AAK-Lidhja me Biznesmenin e Fuqishëm të Lojërave të Fatit

Biznesmeni Astrit Krasniqi,  që bashkë me vëllain e tij Arbenin shtriu biznesin e lojërave të fatit anembanë vendit, ka dhënë donacion për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka punësuar Haki Shatrin një anëtar të kryesisë së saj,  ka zbuluar Gazeta Jeta në Kosovë.

Raporti i auditimit për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2009, tregon se Astrit Krasniqi ka dhënë 5 mijë euro donacion për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës subjektin politik të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. 

Jeta Rukiqi, bashkëshorte dhe përfaqësuese ligjore e bizneseve të Krasniqit, konfirmoi se Shatri është i punësuar si konsulent financiar në bizneset e lojërave të fatit.

Ajo po ashtu konfirmoi se bashkëshorti i saj njihet me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Njihemi familjarisht. Ne shkojmë e po ashtu edhe ata vijnë nëpër dasma e ahengje tek ne”, thotë Rukiqi.

Një foto e publikuar në facebookun e saj e tregon këtë. Lideri i AAK-së është pjesëmarrës në dasmën e Krasniqit. Afër vetës ka edhe këshilltarin e tij Stiven Shuk që më herët ishte zv/kryeadministrator i UNMIK-ut.


Ramush Haradinaj në dasmën e Astrit Krasniqit | Foto: facebook

Astrit dhe Arben Krasniqi janë pronarë të dyqaneve të lojërave të fatit  “Apex Games”,  “Play 4 Win” dhe “Play 4 Cash”,  që gjenden anembanë Kosovës. 

Shatri mohoi se punon për Krasniqin.

 “Unë me Astritin jam shoqëruar në baza krejt private. Unë nuk kam punuar për ta. Por u kam dhënë këshilla”, deklaroi  Shatri. 

Thotë se këshillon miqësisht Krasniqin që të mos i ikë tatimit të akcizës.

Pohon se nuk është paguar ndonjëherë nga Krasniqi, por vetëm ka pranuar t’i paguajë dreka.

Ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, nuk ka komentuar financimin para katër vjetësh nga Krasniqi që aktualisht po mbahet në paraburgim nën dyshimet për udhëheqjen e një organizate kriminale që dëmtonte rivalët e saj në biznesin e lojërave të fatit. EULEX-i e përshkruan Krasniqin si njeri me ndikim në Kosovë.

“Pyetjet tuaja i kemi marrë dhe kemi diskutuar të gjithë dhe u morëm vesh që të koordinohemi se çfarë përgjigjesh do t’u dërgojmë që të mos dalim me fjalë të ndryshme në opinion”, ka thënë zyrtari financiar i AAK-së Valon Tolaj.

Por, përkundër këtij pohimi, as pas tri javësh pritjeje, AAK-ja nuk ka kthyer një përgjigje.

Gazeta Jeta në Kosovë  kontaktoi Daut Haradinajn, deputetin dhe vëllain e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. 

Ai fillimisht pohoi se është i gatshëm që të fliste lidhur me këtë çështje porse duhej terminuar një takim kur do të kishte kohë të lirë. 

Por Haradinaj më pas nuk iu pëgjigj thirrjeve telefonike dhe mesazheve.

Ndërkohë vëllëzërit Krasniqi dhe një punëtor i tyre Arben Neziri, u arrestuan më 30 tetor të vitit të kaluar pas bastisjeve të shtatë lokacioneve të ndryshme në Prishtinë dhe në Pejë.

Fillimisht ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Zëdhënësi i EULEX-it  konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se hetimet ndaj tre të pandehurve janë zgjeruar dhe se është zgjatur masa e paraburgimit deri më 26 shkurt të këtij viti. 

“Për të tre të pandehurit është shtuar akuza për posedim të paligjshëm të armëve, si dhe akuzë për drogë për njërin nga të pandehurit. Këto akuza janë shtuar pasi që këto janë gjetur gjatë operacioneve të bastisjes”,  ka thënë zyrtari për informim i EULEX-it, Blerim Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Megjithatë, sipas Krasniqit, veprat kryesore për të cilat dyshohen të pandehurit janë krimi i oranizuar dhe detyrimi.

Haki Shatri në krahun e djathtë të Krasniqit 

Kur Astrit Krasniqi, pronari i bizneseve të fuqishme të lojërvave të fatit në Kosovë, po zyrtarizohej si president i klubit futbollistik Besa kishte afër tij një  politikan. 

Në krahun e djathë të tij ishte ulur Haki Shatri.

Ai është anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ishte ministër për Ekonomi e Financave përgjatë viteve 2004-2007, në kohën kur ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Por Shatri  më 11 nëntor të vitit 2012 po merrte pjesë në një takim biznesor. 

Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës nga Bakir Burri,  ish-presidenti i klubit futbollistik Besa te Krasniqi ishte transmetuar nga TV Dukagjini, një televizion lokal në Pejë. 

Shatri ishte në anën e tavolinës ku ishin ulur kryesia e re e KF Besa që kryesohej nga Astrit Krasniqi që mori bekimin të jetë sponsor i klubit në pronësi të komunës së Pejës.

Shatri mbajti edhe fjalim gjatë ceremonisë.

“Për aq sa kam pasur rol në këtë, mund t’ju them se do të ketë një ngjallje, edhe materialisht në klubin ‘Besa’ ”, kishte thënë Shatri.

Por Shatri thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se prezenca e tij në takim ishte e rastësishme.

“Ka qenë një ngjarje ajo. Unë aty kam thënë se nëse ju e njihni si unë (Astrit Krasniqin) do të punoni shumë mirë me të”, ka thënë ai.

Shatri megjithë afërsinë që thotë se ka edhe me Krasniqin dhe që në të njejtën kohë është pjesë e AAK-së, thotë se nuk e di nëse ky subjekt politik financohet nga ky biznesmen.

 “Jo unë nuk e di nëse ata janë donatorë ose jo. Çka kanë bërë për fushatë privatisht nuk e di.As nuk i kam pyet, as nuk e di, nëse kanë dhënë mjete, por nuk e përjashtoj mundësinë, absolutisht”, ka thënë ai.

Anëtari i kryesisë së AAK-së thotë  se të dyshuarin e ka shok të afërt prej vitesh dhe tregon se e kishte njohur para një decade, gjatë kohës sa ishte ministër për Ekonomi dhe Financa.

“Më kanë lajmëru që e ke një vizitë në kabinet. Edhe ka hy një djalë që s’e kam njoftë atëherë.Ishte Astrit Krasniqi dhe më ka tregu që po do që ta hapë një biznes”, ka thënë Shatri.

Ai tregon se ia kishte shpjeguar procedurat për regjistrim dhe licencimin e biznesit të lojërave të fatit. 

“Ai (Astrit Krasniqi) më tha se deri atëherë kishte pasur vështirësi që ta hapte biznesin. Ai më tha që është regjistruar dhe i ka kryer të gjitha procedurat. Unë i thashë që nëse i ka kryer të gjitha, ne do t’ia japim licencën menjëherë”, deklaroi  Shatri për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Atëkohe Ministria e Ekonomisë dhe Financave kishte përgjegjësinë e licencimit të biznesit të lojërave të fatit. Këtë përgjejësi tash e ka Administrata Tatimore që operon në kuadër të Ministrisë së Financave.

Megjithatë Shatri thotë se miqësia e tij me Krasniqin u krijua jashtë ministrisë.

 “Ka shkuar ai person, kanë ardhur të tjerë në ministri. Dhe pastaj jemi njoftu në jetë private. Duke shkuar në drekë në “Tiffany”, një ditë më ka thënë se unë jam ai djali që kam pas ardhur te ti në ministri”, thotë Shatri. 


Në anën e majtë Astrit Krasniqi dhe Haki Shatri | Foto: printscrn, TV Dukagjini

Akuzat që rëndojnë mbi Krasniqët

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar kërkesën për paraburgim të  prokurorit Allen Cansick për tre të pandehurit Astrit dhe Arben Krasniqin si dhe punëtorin e tyre Arben Nezirin.

Ky dokument i dorëzuar në gjykatë më 28 tetor të vitit 2013, i quan të pandehurit kriminelë dhe pretendon që prokuroria i ka provat për ta dëshmuar këtë. 

Aty përmenden raste të kërcënimeve me armë, thyerje e disa lokaleve dhe kërcënime me jetë të disa personave dhe familjeve të tyre.

Në këtë dokument thuhet se të gjithë dëshmitarëve të prokurorisë u janë ofruar masa mbrojtjeje.

Kurse, veprat penale dyshohen se janë bërë qysh prej vitit 2008 për të vazhduar deri më 2013.

“Provat e Prokurorisë deri tash e demonstrojnë organizatën kriminale të udhëhequr nga Arben e Astrit Krasniqi. Arben Neziri, bashkë edhe me shumë të tjerë, është anëtar i grupit”, thuhet në dokument.

Më tej thuhet se qëllimi i grupit të organizuar është që të kryejë zhvatje kundër rivalëvë të dalluar të biznesit.

Prokuroria dyshon se Krasniqët përdorën kërcënime e dhunë, për të detyruar që t’i mbyllnin bizneset, rivalët që kishin makina më të mira se ata. 

Po ashtu Krasniqët dyshohen se detyruan rivalët që të mos përdornin makinat e prodhuara nga kompania austriake Apex dhe i obliguan konkurrentët që të merrnin me qira makinat nga grupi i tyre.

“Provat e kërcënimeve të bëra në këtë fazë, dëshmojnë se ato kanë qenë serioze, duke përfshirë edhe kërcënimet ndaj jetës së dëshmitarëve dhe të pjesëtarëve të familjes së tyre”, thuhet në urdhërarrest.

 “…është e qartë se Arben dhe Astrit Krasniqi janë udhëheqësit e grupit të organizuar kriminal. Të dy kanë udhëhequr pjesëtarët e grupit që t’i kërcënonin individët e tjerë”, thuhet në këtë dokument të prokurorisë.

Prokuroria përshkruan mënyrën e funksionimit të dyshuar të këtij grupi.

Njerëzit e organizatës së kontrolluar nga Krasniqët dyshohet se thyenin makinat nëpër lokalet e konkurrentëve, duke hyrë të armatosur dhe duke i drejtuar tytat kah punëtorët presentë.

Pretendohet nga prokuroria se lokaleve të shënjestruara u viheshin mjete shpërthyese dhe ato qëlloheshin me armë zjarri dhe kjo ndodhte edhe gjatë kohës sa ka pasur persona të pranishëm aty.

Avokati i Arben Krasniqit, Arianit Koci, kur kishin ndodhur arrestimet pati deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se pretendimet e prokurorit janë hipoteza të pabazuara.

Por, bashkëshortja e Astrit Krasniqit, Jeta Rukiqi e cila është edhe pjesë e mbrojtjes juridike të bashkëshortit të saj, thotë se rasti është i motivuar nga konkurrenca dhe se nuk ka prova mbi akuzat.

“Ata (vëllezërit Krasniqi) thjesht kanë kërkuar mbrojtjen e produkteve të tyre. E kanë licencën për këta aparate dhe përdorimi i tyre është i rregulluar me ligj për markat tregtare”, ka thënë Rukiqi.

Ajo ka thënë se kompania e vëllezërve Krasniqi i kishte shkruar Ministrisë së Tregtisë për të kërkuar mbrojtjen e këtyre produkteve.

Rukiqi vetë e kishte bërë kërkesën në emër të “Apex-it”.

“Kemi të dhëna se në territorin e Republikës së Kosovës në vazhdimësi janë duke hyrë produkte të palicencuara dhe të falsifikuara me markën “Apex”. Këto produkte, në territorin e Kosovës janë duke i futur persona fizikë dhe juridikë, të cilët nuk janë të autorizuar nga firma “Apex”, thuhet në kërkesën për ekzaminim të parakohshëm të markës tregtare.

Por, kjo kërkesë është bërë katër vjet më vonë sesa koha të cilës i referohet prokuroria, ku thotë se kërcënimet e grupit Krasniqi kishin nisur qysh prej vitit 2008, ndërsa kjo kërkesë ishtë bërë më 13 nëntor 2012. 

MTI-ja ndërkaq, në mars të vitit 2013 kishte marrë vendime për mbrojtjen e produkteve të “Apex-it”.

Ndërkaq për mbështetjen financiare që i është dhënë AAK-së, Rukiqi deklaroi se Astrit Krasniqi ka mundur të japë para kur ka pasur nevojë ky subjekt politik.

“Jo nuk është financues i rregullt i AAK-së. Mund të japë ndonjëherë kur kanë nevojë”, ka deklaruar Rukiqi.