Marija Kapitanoviq, Ambasadore e Kroacisë në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Ambasadorja flet për mundësitë e punësimit në Kroaci (VIDEO)

Javëve të fundit, Ambasada e Kroacisë në Kosovë ka pasur një fluks të madh të aplikimeve për vizë nga kosovarët të cilët, të pashpresë për të gjetur punë në vendin e tyre, po kërkojnë fatin diku tjetër.

Në një intervistë për KALLXO.com, Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, thotë se numri i aplikacioneve është rritur këtë vit ndjeshëm.

Krejt kjo ka ardhur pasi në fund të vitit të kaluar, qeveria kroate ka miratuar një vendim me të cilin u mundëson 65 të huajve të gjejnë punë në shtetin më të ri anëtar të Bashkimit Europian.

Vendimi përshkruan aktivitetet biznesore të cilat kanë nevojë për fuqi punëtore nga jashtë.

“Në total, kuota për këtë vit është 65 mijë leje pune për të huajt. Nga ky numër, 15 mijë leje janë për kontratat ekzistuese të punës për ata që tashmë janë duke punuar në Kroaci, ndërsa 50,100 të tjerë për punësime të reja”, thotë Ambasadorja Kapitanoviq.

Shumica e lejeve të punës po lëshohen për profesione si ndërtim, turizëm, hoteleri e vozitë stë automjeteve të rënda.

Pse në turizëm?

Ambasadorja tregon se vitin e kaluar, Kroacia ka parë një bum zhvillimi në këtë sektor.

“Për shembull, në vitin 2018 ka pasur një rritje prej 7.1 përqind krahasuar me vitin paraprak. 18.7 milionë turistë kanë qenë atje (në Kroaci) dhe janë akomoduar në hotele komerciale që një numër mjaft i madh”, thotë ajo.

“Këto janë kryesisht profesione të specifikuara: zdrukthëtarë, kamarierë, kuzhinierë. Ata natyrisht se janë të hapur për të gjithë ata që kanë kualifikime profesionale të kërkuara për këto profesione. Çdo vit, qeveria avancon dhe përmirëson kushtet e punës, aspektin financiar. Edhe niveli i përfitimeve është duke u përmirësuar dhe duhet të theksohet se kjo është për shkak të anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian”, shton ajo.

Kërkesat për punëtorë të huaj në shtetin bregdetar janë rritur dhe kosovarët nuk kanë pritur shumë për ta zënë radhën.

Ambasadorja Kapitanoviq tregon pse tregu kroat i punës është bërë atraktiv për kosovarët.

Marija Kapitanoviq, Ambasadore e Kroacisë në Kosovë. Foto: Kallxo.com

“Unë mendoj se kjo është për shkak të kërkesave për fuqi punëtore, sigurisht. Por është edhe për shkak të problemeve me punësimin këtu (në Kosovë)”, thotë ajo.

“Arsye tjetër është edhe ajo që kosovarët e kuptojnë gjuhën kroate, ata janë të mirë në gjuhë të huaja. Kosovarët janë punëtorë dhe kjo është cilësi e mirë të cilën ata duhet të jenë krenarë”, shpjegon Kapitanoviq duke shtuar se shumë nga aplikuesit kanë marrëdhënie miqësore me Kroacinë, qoftë përmes ndonjë miku apo ndonjë të afërmi që tashmë është duke punuar dhe është integruar atje.

Që nga fillimi i vitit 2019 ka pasur më shumë se 2 mijë aplikime për vizë. Kjo është një rritje e ndjeshme sepse që nga fillimi i vitit 2018 kemi pasur 3,300 aplikime për këtë qëllim, dhe vetëm nga fillimi i vitit kemi pasur 2 mijë”, thotë Kapitanoviq.

Procedura e aplikimit për vizë, sipas Ambasadores, është e vendosur në rregullat e Shëngenit.

“Edhe pse Kroacia nuk është pjesë e zonës Shëngen, duhet t’i bindemi Shëngen-it sepse ne duam që të hyjmë në Shëngen”, thotë ajo.

Kroacia dhe dialogu Kosovë – Serbi

Si shteti më i ri anëtar i bashkimit Europian, Kroacia preferon që Kosova dhe Serbia, dy vende aspirantë për t’u bashkuar në këtë union, t’i kthehen sa më shpejt tavolinës së dialogut, një proces i ndërprerë që nga fundi i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 përqind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

“Është gjithmonë mirë të uleni dhe të bisedoni në tavolinë të njëjtë, sidomos pas disa muajsh (ndërprerje). Sa i përket takimit, unë mendoj se qëllimi është i rëndësishëm, për të ecur përpara në dialog. Pritjet dhe rezultatet zakonisht ngritën bashkë me numrin dhe intensifikimin e bisedimeve. Është e vështirë që të zgjidhen çështjet komplekse përnjëherë kështu që duhet kohë për këtë”, thotë Ambasadorja Marija Kapitanoviq.

Sipas saj, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm.

“Pa dialog nuk ka zgjidhje dhe nuk mund të ketë zgjidhje. Kjo është arsyeja pse ne e kemi mbështetur dialogun dhe, për ne, prosperiteti i rajonit ka rëndësi të madhe prandaj kjo ishte arsyeja pse ne ishim në samitin e Berlinit”, thotë ajo.

Marija Kapitanoviq, Ambasadore e Kroacisë në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Për Kroacinë, gjetja e një zgjidhjeje në kontestin Kosovë – Serbi duket edhe më e rëndësishme për shkak të gjeografisë dhe të së kaluarës.

“Stabiliteti dhe prosperiteti i fqinjve është në interesin tonë absolut. Një rajon i suksesshëm dhe prosperues është në interes të Kroacisë dhe ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e zgjerimit të BE-së. Ajo çka është më e rëndësishmja për marrëveshjen është që ajo ta forcojë stabilitetin në tërë rajonin dhe të jetë në të mirë të qytetarëve”, thotë diplomatja kroate.

Por ajo nuk preferon të flasë për fatin e taksës dhe dialogun që ndërlidhet me të.

Shumë shkurt: është në duart e të dyja palëve”, thotë ajo kur pyetet për të.

Marrëdhëniet Kosovë – Kroaci

Ambasadorja Kapitanoviq thotë se Kroacia dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira bilaterale dhe kjo, sipas saj, dëshmohet edhe më vizitat e ndërsjella të shpeshta të zyrtarëve të të dyja shteteve.

Kosova, sipas saj, mund të përfitojë nga përvoja që merr nga këto vizita në kuptim të reformave të kërkuara për integrimin europian.

“Ne jemi shtet që kemi kaluar nëpër të gjitha këto procese dhe e dimë, me një përvojë të freskët se çka nënkupton kjo. Jemi shteti më i ri në BE, edhe pse nuk do të thoja edhe më tej që jemi shtet i ri sepse kemi hyrë në vitin e gjashtë si anëtar në BE”, thotë ajo.

“Kur ekspertët kosovarë afrohen tek ekspertët tanë, ne mundemi, në bazë të përvojës sonë ta kuptojmë se çka kanë nevojë ata, cilat janë gjërat që janë më të vështira dhe më të lehta për t’u bërë në kuptim të reformave, kështu që në këtë nivel kemi shkëmbim intensiv”, shton Kapitanoviq.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, ajo thotë se sado që është i mirë, ka hapësirë për t’u bërë më shumë.

“Prodhimet kroate janë shumë të njohura në tregun kosovar”, thotë ajo.

Marija Kapitanoviq, Ambasadore e Kroacisë në Kosovë. Foto: Kallxo.com

“Investimet rriten paralelisht me si bëhen reformat. Sa më shumë të bëhen reforma, dhe këtë e them në bazë të përvojës sonë, edhe kushtet për investime përmirësohen”, thotë ambasadorja kroate në Kosovë.

Në Kosova, Kroacia kujdeset edhe për një komunitet të vogël kroat të përqendruar në dy fshatra: Janjevë të Lipjanit dhe Letnicë të Vitisë.

Përderisa në Janjevë jetojnë rreth 200 kroatë, në Letnicë numri i tyre është shumë më i vogël, diku 13.

“Ne u japim atyre ndihma në gjëra bazike… për ta është e rëndësishme që t’u ndihmojmë në gjërat e përditshme, për t’ua bërë jetën më të lehtë sepse në Letnicë jetojnë kryesisht persona të moshuar”, thotë Kapitanoviq duke shtuar se në Letnicë, disa pjesëtarë të komunitetit kroat janë larguar pastaj janë kthyer sërish në shtëpitë e tyre “sepse ata duan të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”.

“E njëjta është me Janjevën, por aty ne i ndihmojmë edhe në disa aktivitete për të rinjtë sepse ka shumë fëmijë atje”, shton ajo.