Ali Ahmeti: “Njeriu i Qetë ” që Merr atë që Dëshiron

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim shpesh akuzohet se po i nënshtrohet Nikolla Gruevskit, por ai është dëshmuar të jetë negociator efektiv për partinë dhe komunitetin e tij.

Udhëheqësi i partisë më të madhe përfaqësuese të shqiptarëve të Maqedonisë ka lindur në vitin 1959 në fshatin Zajaz në pjesën perëndimore të Maqedonisë. 

Si aktivist në lëvizjen nacionaliste shqiptare në Jugosllavi gjatë viteve të tetëdhjeta, ai kaloi një vit në burg pasi u arrestua gjatë protestave studentore të shqiptarëve në Prishtinë në vitin 1981, ku ai po studionte filozofinë. 

Nga viti 1987 deri në vitin 2001 jetoi në Zvicër ku kishte marrë azil politik. Ai ishte pjesë e Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Më pas, ai ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila u shfaq e përkushtuar që t’i japë fund sundimit serb në Kosovë përmes luftës së armatosur. Në vitin 1998 ai iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. 

Pas fundit të konfliktit në Kosovë në vitin 1999, ai u kthye në Maqedoni ku veç kishin filluar tendosjet etnike. Më vonë ai u bë udhëheqës i lëvizjes kryengritëse shqiptare të quajtur Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK), e cila kapi armët në vitin 2001. 

Ahmeti u bë “komandant politik” i UÇK-së, e cila udhëhoqi një kryengritje gjashtëmujore për t’u siguruar shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullatës së vendit, të drejta më të avancuara. 

Në po të njëjtin vit, ShBA-të e listuan UÇK-në si organizatë terroriste dhe në qershor të vitit 2001, Ahmeti u vu në listën e zezë të personave të padëshiruar në ShBA, Zvicër dhe vende tjera. 

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në vitin 2001, që përbënte një marrëveshje të ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare me të cilin iu dha fund kryengritjes, në qershor të vitit 2002 ish-krahu i luftës formoi partinë e vet politike – Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), ndërsa Ahmeti u zgjodh kryetar i saj. 

Në shtator të vitit 2002 BDI-ja u radhit e para në mesin e partive shqiptare dhe iu bashkua koalicionit qeveritar të udhëhequr nga socialdemokratët. Ahmeti u hoq nga lista e zezë e SHBA-ve. 

Pas zgjedhjeve të korrikut 2006, BDI-ja nuk u përfshi në qeveri, edhe pse prapë doli e para në mesin e partive shqiptare. Në vend të saj, partia VMRO-DPMNE përzgjodhi si partnere Partinë Demokratike Shqiptare – PDSh-në. 

Në janar të vitit 2007, BDI-ja njoftoi se do ta bojkotonte parlamentin. Kjo zgjati deri nga fundi i vitit 2007, kur partitë kryesore në vend arritën pajtim lidhur me reformat të cilat BDI-ja po i kërkonte. 

Ahmeti u bë pjesë e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit pas zgjedhjeve të qershorit 2008. 

Që nga fillimi i karrierës politike të tij, Ahmeti ka qenë i njohur si “njeri i qetë” që punon në prapaskenë. Vlen të theksohet se ai kurrë nuk flet maqedonisht në publik dhe deklaratat e tij i jep me ndihmën e përkthyesit. 

Ai është politikan që di se si të arrijë atë që dëshiron. Ai arriti të miratojë disa ligje kundërthënëse që i jepnin më shumë të drejta komunitetit shqiptar. Suksesi më i madh i tij ishte ligji që amnistonte ushtarët e UÇK-së që ishin akuzuar nga Tribunali për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, e rastet e të cilëve ishin kthyer nga ky i fundit në gjykatat e rëndomta në Maqedoni. 

Në vitin 2008, Maqedonia njohu pavarësinë e Kosovës, përkundër kundërshtimit të Serbisë, pjesërisht edhe për shkak të presionit nga partia e Ahmetit. 

Që kur i është bashkuar VMRO-DPMNE-së në qeverisje, BDI-ja ka ndjekur politikën e bashkëpunimit me partinë qeverisëse sa i përket problemit të “emrit” me Greqinë, duke thënë se BDI-ja do të pajtohet me cilëndo zgjidhje që është pozitive për Maqedoninë. 

Megjithatë, partia e tij kundërshton mosanëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO për shkak të problemit me emrin, ndërsa që disa herë ka dhënë shenja se mund të tërhiqet nga koalicioni me VMRO-DPMNE-në, në rast se nuk zgjidhet mosmarrëveshja për emrin. 

Megjithatë, përkundër disa krizave në marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit, partneriteti mes Ahmetit dhe Gruevskit ka mbijetuar. Ç’është e vërteta, Ahmeti arriti që në vitin 2012 të marrë disa resorë të rëndësishëm për herë të parë, siç është Ministra e Mbrojtjes, e cila kurrë më parë nuk është udhëhequr nga një shqiptar, ose edhe postin e zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane. 

Kundërshtarët e Ahmetit e akuzojnë atë se është tepër i nënshtruar ndaj Gruevskit dhe se po lë anash interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Megjithatë, këto akuza nuk kanë pasur ndikim në votat që ka marrë mes shqiptarëve. Partia e tij luajti rol kyç në përgatitjen për zgjedhjet e parakohshme në prill të vitit 2014. 

Në vitin 2013, Ahmeti këmbëngulte që VMRO-DPMNE-ja të pajtohej për një kandidat presidencial konsensual, si parakusht për pjesëmarrjen e BDI-së në zgjedhje. 

VMRO-DPMNE-ja nuk e pranoi këtë ide. Megjithatë, shumë analistë besojnë se kjo mosmarrëveshje ishte inskenuar në mënyrë që të dy partitë të gjejnë shkas për të organizuar zgjedhje të parakohshme në të cilat të dyja presin të kenë rezultate të mira. 

Ndërkohë, BDI-ja thotë se prioritetet e reja qeverisëse do të jenë integrimi në BE dhe NATO, zhvillimi ekonomik dhe zbatimi i vazhdueshëm i Marrëveshjes së Ohrit. 

Ahmeti thotë se BDI-ja nuk do të heqë dorë nga ideja për një kandidat konsensual për presidentin e vendit, si dhe se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, pasi që kjo do të ishte zgjidhja e duhur për Maqedoninë. 

ETIKETA

31 Mars 2014 - 09:23

Darko Duridanski 31/03/2014 - 09:23
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Ali Ahmeti: "Njeriu i Qetë " që Merr atë që Dëshiron

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend