‘Akujt’ politikë Kosovë – Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë me Presidentin e Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë me Kryeministrin e Kosovës, kanë krijuar mure gati të pakalueshme komunikimi dhe koordinimi, në një kohë kur fjalori politik i tyre dominohet nga shprehja “bashkim” dhe “heqje e kufirit” ndërmjet dy vendeve.

Ilir Meta komunikon ftohtë me Hashim Thaçin ndërkohë që Edi Rama e Ramush Haradinaj polemikat i kanë zhvendosur në publik.

Protagonistët politikë shqiptarë nuk po i takojnë homologët e tyre, por vetëm zyrtarët me të cilët kanë shfaqur pikëpamje të njëjta në politikën ditore ndërshtetërore.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpesh herë njofton për takimet  që i zhvillon me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ndërkaq kryeministri kosovar Ramush Haradinaj deklarohet për takimet që i mban me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta.

Ilustrim
Edi Rama e Hashim Thaçi – Foto: Instagram

Këto bashkëpunime selektive të politikanëve shqiptarë, sipas partive opozitare në Kosovë po bëhen për interesa personale, ndërsa njohës të çështjeve politike vlerësojnë se takimet në fjalë ndërlidhen mes tjerash me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se ngjarjet në raport me marrëdhëniet jashtë Kosovës, përfshirë  Republikën e Shqipërisë është parë një moskoordinim i plotë i përfaqësuesve shtetëror.

“Natyrisht që kjo nuk është qasje që duhet të promovohet ose që duhet të vazhdohet. Secili me interesa të veta personale dhe asnjëherë nuk e kanë në plan një politikë të përbashkët ose një plan që do të duhej të ishte i Republikës së Kosovës”, tha deputetja opozitare.

Sipas Haxhiut, liderët kosovarë nuk e kanë shfrytëzuar ndikimin që Republika e Shqipërisë e ka edhe me Serbinë dhe vendet tjera.

“Nuk i kanë shfrytëzuar pikërisht për shkak të inateve që i kanë shpeshherë personale por edhe herë-herë sa për tu dukur që kanë probleme ndërmjet vete. Kjo më së shumti i bën dëm Kosovës dhe qytetarëve të saj. Në vend të përpjekjes për zbatim të marrëveshjeve nga të dyja anët, këta bëjnë lojëra të tilla”, vlerësoi ligjvënësja Haxhiu për Gazetën JnK.

Ndërsa, Violeta Haxholli hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), vlerëson se ajo që i bashkon këto figura politike, është përkrahja dhe kundërshtimi ndaj idesë së presidentit Thaçi për “korrigjim të kufijve”, si zgjidhje për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi.

“Arsyeja e bashkëpunimit të Presidentit Thaçi me Kryeministrin Rama është për shkak se ky i fundit ka shfaqur mbështetje për idenë e korrigjim të kufijve të prezantuar nga Presidenti Thaçi si mundësi për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi”, thotë Haxholli për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Në anën tjetër Presidenti Ilir Meta ka kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufijve, prandaj edhe Kryeministri Haradinaj ka gjetur një mirëkuptim te Presidenti Meta duke qenë se edhe Haradinaj vazhdon të kundërshtojë këtë ide”, thekson më tutje ajo.

Hiç më larg se dy ditët e fundit, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj njoftuan virtualisht për takimet e ndara me politikanët në Shqipëri.

Thaçi të martën bëri të ditur se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

“Si gjithmonë, kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama. Biseduam për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit”, ka shkruar Thaçi.

Në anën tjetër, të hënën kreu i ekzekutivit të Kosovës Haradinaj njoftoi se u takua me presidentin Meta.

”Qëndrime unike me Presidentin Ilir Meta për temat me rëndësi për Kosovën e Shqipërinë”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me presidentin shqiptar Ilir Meta – Foto: Facebook

‘Përplasje’ politikanësh

Dallimet politike mes kryeministrave Ramush Haradinaj dhe Edi Rama u shpërfaqën edhe në Samitin e Berlinit që u mbajt në fund të muajit prill, e ku u diskutua në veçanti për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj e denoncoi Ramën e Thaçin se i bënë presion për heqjen e taksës doganore ndaj produkteve serbe.

“Isha krejtësisht i vetëm. Edhe presidenti edhe Edi Rama, më shumë më bënin presion ata me heq taksën sesa udhëheqësit e tjerë ndërkombëtar. Të gjithë insistojshin të mos humbet ky shans. Insistim, I pandalshëm, në anglisht dhe në gjuhë të tjera”, u shpreh Haradinaj.

Si kundërpërgjigje ndaj Haradinajt, kryeministri Rama tha se homologu i tij po gënjen për presionin e taksës.

“Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dale ‘burra të mirë’ para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në Pazar”, ishte shprehur Rama.

Hiç më mirë nuk qëndrojnë raportet as mes presidentit Thaçi dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, që dikur ishin homologë qeveritarë.

Në paraqitjen e fundit në debat televiziv, Thaçi vazhdimisht i referohej Sali Berishëm me “Sali Ram Berisha”, duke i përdorur emrin e babait të tij si referencë, gjë të cilën e bëjnë shpesh rivalët politikë të Berishës në Shqipëri.

Së fundmi Thaçi e Berisha e quajtën njëri-tjetrin “argat të Beogradit e të Sllobodan Millosheviqit”.

“Gabimi im është se e kam trajtuar seriozisht. Ka dëshmuar se është tash e tri dekada që argat i Sllobodan Millosheviqit. E ftoj në debat ballë për ballë”, u deklarua Thaçi dy ditë më parë në Top Channel.

Ndërsa, Berisha kishte thënë se Hashim Thaçi është peng i dosjes së tij të Beogradit.

“Thaçit po t’i ketë mbetur pak karakter nuk merret kurrë me çështjen e negociatave me Kosovën pa shkuar në Hagë, pa u pastruar”, ishte shprehu ish-kryeministri shqiptar javë më parë.

Por Thaçi e Berisha në kohën sa qeverisnin në vendet e tyre, mburreshin me ndërtimin e Autostradës “Ibrahim Rugova”, e njohur si Rruga e Kombit.

Madje të dy bashkë e patën inauguruar hapjen e tunelit në Kalimash.

Se Thaçi dikur kishte raporte të mira me Berishën, ish-kryeministrit kosovar ia kishte kujtuar ish- nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialistë të Shqipërisë Erion Braçe  në vitin 2012.

Si kryeministër i Kosovës atë kohë, Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se nuk do të lejonin përsëritjen e “21 janarit” të Tiranës edhe në Prishtinë.

Ky zotim kishte ardhur si kundërpërgjigje ndaj paralajmërimeve të Lëvizjes Vetëvendosjes për bllokimin e pikave doganore të Kosovës për mallrat që vinin nga Serbia.

Ndërkaq, Erion Braçe i cili aktualisht është zëvendëskryemninistër në Qeverinë Rama, në 2012-ën deklarimet e Thaçit i kishte cilësuar “një gabim të trashë”.

“Z.Thaçi, çfarë ke thënë kështu? A e di ti ç’është 21 janari?! 21 janari në Tiranë, më saktë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, u ngjiz nga revolta e njerëzve ndaj aktit më publik të korrupsionit të një pushteti politik dhe ekzekutiv shfaqur para çdo shqiptari! 21 janari u kthye në ‘krim shtetëror’ kur kryeministri (homologu juaj tipik) urdhëroi të qëllohej me armë zjarri ndaj protestuesve…”, kishte deklaruar ndër të tjerash ai.

Nën kohën e Sali Berishës kryeministër, me 21 janar të vitit 2011 në Tiranë u vranë katër protestues nga të shtënat e policisë, gjatë protestës që e kishte organizuar Partia Socialiste në Shqipëri.

22 Maj 2019 - 13:15

Emirjeta Vllahiu 22/05/2019 - 13:15
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend