Fahri Musliu

Alternativat e Fahri Musliut

Karriera i ka kaluar shpejt Fahri Musliut sa kur ndalet e kujton lajmin e parë që kishte bërë nuk mund ta besojë se ai ishte shkruar 50 vjet më parë.

Si nxënës i vitit të fundit të shkollës së mesme, i riu trupgjatë nuk kishte si të mos e përjetonte edhe vetë gëzimin që në fshatin fqinj të tij në Bresanën malore të Dragashit, në mars të vitit 1967, ishte hapur një shitore ku banorët mund të blinin miell dhe produkte tjera të drithit.

Lajmi i ‘bereqetshëm’ dhe rruga drejt Beogradit

Lajmin e kishte shkruar me laps në një fletë fletoreje dhe kur e përditshmja e vetme në gjuhën shqipe në atë kohë, Rilindja, e kishte botuar atë, autori kishte ndjerë që diçka e re po i troket në derën e karrierës.

“Për atë mjedis, ka qenë diçka madhështore si lajm”, thotë ai gjysmë shekulli më vonë teksa qeshet me relevancën e lajmit për kohën kur ai qe shkruar.

Gazetari i “Prishtina Insight” është ulur me Fahri Musliun për të folur për karrierën e tij në Beograd, atmosferën në kryeqytetin e Serbisë në ditët e rënda të fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999 dhe për përfshirjen e tij së fundmi në politikë.

Një votim për një pozitë inferiore në një katund të izoluar të Opojës, në vitin 1972, u bë shkaku kryesor që Fahri Musliun e shtyri të kërkojë rrugë tjera në fatin e tij të jetës.

Ai iu përgjigj konkursit për shef të zyrës së vendit, një pozitë administrative në fshatin Bresanë. Vendi i punës të cilin po synonte ta merrte i riu Musliu i ri me shumë gjasë do ta bënte atë një punëtor administrativ fshati, me pak mundësi për t’i lënë hapësirë për të synuar diçka më shumë.

U gëzua kur e mori lajmin se e ka fituar vendin e punës, por një pengesë në rrugë ia pamundësoi të hyjë në zyrë.

Fahri Musliu i ri, një vit më parë, si anëtar i Konferencës Komunale të Lidhjes Komuniste, kishte votuar hapur kundër një personi që të zgjedhet Sekretar i partisë në qytezën e Dragashit.

“Mendoja që nuk bën që pushteti të lidhet për individin”, thotë ai kur shpjegon arsyet e rebelimit kundër njeriut të fuqishëm të partisë.

Ndoshta ai tregoi që pushteti nuk bën të lidhet për individin, por ky veprim ia lidhi nyjë fatin e tij.

Pozitën të cilën ai e fitoi, Sekretari i partisë ia bllokoi.

Fahri Musliu në vitin 1976. Foto: Facebook

Në konkursin e përsëritur Musliu fitoi prapë dhe i zemëruari në të përsëri ‘përdori’ veto.

Fahri Musliu e pa që karriera e tij si nëpunës lokal kishte përfunduar, pa filluar ende.

Në kërkim të rrugëve tjera për karrierën e tij, Musliu u gjet para një konkursi të Fakultetit të Filozofisë (Fakulteti i Shkencave Politike) në Beograd, në degën e gazetarisë.

Kur u pranua në këtë fakultet, e kuptoi se studimet janë të shtrenjta dhe ekonomia familjare nuk ia mundësonte studimet në një qytet aq të largët, prandaj zgjodhi që studimet t’i bëjë me korrespondencë, pa qenë i detyruar t’i ndjekë ligjëratat.

“Kisha nevoja të punoja për ta mbajtur veten dhe familjen”, thotë Musliu që, atëbotë, prapa në Zaplluxhë të Dragashit kishte lënë gruan dhe vajzën gjashtëmuajshe.

Beogradi dhe shqiptarët e Kosovës kanë njohur momente nga më të ndryshmet përvojash në pjesën e dytë të shekullit 20. Një poezi në libra të shkollave fillore u krijonte nxënësve shqiptarë të Kosovës përshtypjen se për të shkuar në Beograd, doemos duhet ta kesh sharrën në rreth qafës.

Disa të tjerë u munduan t’i japin një kundër-narrativ një përshtypjeje të tillë.

Përmes dërrasave të teatrit këtë e bëri Bekim Fehmiu e aktorë tjerë, në fushën e futbollit më vonë u kujdesën Luan e Xhevat Prekazi, Fadil Vokrri dhe shqiptarë tjerë që ndërsa rrokullisnin topin nëpër këmbë, dukej se nëpërkëmbnin edhe kohën rëndë të shqiptarëve në qytetin që kishte nisur të frymonte me internacionalizmin.

Ndërkohë, Fahri Musliu kishte vendosur ta zgjedhë një rrugë të tretë- të ecë rrugëve të metropolit kryesor të ish-federatës me çantë në krah dhe i kollarisur.

“Kurrë nuk e kam ndjerë veten inferior në Beograd. Përkundrazi jam ndier superior në krahasim qoftë me gazetarë ose akademikë. Jam futur gjithmonë në polemika”, thotë ai.

Por situata me të dhe Beogradin kishte ndryshuar ditët e ftohta të marsit të vitit 1999 kur NATO kishte nisur fushatën ajrore mbi caqet ushtarake ish-jugosllave për shkak se Milosheviqi refuzonte t’i pranonte kushtet e përcaktuara për zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Fahri Musliu ato ditë ishte në Beograd dhe profesioni i thoshte që të mos lëvizte nga aty.

18 vjet më pas, ai thotë se nuk është pishman për zgjedhjen që kishte bërë edhe pse thotë se disa ambasada të huaja ia kishin ofruar mundësinë të largohej atëherë kur u kuptua se fillimi i sulmeve të NATo-s ishte i pashmangshëm.

“Jo, nuk isha larguar, shkaku i profesionit. Për gazetarin që është jashtë redaksisë, raportimi nga lufta është diçka e madhe”, thotë ai.

Në muajt e asaj pranvere kur ushtria kishte marrë gjithçka në dorë dhe gazetarëve u ishte ndaluar raportimi për mediat e huaja, ditët e tij kishin krijuar rutinën e zakonshme të qëndrimit brenda në dhomë, me mundësi të kufizuara lëvizjeje, dhe ndonjë kafeje aty- këtu me miq.

Si dhe ndonjë kërcënimi që i vinte përmes receptorit të telefonit në banesë.

“Ka pasur shumë thirrje telefonike: ku je, çka po pret, kemi me t’vra… U thoja hajde po t’pres. Frika është njerëzore, por nuk kam pasë frikë në asnjë moment. Edhe pse mosfrika e tepërt është budallallëk”, thotë Fahri Musliu.

Ndërsa vetë po jetonte sot për nesër, ai thotë se dertin më të madh e ka pasur për gruan dhe vajzat që i kishin mbetur në Prizren.

Fahri Musliu me intelektualen serbe Latinka Peroviq, Beograd 2008. Foto: Facebook

“Nuk ka pasur shumë shqiptarë në Beograd në atë kohë, sepse filluan sulmet ndaj tyre. Brenda dy tri ditëve shumica kanë ikur në Rumani e Bosnje”, kujton Musliu.

Për dreq, një mjeku nga Prizreni i cili po largohej drejt Bosnjës, policia kufitare gjatë kontrollit ia kishin gjetur në xhep një vizitkartë të Fahri Musliut me logo të “Zërit të Amerikës”.

“E kanë maltretuar duke e akuzuar si spiun të Amerikës. Ka pasur kërcënime, nuk ka qenë lehtë”, thotë ai.

Beogradi që kishte njohur ai kur ia kishte hapur derën në vitet 1970 me Beogradin që po e përjetonte ato ditë nuk i ngjasonin njëri tjetrit.

Në të moçmin, pavarësisht se jetonte në regjim komunist, qytetit i vinin emra të mëdhenj të artit botëror.

Në atë Beogradin që po jetonte, nën një pluralizëm të shpifur politikisht, ai po priste kërcënimet dhe nuk po i lejohej ta ushtronte profesionin. Për më tepër, në atë Beograd, po bëheshin plane edhe për vrasje e pastrim etnik të Kosovës.

“Njerëzit e ndërgjegjshëm e kanë ditur se Milosheviqi do të kapitulojë”, thotë ai kur pyetet për atmosferën në Beograd në ditët e fillimit të qershorit 1999.

Pensioni dhe aderimi

I ulur në restorantin e hotelit Theranda, në qendër të Prizrenit, ku kryesisht e kalon kohën me shokë e miq, Fahri Musliu thotë se nuk mund ta paramendojë jetën pa një dinamikë.

Thjesht, pensionimi nuk funksionoi për të.

Sikur në Beograd, edhe në Prizren, ai dëshiron të debatojë, të hyjë në polemika. Qoftë në biseda tavoline, qoftë përmes diskutimeve në rrjete sociale.

Muajin e kaluar, ai i dha fund një gjysmë-heshtjeje disavjeçare kur emri i tij doli si pjesë e këshillit iniciues për të degës në Prizren të subjektit më të ri politik në vend, Alternativa.

Subjekti politik i bashkëdrejtuar nga kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila dhe deputeti i pavarur, Ilir Deda, është parë nga Fahri Musliu si streha në të cilën ai mund t’i çojë përpara idetë me të cilat ka punuar përgjatë karrierës.

Njëra nga to është bashkëpunimi në një organ të vetëm mes njerëzve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Prizreni dikur i gurtë e sot i betonuar ruan ende në vete një element të fjetur multietniciteti të cilin Musliu ka një projekt për ta zgjuar.

Në Këshillin Nismëtar të degës, ai ka insistuar dhe ka arritur të përfshijë edhe përfaqësues të komunitetit boshnjak, turk e rom.

Kur e drejtonte Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi gjatë një tubimi elektoral e kishte konsideruar Prizrenin si “Jerusalem të partisë” të tij.

Pas Prishtinës, sundimi në Prizren ka qenë synimi kryesor i secilës parti, secilën herë që qytetarët janë ftuar të dalin para kutive të votimit.

Musliu e pranon që Prizreni, siç është edhe për nga arkitektura, është specifik edhe nga aspekti politik.

“Këtu për kryetar të komunës vendosin votat e komuniteteve joshqiptare. Këtu është komuniteti boshnjak me një potencial goxha të madh, komuniteti turk dhe ai rom”, thotë Musliu.

Por në vrojtimin e tij, as pjesëtarët e këtyre komuniteteve nuk janë të kënaqur me përfaqësuesit që kanë zgjedhur.

Prandaj mendon se votuesve të këtyre komuniteteve u duhet një alternativë politike që duhet të dalë përtej kufijve etnikë.

“Ka mjaft të interesuar që të bëhen anëtarë dhe të mundohemi të bëjmë ndryshime sepse në Prizren në njëfarë mënyre po zbatohet në përpikëri plani i Ahtisarit në kuptimin e ndarjes së brendshme etnike”, thotë ai.

Kultura të ndryshme janë gërshetuar në shekuj në qytetin jugor të Kosovës, i cili për disa vite pas Luftës së Dytë Botërore ishte edhe kryeqytet i Kosovës.

Plani i emisarit të OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ish-Presidentit finlandez Marti Ahtisaari, i ka detyruar institucionet e vendit që t’i japin një pjesë të qytetit të Prizrenit një lloj statusi special me ligj në përpjekje për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore e fetare të qytetit.

Nisur nga kjo por edhe nga fakti se shumë komunitete janë izoluar duke u përqendruar në krijimin e shoqatave të ndryshme kulturore të karakterit etnik, Musliu ndjen se vijat etnike të komunës janë trashur.

Një nismë për krijimin e një komune me shumicë boshnjake në rripin e fshatrave që shtrihen përgjatë rrugës për në Prevallë, sipas tij, do t’i vinte kapakun ndarjes etnike.

“Komunitetet po ndahen, nuk po bashkohen… Nuk mund të ketë komunë monoetnike në Kosovë sepse kështu nuk ka askund në botë sepse edhe një pjesëtar i një komuniteti tjetër nëse jeton në atë komunë, ai nuk mund të ndihet mirë në atë rast”, thotë ai.

Rrëshqitja drejt humnerës

Musliu shprehet i zhgënjyer për mënyrën se si po ecin punët në Kosovë që nga dita kur shteti u pavarësua në shkurt të vitit 2008.

“Kosova si shtet po rrëshqet në humnerë, shoqëria kosovare po shkon në rrugë pa krye”, thotë ai.

Një pasqyrë të krizës, Musliu e ka brenda mureve të shtëpisë.

Vajza e tij, e cila ka magjistruar në Psikologji para pesë viteve, po përpëlitet konkurseve për të gjetur punë. Deri tash, pa sukses.

“Nuk ka punë. Në familjen time 15 anëtarë të aftë për punë dhe vetëm dy a tre punojnë… nuk respektohet institucioni i konkursit por lidhjet partiake e familjare”, thotë ai.

Fahri Musliu, Prizren 2017. Foto: Kallxo

Tash ka hyrë në politikë, një hap jo i pazakontë për gazetarët në Kosovë.

Me zgjedhjen që ka bërë, ai i ka hyrë një lotarie rezultatin e së cilës duhet ta presë në fund.

“Alternativa” është një nismë e re politike e ndërmarrë nga dy personalitete të brezit të ri të politikanëve të Kosovës që tashmë janë sprovuar edhe në subjekte tjera politike.

Ilir Deda është aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës i zgjedhur nga lista e Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2014.

