Admirali James Foggo. Foto: Atdhe Mulla

Admirali i NATO-s: Për marrëveshjen Kosovë-Serbi nevojitet kompromis

Admirali James Foggo, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, tha për BIRN se nevojitet “kompromis dhe sakrificë” nga të dyja palët në mënyrë që të ndërmjetësohet një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

 

Admirali James Foggo, admirali i Marinës Amerikane i cili udhëheq Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, i kërkoi liderëve të Kosovës dhe Serbisë të ndjekin shembullin e kryeministrit të Greqisë dhe atij të Maqedonisë së Veriut në marrëveshjen e tyre historike për të kapërcyer mosmarrëveshjen e tyre të gjatë dhe për të siguruar një marrëveshje përparimi.

“Ajo që na duhet tani është lloji i kompromisit dhe sakrificës që kryeministrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev arritën me marrëveshjen e Prespës,” tha Foggo për BIRN në një intervistë në selinë e Prishtinës të Forcës së NATO-s në Kosovë, KFOR.

Foggo u shpreh se Kosova duhet të heqë tarifat 100 për qind të cilat i vendosi nëntorin e kaluar për mallrat e importuara nga Serbia, gjë që shkaktoi ndërprerjen e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel.

Ai tha gjithashtu se të dyja palët duhet të lënë pas mosmarrëveshjet e kaluara dhe të shkojnë drejt pajtimit të dy vendeve dhe etnive. “Çdo përpjekje për të bllokuar dialogun apo për ta asgjësuar atë nuk do të çojë në ndonjë rezultat më të mirë për të dyja palët,” shpjegoi ai.

Janë bërë sugjerime polemike se Kosova dhe Serbia mund të bëjnë një lloj shkëmbimi territorial si pjesë të një marrëveshjeje, duke shkaktuar reagime negative në të dy vendet dhe në nivel ndërkombëtar. Sidoqoftë, NATO nuk ka asnjë qëndrim nëse një ide e tillë duhet të diskutohet apo jo gjatë negociatave, tha Foggo.

“Diskutimi për një shkëmbim toke ose shkëmbim territoresh është pjesë e dialogut. Duhet ta zgjidhni ju. Ajo që i intereson NATO-s është një mjedis i sigurt,” tha ai.

“Në lidhje me shkëmbimin e tokës, këtë e vendosni ju. Ju në Kosovë votoni për politikanët dhe ata ulen në tryezë dhe diskutojnë me Beogradin për të përcaktuar rrugën përpara,” shtoi ai.

Ai shpjegoi se kur është në Ballkan, njerëzit i japin mesazhin se nuk u pëlqen retorika politike e konfliktit.

“Flas me të rinj dhe u them se më pëlqen letërsia ballkanase. “Ura mbi Drin” e Ivo Andriq dhe romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i cili flet për italianët dhe shqiptarët është gjithashtu i preferuari im. Dhe kur flas me të rinjtë, reagimet që marr prej tyre janë: atyre nuk u intereson lufta,” tha ai.

“Njerëzit duan prosperitet, punë, mundësi për të udhëtuar lirshëm dhe për të jetuar në një vend të sigurt. Rruga drejt kësaj është nëpërmjet integrimit euroatlantik.”

Serbia, NATO dhe roli i Rusisë

Serbia ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO, e cila bombardoi vendin dhe përfundoi kontrollin e saj mbi Kosovën në 1999. Por megjithatë Foggo tha se e sheh Serbinë si një partner të aleancës ushtarake perëndimore, pavarësisht lidhjeve miqësore të Beogradit me qeverinë ruse.

“Ata kanë zgjedhur të mos e marrin rrugën drejt anëtarësimit. Por unë mendoj se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është i vendosur të shkojë përpara. Ai ka qenë më aktiv në avokimin për dialog me presidentin e Kosovës,” shpjegoi Foggo.

“Sa i përket ndikimit rus në Serbi, unë e shoh presidentin Vuçiç që dëshiron të ecë përpara. Qëllimi i tij është që vendi të bëhet anëtar i BE-së. Rusia nuk është në BE ose anëtare e BE-së. Ky është një pozicion mjaft i pavarur për Serbinë dhe ata duan të kthehen nga Perëndimi,” shtoi ai.

Serbia është anëtare e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe trupat e Beogradit shpesh janë përfshirë në stërvitje ushtarake me forcat e aleancës perëndimore, siç kanë bërë edhe me ushtrinë ruse.

Foggo tha se ndërsa Serbia është e qartë se nuk është e interesuar të bëhet anëtare, ajo është e interesuar të bashkëpunojë.

“Serbët kanë zgjedhur të angazhohen me Rusinë dhe në të njëjtën kohë të mbajnë një partneritet me NATO-n,” tha ai.

“Ata kanë blerë disa avionë luftarakë nga Rusia dhe kanë pasur disa stërvitje me ta në të njëjtën kohë. Por ka një numër nismash bashkëpunuese midis forcave të armatosura të Serbisë dhe forcave të NATO-s në drejtim të partneritetit,” shtoi ai.

Ai megjithatë argumentoi se ndikimi i Rusisë është ushtruar mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila kërkon të bashkohet me NATO-n. Presioni po ushtrohet nëpërmjet entitetit me shumicë serbe të Bosnjës, Republika Srpska, ku lidershipi serb është kundër anëtarësimit në NATO dhe fuqimisht pro-rus, tha ai.

Bosnja ende nuk ka paraqitur Programin e saj Vjetor Kombëtar për reformat politike, ekonomike, të mbrojtjes, resurset, sigurinë dhe reformat ligjore të nevojshme për të ecur më pranë anëtarësimit në NATO, sepse është bllokuar nga kundërshtimet e politikanëve serbë të Bosnjës.

Foggo tha se e sheh këtë si rezultat të ndikimit rus në Republikën Srpska.

“Ky Plan Vjetor Kombëtar është vlerësimi i Bosnjës për forcat e saj lidhur me përparimin që kanë bërë ndaj anëtarësimit përfundimtar në NATO dhe ky plan lejon ushtrinë e Bosnjës të ndajë progresin e saj dhe të bëhet një anëtare më e mirë e mundshme e aleancës së NATO-s. Nuk janë serbë që po ndërhyjnë në këtë, është Rusia në Republikën Srpska dhe presidenti serb i presidencës trepalëshe shtetërore të Bosnjës, Milorad Dodik,” tha ai.

Ai thotë se problemi nuk mund të zgjidhet nëse Dodik nuk pajtohet të ecë përpara. “Kështu kjo nënvizon ndikimin rus në Ballkan, gjë e cila është është kundërproduktive dhe do të doja të mund ta ndalonim,” shtoi ai.

Që nga marrëveshja mes Athinës dhe Shkupit, Foggo nuk sheh ndonjë pengesë serioze që do ta pengonte Maqedoninë e Veriut të bëhej anëtare e NATO-s.

Marrëveshja e pa Maqedoninë të ndryshonte emrin e saj në Maqedonia e Veriut për të kënaqur kundërshtimet e hershme të Greqisë dhe në këmbim Athina i dha fund bllokimit të rrugës së Shkupit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Ata i lanë pas mosmarrëveshjet e kaluara që ekzistonin prej dekadash dhe treguan aftësi të mëdha politike,” tha Foggo.

NATO ende e angazhuar në Kosovë

Forca e NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendos në qershor të vitit 1999 pas bombardimeve të aleancës ushtarake të Jugosllavisë, që e bëri Serbinë të tërhiqte trupat e saj dhe i dha fund luftës. Në mes të tensioneve të vazhdueshme etnike në Kosovë, Foggo premtoi se misioni i NATO-s në Kosovë do të vazhdojë përpjekjet e tij për të siguruar një mjedis të sigurt.

“Kjo lejon paqen, prosperitetin dhe zhvillimin ekonomik. Kjo do të thotë punë për njerëzit sidomos për brezin e ri,” tha ai.

Ai tha se çdo ulje e ardhshme në numrin e trupave të NATO-s në Kosovë do të varet nga kushtet e sigurisë. “Ne do të donim kushte për të lehtësuar një tërheqje për forcat tona,” shpjegoi ai.

Çdo plan largimi nga Kosova do të varet nga rezultati i dialogut Prishtinë-Beograd, beson ai.

“Sa më shpejt që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë në dialog dhe të ecin përpara në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre dhe të jetojnë në mënyrë paqësore pranë njëri-tjetrit, atëherë mund të flasim për kushtet dhe bazën për të ardhmen e forcës së NATO-s këtu në Kosovë,” tha ai.

“Por për momentin jemi këtu.”

NATO po monitoron nga afër planin e qeverisë së Prishtinës për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK-në, në një ushtri të rregullt.

Foggo tha se ky ishte një vendim i Kosovës “sepse ajo është një shtet sovran dhe një demokraci” dhe se NATO po ndihmonte me transformimin, i cili pritet të zgjasë një dekadë.

“Sot kam kaluar orë të tëra me ministrin e mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së duke diskutuar procesin afatgjatë të FSK-së. Është një proces dhjetëvjeçar dhe është shumë transparent,” tha ai.

“Kemi këtu një grup që po punon për të ndihmuar FSK-në që të ecë përpara me transformimin,” shtoi ai, duke shpjeguar se një gjeneral gjerman është ngarkuar të ndihmojë FSK-në në procesin e “profesionalizimit dhe transformimit”.