund njëherë e mirë. Ai u takua me homologun e tij grek Aleksis Tsipras në samitin e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë me qëllim që t’i paraprihej zgjidhjes së emrit për samitin e BE-së nga fundi i qershorit. Mirëpo emri i propozuar kësaj radhe nga Zaev iu shtua listës së emrave të refuzuar sërish nga pala greke.

Mattthew Nimetz: Burri i durueshëm pas bisedimeve të Maqedonisë për ‘emër’

Propozimi i kësaj radhe ishte emërtimi ‘’Republika e Maqedonisë së Ilindenit’’. Në këtë pikë u çel një tjetër debat. ‘Ilindenska’ nëse përkthehet shabllon do të thotë ‘dita e Shën Ilias’, e shënuar në kalendarin gregorian si 2 gushti dhe që i referohet gjithashtu kryengritjes së Ilindenit (sot, komunë në veri të Maqedonisë), në vitin 1903 kundër Perandorisë Osmane.

Megjithatë pala greke e kundërshton në mënyrë kategorike me arsyen se ky emërtim nuk është ‘erga omnes’, që do të thotë se së pari nuk reflekton njëlloj si tek vetja ashtu dhe jashtë saj, si dhe së dyti, përsëri lidhet me pretendime shoviniste dhe irredentiste.

Zaev sakaq thoshte që nuk ka një emërtim më përfaqësues, më dinjitoz dhe më identifikues se ky dhe se me këtë emër i jepet fund debatit për dallimin e rajonit të Maqedonisë në veri të Greqisë dhe ‘Republikës së Maqedonisë së Ilindenit’. Ai shtoi se kjo çështje do të zgjidhet me referendum.

E gjitha kjo ishte kthyer në një lojë gjeopolitike  pasi nuk mund të anashkalohej fakti që të dyja palët kanë interesat e tyre në këtë debat. Zoran Zaev synonte rritjen e popullaritetit të tij mes maqedonasve dhe procedimin me hapjen e negociatave për anëtarësim në NATO, meqë samiti mbahet jo më larg se në korrik. Ndërsa Aleksis Tsipras, në koalicion me parti nacionaliste, synonte të ruante baraspeshën përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Greqia po ashtu është dhe investitori më i madh i fqinjit të saj verior.

Deri më tani vullneti i përbashkët i të dyja palëve qëndron në përcaktimin e një emri ‘erga omnes’.

Përtej sferës dhe dritëhijes politike, çështja e këtij emri ka të bëjë me bashkekzistencën dhe vazhdimësinë si dhe arritjen e një konsensusi shpirtëror të njeriut me përkatësinë e tij, gjë që i kapërcen kufijtë e persona-s.