Por një seri e mospajtimeve me këtë parti e shtyri atë të largohet nga Vetëvendosje dhe të funksionojë si deputet i pavarur tash e një vit.

Bashkëdrejtuesja e tij, Mimoza Kusari- Lila, është kryetare e komunës së Gjakovës e zgjedhur në vitin 2013 kur kishte kandiduar nën siglën e Aleancës Kosova e Re (AKR). Ajo ka përvojë në politikë edhe si ministre në qeverinë e Kosovës.

Por subjekti që ata kanë krijuar nuk ka një kryetar dhe kjo pasi që as Deda as Kusari nuk kanë vendosur cili të jetë i pari.

Musliu e pranon që në skenën politike të Kosovës, kjo risi mund të jetë edhe hendikep në të njëjtën kohë.

“U kam thënë që nuk pajtohem me idenë e depersonalizimin e partisë. Në këtë periudhë në Ballkan, nuk mund ta depersonalizosh partinë sepse të gjithë lidhen për individin, idenë e tij, karizmën e tij”, thotë ai.

“Është diçka e re por është pak e rrezikshme”, shton Musliu.

Sido që të jetë, në javët e para të inkuadrimit në këtë subjekt Musliu thotë se ka parë një “potencial të madh” të njerëzve që janë të angazhuar. Bëhet fjalë kryesisht për njerëz të pakënaqur, i tillë çfarë është edhe Musliu vetë.

“Në Kosovë edhe ata që janë të pasur nuk janë të kënaqur sepse kanë njëfarë frike prej dikah”, thotë ai.

Përderisa çdo ditë e më shumë duket se zgjedhjet e parakohshme parlamentare po i trokasin Kosovës në derë, Musliu thotë se këto zgjedhje e gjejnë vendin me një skenë politike tejmase të polarizuar.

Zgjedhjet që mund të vijnë, do t’i gjejnë shumicën e partive pjesëmarrëse me një elektorat deri diku të konsoliduar dhe me të tjera si Alternativa në kërkim të elektoratit të vet.

Sondazhet e fundit, i japin shpresë Fahri Musliut.

“Gati gjysma e elektoratit nuk janë të përcaktuar dhe ky është caku ynë”, thotë ai.

Por Alternativa, në opinionin e Fahri Musliut, nuk do ta bëjë atë që e kanë bërë partitë tjera deri më tani me politikën “votë për punësim”.

Këtë ai thotë t’ua ketë thënë edhe ti rinjve që janë anëtarësuar te Alternativa.

“U kam thënë: mos hyni në parti nëse mendoni se partia ju siguron vende të punës. Atë harrojeni. Nëse mendoni të bëni ndryshime, ka përpjekje për ndryshime”, thotë ai.

Për vete, nuk pret se mund të vijë në situatë që të kandidojë për ndonjë post lokal në zgjedhje.

Por ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë në prag, ai pret me padurim që të testohet nga votuesit.

“Mund të kandidohem për deputet, aty mund ta jap kontributin. Ndoshta. Edhe aty pikëpyetje. Ende nuk kam vendosë”, thotë ai.

Disa libra i ka të publikuar ndër vite. Një nga ta është një ditar për ditët e tij në Beograd gjatë bombardimeve të NATO-s. Një tjetër për figurën e artistit Bekim Fehmiu. Disa të tjerë në dorëshkrim presin dritën e botimit.

Por nuk i ka thënë të gjitha.

“Fatkeqësisht nuk kam mundur ta gjej veten në gazetarinë kosovare që po rrëshqet në joprofesionalizëm”, thotë ai.

“Nuk po prodhohen më gazetarë të profilit profesional”, shton ndërsa kujton plot raste kur shkrimet në portale e kanë vënë në siklet duke i shkaktuar edhe probleme familjare.

Derisa e gjerb pikën e fundit të një espresoje, kujton edhe ditën e fundit të punës si gazetar në RTK.

Ishte nga ato ditët të cilën thotë se nuk do t’ia dëshironte askujt për ta shënuar si mbyllje të karrierës.

“Nuk më kanë thirrë që të përshëndetemi, ta pimë një kafe. Ose, në fund të fundit, të më thonë ‘qafën e thefsh’”, thotë ai.

Por pjesa e ëmbël e punës, sipas tij, është se me 38 vjet pune si korrespondent, ai është afër rekordit të arritur nga korrespondentja për Ballkanin e revistës britanike “Times”, Dessa Trevisan, e cila e bëri këtë punë për 44 vjet.

Ajo e cila kur ishte goditur nga një autobus në Londër, politikani nacionalist serb Vuk Drashkoviq kishte pyetur: “Si është autobusi?”.