Steve Bannon.

Afrimi i Bannon në Ballkan, shqetësues por jo afatgjatë

Javët e fundit kanë sjellë një sërë ngjarjesh që sugjerojnë kontakt të intensifikuar midis politikanëve nga Ballkani dhe ekstremit të djathtë amerikan.

Ata ndjekin takimet midis ish-strategut (ndoshta dhe aktualit) të Trump Steve Bannon dhe kryeministres serbe të Bosnjës, Zeljka Cvijanoviq, midis Bannon dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe midis ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq, dhëndrit të Trump, Jared Kushner, dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit, John Bolton.

Ngjarje të tilla kanë marrë rëndësi më të madhe duke pasur parasysh sfondin – një ndryshim të dukshëm të papritur në politikën amerikane kundrejt mbështetjes së shkëmbimeve territoriale si pjesë e një zgjidhjeje midis Serbisë dhe Kosovës dhe një plani nga Bannon për të koordinuar një fushatë për etno-nacionalistët që ai i quan “populistë” në të gjithë Europën.

Daçiq deklaroi se, në krahasim me administratat e mëparshme të SHBA-së, presidenca e Trumpit dukej “më e përshtatur ndaj qëndrimeve tona” dhe “demonstron mirëkuptim ndaj pikëpamjeve tona”.

A tregon kjo një zhvendosje të madhe në proces e sipër, me një administratë amerikane që shkatërron institucione, e ngritur për të krijuar precedentë të rinj në Ballkan duke kultivuar kërkesat e etno-nacionalistëve me shpresën për të zëvendësuar moderimin europian me vizionin e tij të “populizmit”?

Një sërë faktorësh po kontribuojnë në lulëzimin e kësaj aleance, por ka edhe faktorë kufizues.

Pushteti i personalitetit

Nëse ka një karakteristikë që e dallon sjelljen e Trumpit nga politika ndërkombëtare, është mosbesimi i tij i thellë në shërbimin profesional civil që ai e përshkruan gabimisht si “shtet i thellë”. Ai ka anashkaluar sistematikisht Departamentin e Shtetit, duke e vënë atë nën administrimin e zyrtarëve të papërvojë që kanë mbikëqyrur një eksod masiv të personelit të specializuar.

Në vend të ekspertëve, politika është vendosur në duart e disa individëve të besuar, shumica e të cilëve në Shtëpinë e Bardhë. Ajo që do të thotë kjo në praktikë është se administrata po anashkalon praktikat e vendosura të vendimmarrjes formale dhe profesionale të shoqëruara nga mbikëqyrja publike dhe legjislative dhe po përpiqet t’i zëvendësojë ato me kanale joformale të krijimit të politikave.

Njerëzit që ndodhen në këto poste të autoritetit vendimmarrës joformal janë atje në bazë të marrëdhënieve të tyre personale me Trumpin. Ndër ta përfshihen i afërmi i tij Kushner, ideologu Bolton dhe, derisa u detyrua të largohej për shkak se dolën për veprimtarinë e tij të paregjistruar si agjent i huaj, gjenerali në pension Michael Flynn.

Ndërsa anëtarët e këtij grupi përfitojnë nga aksesi i drejtpërdrejtë te presidenti amerikan, ata veprojnë pa këshillën e njerëzve që kanë njohuri me situata me të cilat ata përballen dhe u mungon njohuria, ekspertiza dhe përvoja.

Kjo ka hapur mundësi që shumë qeveri anembanë botës e kanë vendosur veten në një pozitë për të shfrytëzuar. Ideja e tyre e përgjithshme është se dominimi kaotik i politikës amerikane nga njerëz të tillë nuk do të zgjasë shumë dhe ata duhet ta pozicionojnë veten e tyre për të përfituar sa më shumë që është e mundur.

Nuk është habi që shtetet si Serbia dhe Kosova, si dhe Republika Srpska, duhet të përpiqen t’i bashkohen klubit. Ata janë midis pretenduesve që angazhojnë ndërmjetës për t’iu qasur administratës së Trumpit.

Kush janë ndërmjetësit që gjejnë ata? Në përputhje me një parim të përgjithshëm të hartimit të politikave që është i personalizuar dhe joformal, ata kërkojnë njerëz me lidhje personale me Trumpin.

Një nga marrëveshjet e fundit që njohim ne përfshin një marrëveshje konsulence të nënshkruar midis partisë qeverisëse të presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik dhe një firme këshillimi të panjohur më parë, “Tëin Rocks Global”.

Sipas regjistrimit të FARA (të gjitha firmat amerikane dhe individët që përfaqësojnë partitë ndërkombëtare duhet ta paraqesin këtë informacion sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj dhe të gjitha këto dokumente janë në dispozicion të publikut në https://www.justice.gov/nsd-fara) , SNSD e Dodik përfaqësohet nga “Twin Rocks Global” në marrëdhëniet me qeverinë amerikane, për të cilën “Twin Rocks Global” merr një pagesë mujore prej 10,000 dollarë.

Pikërisht nga këto të dhëna të FARA-s ne gjithashtu dimë se Republika Srpska mbështetet në shërbimet ligjore të firmës ligjore dhe lobuese në Uashington “Picard, Kentz dhe Rowe” për një pagesë mujore që varion nga 90,000 deri në 115,000 dollarë.

“Twin Rocks Global” duket se nuk ka klientë të tjerë ndërkombëtarë përveç SNSD-së, dhe përndryshe nuk ka shumë prani – firma nuk ka faqe interneti, për shembull. Ajo ndan të njëjtin staf (drejtorët Jason Osborne dhe Michael Rubino) dhe adresë (1002 Pennsylvania Avenue) me “Turnberry Solutions”. Adresa është gjithashtu shtëpia në Uashingtone ish-kryetarit të fushatës së Trump, Corey Lewandowski. Osborne dhe Rubino kishin të dy poste të larta në fushatën zgjedhore të Trumpit.

A funksionon?

Cvijanoviq, Thaçi dhe Daçiq, të gjithë dukeshin se ishin shumë të kënaqur me rezultatet e takimeve të tyre.

Në kohën që u zhvilluan, ka qenë e mundur të vëzhgohet në Bosnje një intensifikim i retorikës separatiste nga SNSD-ja, si edhe një forcim të aleancës së saj me partinë etnike kroate HDZ-BiH në Bosnjë. Kjo lëvizje është mbështetur nga Daçiq me një gjuhë të habitshme jo diplomatike.

Në të njëjtën kohë ka pasur një ndryshim dhe një ringjallje të shpejtë dhe shumë të përhapur të propozimeve për krijimin e zonave etnikisht homogjene si pjesë e “korrigjimit” të kufirit midis Serbisë dhe Kosovës.

Nëse kjo është deklarata e një pozicioni të ri të Shteteve të Bashkuara mbi rajonin, atëherë kjo është lëvizja e parë e dukshme nga administrata e Trumpit në politikën në Europën Juglindore. Më parë, gjatë kohës së inaugurimit të tij, një grup interesant propozimesh për ripërcaktimin e kufijve për të krijuar bantustane etnikisht të veçanta në rajon u bë në Foreign Affairs nga Timothy Less, ish-zyrtar konsullor i Mbretërisë së Bashkuar në Banja Llukë.

Kjo u hodh poshtë nga çdo specialist rajonal në një debat të shkurtër (shikoni letrën e hapur nga specialistët për redaktorin e Foreign Affairs si edhe përgjigjet nga Florian Bieber, Georg Vasilev dhe unë).

Por ndoshta frymëzimi erdhi vetëm tani. Ne kemi parë futjen e çuditshme të Bannon në politikën e rajonit, së bashku me ato që mund të jenë disa nga pasojat. Dhe nevojitet një shpjegim për kritikën e çuditshme të Trumpit ndaj Malit të Zi në një intervistë menjëherë pas takimit të tij katastrofik me Putinin në Helsinki.

Afrimitete zgjedhore dhe disa kufizime

A po afron më shumë prishja e improvizuar e institucioneve që Trump ka premtuar të djathtën ekstreme të Ballkanit me atë amerikane? Mund të ketë pasur disa ndërveprime dhe shprehje përzemërsie nga të dyja palët, por vështirë të shohim një marrëdhënie të mirë.

Ka padyshim disa lidhje që bashkojnë të djathtën amerikane me politikanët europianë të së djathtës, si Viktor Orban i Hungarisë, Matteo Salvini i Italisë dhe një numër figurash brenda dhe jashtë qeverisë në shtete si Britania e Madhe, Austria dhe natyrisht disa nga shtete të Europës Juglindore.

Ata janë veçanërisht të bashkuar nga armiqësia ndaj imigracionit, kundërshtimi ndaj institucioneve të demokracisë dhe një thirrje në tërësi ndaj ndjenjave të epërsisë racore, etnike dhe fetare. I çuar përpara nga pakënaqësia e ardhur nga mungesa e mjeteve ekonomike, ky është “populizmi” për të cilin flasin njerëz si Bannon.

Por dy gjëra të së djathtës europiane, ekstremistët e djathtë amerikanë nuk i kuptojnë. E para është se ndryshe nga e djathta amerikane, e djathta europiane në përgjithësi (me përjashtim të së djathtës ekstreme në Britani) nuk është anti-ndërhyrje shtetërore.

Në vend që ta shohin pushtetin si çmontimin të mirëqenies sociale, të punës dhe mbrojtjes së mjedisit, të djathtët në Europë e shohin atë si instrument që duan ta kontrollojnë. Në këtë aspekt, e djathta ekstreme europiane nuk mund të përshkruhet si konservatore.

E dyta është se e djathta ekstreme ka vështirësi me vizionin e një të djathte të bashkuar globale apo europiane. Themeli ideologjik i shumicës së partive të djathta në Europë siç është nacionalizmi dhe politikat e identitetit i bën ato që të fokusohen te kultivimi i armiqësisë së përbashkët, zgjidhje që ata nuk duan ta braktisin lehtësisht.

Po ashtu, ka dy gjëra që të djathtët e Ballkanit nuk kuptojnë te e djathta amerikane. Së pari, ata nuk zgjedhin mes lëvizjeve nacionaliste dhe zgjedhin të promovojnë njërën ndërsa hedhin poshtë të tjerat.

Ashtu si Vladimir Zhirinovski iu kundërvu mikpritësve të tij në Slloveni, ata kanë si vizion një “nacionalizëm ndërkombëtar” që bashkohet në kundërshtim me kosmopolitanizmin, liberalizmin dhe socializmin dhe që i përshtatet një dominimi nga një fuqi globale. Kur Bannon takohet me politikanë të Serbisë dhe Kosovës, ai i sheh ata si në favor të interesave të tij dhe nuk bën dallime mes tyre.

Gjëja tjetër që të djathtët në Ballkan nuk kuptojnë rreth të djathtëve amerikanë është se ata janë të margjinalizuar, pavarësisht okupimit të tyre kaotik dhe të përkohshëm të Shtëpisë së Bardhë.

Ata veprojnë kundër idesë së përhapur dhe të qëndrueshme për konsensus mes partive politike më të mëdha në SHBA, që nënkupton zgjidhje sipas ligjit të mosmarrëveshjeve dhe nuk ka probleme me aleancën e fortë mes SHBA-së dhe Europës.

Kur ekipi unik që mban pushtetin tani të largohet, presidenti i ardhshëm, pavarësisht se nga cila parti vjen, do të përpiqet të rregullojë marrëdhëniet e dëmtuara.

Në atë aspekt është më e arsyeshme të vlerësohet se nëse lind diçka nga dashuria mes dy krahëve të majtë, do të duhet që ajo të ndodhë shpejt dhe ka për të qenë e vështirë të rezistojë. Ky bashkim është vetëm pjesërisht i bekuar nga lidhja ideologjike dhe bashkimi i interesave nuk është i qartë.

Aventura europiane e Bannon nuk ka shumë perspektiva për sukses dhe në SHBA ky eksperiment i çuditshëm me qeverinë nga mafia ka gjasa të mbarojë shpejt. Drama që po shohim të shpaloset tani do të jetë interesante për sa kohë zgjat, por ka për t’i ardhur fundi.

 

 Eric Gordy është lektor në “University College” Londër.

Mendimet e shprehura në rubrikën e opinioneve i takojnë autorit/es dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me ato të BIRN.