Akces në Mostransparencë

Rasti i një agjencie shtetërore që po synon të censurojë mediat dhe të rrisë jotransparencën e zyrtarëve publikë, pasi ka dështuar të mbrojë të dhënat personale në raste shumë më të ndjeshme, dhe që duket se ka bërë një llogari të gabuar për të mbrojtur pushtetin aktual.

Mungesa e transparencës në institucionet publike kosovare, që vazhdon të theksohet nga organizata kredibile të huaja, rrezikon të përkeqësohet me mbështetjen aktive të Agjencionit Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDP). Sipas legjislacionit dhe praktikës gjyqësore europiane, të dhënat personale mund të publikohen në përputhje me interesin publik, por nga zyrtarët e agjencionit kosovar interesi publik nuk merret parasysh në nismat e tyre kufizuese pasi që, siç thonë ata, nuk paska definicion të qartë të tij.

I krijuar para vetëm një viti, ky agjencion, me pak mund dhe pa ndonjë rezistencë, ka arritur që të ngushtojë veprimtarinë e Agjencionit Kundër-Korrupsion duke ia ndaluar publikimin e të dhënave të detajuara të vendndodhjes së pronave të personave që ushtrojnë funksione publike, e tani mund të detyrojë ndërprerjen e publikimit të deklaratave të zyrtarëve publikë në internet si dhe, përveç kësaj, të censurojë mundësitë e mediave për të përcjellë personat publikë edhe nëpërmjet një rregullore që deri më tash nuk e ka diskutuar fare me gazetarët.

Këto veprime do të çojnë në zvogëlimin e obligimit të pushtetit që të mundësojë qasje në informacion. Kjo lëvizje nuk guxon të lejohet.

Një ndër sukseset e matshme të Agjencisë Kundër-Korrupsion ka qenë publikimi i deklaratave të pasurisë online pasi vëzhgimi i tyre nga mediat dhe shoqëria civile ka nxitur për qeverisje më të matur. Ato kanë mundësuar që qytetarët drejtpërdrejt, e më së shumti nëpërmjet mediave, të kuptojnë cilët nga politikanët kosovarë kanë fituar duke qenë në poste publike ose ku janë gjendur në konflikte interesi. Mospublikimi i tyre do të pamundësojë përcjelljen e rritjes së pasurisë së tyre dhe të angazhimeve të zyrtarëve në detyra tjera në sektorin privat.

Ndoshta kjo iniciativë do të mund të nxiste diskutim, të paktën për ta shikuar si ide dhe për të reflektuar në atë se çka mendon pala tjetër, por vetëm me kushtin që ASHMDP të mund të argumentonte lëvizjen e saj. Arsyetimi i dhënë publikisht – se deklaratat e publikuara të pasurisë rrezikojnë zyrtarët publikë kur janë jashtë vendit – është shumë i luhatshëm dhe i pamjaftueshëm për të çuar në një vendim me pasoja kaq serioze për transparencën.   

Agjensioni madje ka paralajmëruar AKK-në se në rast të mos heqjes së deklaratave të pasurisë nga faqja e saj në internet, veprim ky që duhet të pasojë pasi të amendamentohet ligji për AKK-në, do ta dërgojë këtë ligj për interpretim në Gjykatën Kushtetutese. Edhe pse një gjë të tillë e lejon ligji për mbrojtjen e të dhënave personale dhe pa paragjykuar rezultatin e mundshëm, ajo nuk duhet ta çojë këtë temë më tej për arsye thelbësore – sepse kjo shoqëri ka nevojë për qarkullim të informacionit dhe debat të gjallë.

Deri më tash, edhe në ato fusha që i rregullon me legjislacion të mjaftueshëm, agjencioni ka zgjedhur që të mos dënojë me gjobë asnjë nga rreth njëzet shkelës të të dhënave personale, edhe sikur shkelësi të jetë njëra nga bankat e cila porosiste kartela pa kërkesë dhe pëlqim të palëve duke shfrytëzuar të dhënat e tyre personale. Ndaj saj dhe disa institucioneve publike e private janë shqiptuar vetëm vërejtje.

Për më shumë, ka dyshime të bazuara e të raportuara edhe në media për raste të ndryshme kur përgjimet telefonike janë duke u bërë në shpërputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale të cilat duhet të adresohen nga agjencioni. Për shembull, disa kompani telefonike u japin informata mbi shpenzimet mujore telefonike për çfarëdo numri, njerëzve të paautorizuar. Sipas një hulumtimi për përgjimet telefonike të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë është shqetësuese mungesa e mekanizmave të inspektimit të operatorëve të telekomunikacionit dhe se, sipas tyre, “nuk bëhet asnjë inspektim i këtyre operatorëve dhe nëpunësve relevantë të tyre që janë të përfshirë në zbatimin e urdhrave për përgjim, për t’u siguruar që të dhënat e konsumatorëve nuk keqpërdoren”. Se “përgjimet janë një mënyrë tjetër e abuzimit [të të dhënave personale], e cila është vështirë të menaxhohet”, është pranuar edhe nga shefi i ASHMDP-së në një hulumtim për përgjimet telefonike të botuar në “Zëri”, në korrik të këtij viti. Prapë, rezultatet e agjencionit nuk janë të dukshme.

Prandaj, është vështirë të kuptohet se përse i ngutet agjencionit të censurojë mediat derisa nuk ka treguar kredibilitet dhe rezultate në këto fusha tjera po kaq të rëndësishme për mirëqenien publike.

Mbikëqyrësit shtetërorë propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës, që nënkupton se këta aktualët janë zgjedhur në masë të madhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Ata duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të bëjnë kalkulime më të zgjuara gjatë zgjedhjes së informacioneve që duan të heqin nga domeni publik, pasi që kur kjo parti të humb pushtetin do t’i duhen pikërisht këto informata nëse pretendon të luajë opozitën e fortë. Nëse zyrtarët kanë dashur t’i bëjnë favore pushtetit aktual, e kanë llogaritur këtë keq pasi shumë shënime për ta do të vazhdojnë të mbesin në internet në një mënyrë ose tjetër.

Në anën tjetër, mediat që jo rrallë herë renditen pas interesave politike, ekonomike dhe të tjera, duke qenë kështu të shtyra që raportimi i tyre të mos jetë në përputhje me etikën dhe legjislacionin për media, do të duhej të përmirësojnë nivelin e raportimit dhe të investojnë në zhvillimin e kualitetit të gazetarisë. Nga përgjegjësia nuk mund të shmangen as publikuesit jotradicionalë në mediat sociale. Hapësira e madhe, lehtësia e publikimit dhe autoriteti i dobët i prokurorive dhe gjykatave nuk duhet të nxis moszbatimin e standardeve botërore të etikës dhe raportimit.

ETIKETA

27 Gusht 2012 - 09:35

Flutura Kusari 27/08/2012 - 09:35
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Akces në Mostransparencë

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend