Alarm për Kosovën: 80% e lodrave të Kinës që janë testuar dalin të rrezikshme

Nga 15 mostra të lodrave të testuara në Holandë, 12 prej tyre kanë dal të rrezikshme për përdorim, ose 80% e lodrave të cilave u janë bërë analizat në laboratorin SGS.

Të gjitha lodrat që janë vlerësuar si të rrezikshme për përdorim janë me origjinë nga Kina. Ato gjenden në shitje nëpër dyqane të ndryshme nëpër Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar analizat e bëra në laboratorin “SGS” në Holandë, ku kanë rezultuar se vetëm 3 nga 15 lodra janë të lejueshme të shiten, edhe pse kanë mangësi, por të cilat mund të eliminohen.

Testimi i tyre është bërë nga laboratori ‘SGS’ në Holandë, ndërsa mostrat janë dërguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për rrezikun që ishte konstatuar nga rezultatet e para, ndërsa ka siguruar edhe rezultatet e dyta që kanë ardhur, ku edhe 5 mostrat e mbetura kanë dal të rrezikshme.

Rreziku nga lodrat në vetitë kimike dhe ato fizike

Rezultatet e dyta të lodrave kanë dal jo konform dhe të rrezikshme në testin që u është bërë në vetitë kimike, fizike dhe mekanike dhe testin e etiketmit.

Tek komponenta ‘vetitë kimike’ thuhet se lodrat duhet të jenë të projektuara dhe të prodhuara në mënyrë që të mos paraqesin rrezik të efekteve të dëmshme ndaj shëndetit të njeriut për shkak të ekspozimit ndaj substancave apo përzierjeve kimike nga të cilat lodrat janë të përbëra.

Këtu me veti të rrezikshme për përdorim kanë dal lodrat: kerr me bateri “Em Car Model” dhe manikyr “Makeup Belle”.

Testin e vetive fizike dhe mekanike, i cili përcakton se lodrat dhe pjesët përbërëse të tyre duhet të kenë fortësinë e duhur mekanike, pa u thyer ose pa pësuar shtrembërime që paraqesin rreziqe të cilat mund të shkaktojnë dëmtime fizike nuk e kanë kaluar lodrat si: manikyr “Makeup Belle”; pistoletë me topa “Super Shooting”; lodër veturë dhe aeroplan “Fly Line” dhe pistoletë tjetër me topa “Shoot Game”.

Ndërsa testin e etiketimit që duhet ta ketë secila lodër, ku përshkruhet për cilën moshë përdoret dhe përbërësit e saj, nuk e kanë pasur pesë lodrat e kthyera herën e dytë: kerr me bateri “Em Car Model”; manikyr “Makeup Belle”; pistoletë me topa “Super Shooting”; lodër veturë dhe aeroplan “Fly Line” dhe pistoletë tjetër me topa “Shoot Game”.

Vendimi për largimin nga tregu të njërës nga 13 lodrat e rrezikshme

Dy ditë më parë, MTI kishte marrr vendim që ta largoj nga tregu njërën nga to. Nga tregu është larguar vetëm lodra e cila është e ndaluar edhe në tregun e BE-së, “Slime Barrel-O-Slime”.

Gazeta JnK kishte raportuar se kjo lodër është e kategorizuar si lojë e rrezikshme dhe është në listën e Sistemit të Sinjalizimit të Shpejtë të Komisionit Evropian, si lodër që është ndaluar të shitet në vendet e BE-së. Por, në Kosovë e njëjta lodër mund të blihet për vetëm 1 euro nëpër dyqane të ndryshme.

Lodrat e rezultateve të dyta të cilat janë cilësuar si të rrezikshme për përdorim, të gjitha me prejardhje nga Kina, janë: kerr me bateri “Em Car Model”; manikyr “Makeup Belle”; pistoletë me topa “Super Shooting”; lodër veturë dhe aeroplan “Fly Line” dhe pistoletë tjetër me topa “Shoot Game”.

Ndërsa Gazeta ka kërkuar përgjigje nga Ministria  Tregtisë se a do të largohen nga tregu edhe 11 lodrat tjera të cilat kanë dal të rrezikshme për përdorim nga fëmijët, por ende nuk ka marr përgjigje.

Lodra të rrezikshme për përdorim, të cilat nuk e kishin kaluar testin e konformitetit në katër komponenta, dhe janë klasifikuar si të rrezikshme, janë: revole (e cila nuk ka brend), por dihet origjina nga Kina; lodër kimile (Slime) e brendit “Barrel O Slime”; lodra uji të brendit “Bath Tub”; set kafshës të brendit “Animal Toys”, kukull e brendit “Happy Girl”; kafshë lodër e brendit “Poultry” dhe lodër, veturë e aeroplan të “Fly Line”.

Europa ka vendosur standarde të përmbajtjes së lodrave për fëmijë pas disa skandaleve për lodrat kancerogjene gjatë viteve të kaluara. “Rapid Alert System” (Sistemi i Sinjalizimit të Shpejtë për rrezikshmërinë e produkteve jo-ushqimore), në kuadër të Komisionit Europian, i tregon për produktet të cilat janë të rrezikshme në tregun Bashkimit Europian, në të cilin vendet alarmojnë njëra-tjetrën për produktet me rrezikshmëri në përdorim.

Katër komponentët e testimit të lodrave

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vitin e kaluar e ka nxjerrë rregullore për sigurinë e lodrave.

Kjo rregullore përcakton edhe kërkesat e veçanta të sigurisë ku hyjnë: vetitë kimike, vetitë fizike dhe mekanike, testi i djegshmërisë dhe testi i etiketimit (mbishkrimet e nevojshme). Rrjedhimisht, këtu përcaktohet edhe procedura e vlerësimit të konformitetit për lodrat.

Tek komponenta ‘vetitë kimike’ thuhet se lodrat duhet të jenë të projektuara dhe të prodhuara në mënyrë që të mos paraqesin rrezik të efekteve të dëmshme ndaj shëndetit të njeriut për shkak të ekspozimit ndaj substancave apo përzierjeve kimike nga të cilat lodrat janë të përbëra.

“Lodrat nuk duhet të përmbajnë aromat e mëposhtme alergjike”, ku janë të listuara 55 aroma, e të cilat përcaktohen në rregulloren për sigurinë e lodrave.

Tek komponenti ‘vetitë fizike dhe mekanike’, thuhet se lodrat dhe pjesët përbërëse të tyre duhet të kenë fortësinë e duhur mekanike dhe nëse është e nevojshme qëndrueshmërinë për të i bërë ballë presionin të cilit i nënshtrohen gjatë përdorimit, pa u thyer ose pa pësuar shtrembërime që paraqesin rreziqe të cilat mund të shkaktojnë dëmtime fizike.

“Lodrat dhe pjesët përbërëse të tyre nuk duhet të paraqesin rrezik nga ngufatja”, thuhet ndër tjera.

Një tjetër komponentë është testi i djegshmërisë (ndershmëria), ku thuhet se lodrat nuk duhet të përbëjnë një element të rrezikshëm ndezës në ambientin e fëmijës.

“… nuk ndizen nëse i ekspozohen direkt një flake, shkëndije apo burimi tjetër të mundshëm të zjarrit”, thuhet ndër tjera në rregullore.

Po ashtu, është testuar edhe komponenti e etiketimit (përshkrimeve të nevojshme) për një lodër, ku duhet të tregohen specifika siç është vënja e etiketës se për çfarë moshe është ajo lodër dhe çfarë përmban ai produkt.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensionit Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’