Aksidentet: Dy të Vdekur dhe 80 të Lënduar për Dy Ditë

Vetëm brenda dy ditëve të kaluara Polica e Kosovës njoftoi për 4 raste të vdekjeve, dy prej të cilave nga aksidentet rrugore, kurse dy të tjera në rrethana të ndryshme.

Zëdhënësja e QKUK-së Mirlinda Qyqalla tha se në dy ditët e fundit 80 nga pacientët e pranuar në Klinikën Emergjente në Prishtinë kanë qenë të lënduar në aksidente trafiku.

“Gjatë dy ditëve të fundit në Klinikën Emergjente, gjithsej ndihmë emergjente kanë kërkuar … 313 pacientë, ku prej tyre 80 janë të lënduar në aksidente të komunikacionit”, i tha gazetës Jeta në Kosovë Qyqalla.

Të mërkurën në këtë klinikë ndihmë mjekësore kishin kërkuar 144 persona prej të cilëve 25 të lënduar në aksidente komunikacioni.

Ndërkaq, të enjten sipas saj kishte dyfishim të numrit të të lënduarve që kërkuan ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente, ku nga 169 persona që kërkuan ndihmë në këtë klinikë, 55 ishin të lënduar në aksidente komunikacioni.

Në mëngjesin e së enjtes në një aksident komunikacioni, 6 vjeçari me inicialet A. M. humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor që ndodhi në fshatin Kçiq i Madh në magjistralen Mitrovicë –Prishtinë.

Viktima ishte konfirmuar pa shenja jete në spitalin rajonal të Mitrovicës, ndërsa shtatë persona tjerë që pësuan lëndime janë transportuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim mjekësor.

Sipas policisë, aksidenti mendohet të jetë shkaktuar kur automjeti “BMW” me targa vendore, nga një rrugë anësore e fshatit Kçiq i Madh është kyçur në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë, duke i marrë përparësinë e kalimit të automjetit tjetër “Porsche” me targa të huaja, që po qarkullonte nga drejtimi Prishtinë- Mitrovicë.

Të mërkurën, humbi jetën një person në Ferizaj pas goditjeve që mori nga një automjet.

Policia njoftoi se në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani” në Ferizaj, një automjet “Pasat” kishte goditur një këmbësore. Viktima ishte dërguar në QKUK në Prishtinë, ku kishte vdekur nga lëndimet e marra.

Të enjten kur u shënua edhe dita e parë e Festës së Bajramit është evidentuar fluks dhe ngarkesë më e madhe e komunikacionit rrugor.
 
Zëdhënësi i policisë Brahim Sadriu tha se Policia e Kosovës ishte prezente në terren me patrullat e saj.

Sipas tij angazhimi i policisë për rregullim trafiku është më i nevojshëm kryesisht në qytetet e mëdha. 

“Kur falet Bajrami ka nevojë për angazhim të policisë, sidomos në rregullim të trafikut. Shumica nuk kanë parking, aty ku bëhet numri më i madh i veturave dhe kjo sidomos ndodh nëpër qytete të mëdha [kurse] nëpër zona rurale nuk ka probleme”, tha zëdhënësi Sadria.

Gjatë së mërkurës policia raportoi edhe për dy raste të vdekjeve në Prizren.

Një 50 vjeçar humbi jetën si pasojë e lëndimeve të marra nga zjarri që kishte kapluar shtëpinë e viktimës.

I vdekuri tjetër nga Prizreni humbi jetën, derisa pastronte pusin-bunarin me ç’rast kishte humbur vetëdijen. Viktima ishte nxjerrë nga njësiti i zjarrfikësve dhe ishte dërguar në emergjencë ku mjeku kujdestar kishte konstatuar vdekjen.