Foto: Atdhe Mulla

A mund ta përqafojë Kosova një feminizëm për 99 përqindshin?

Lëvizja feministe në Kosovë ka përjetuar një ringjallje, por mbetet për t’u parë nëse është gati t’i bashkohet përpjekjeve globale e ta ndryshojë tërësisht politikën.

 

Ekziston një fakt i pamohueshëm se në vitet e fundit lëvizja feministe në Kosovë ka përjetuar një ngjallje radikale: prej fushatave kundër ngacmimeve në rrugë deri tek marshimet për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, lëvizja me forcë ka zaptuar sferën publike, duke kërkuar të drejta dhe përfaqësim për gratë dhe vajzat.

Kjo ndoshta nuk është diçka e papritur ose befasuese – në fund të fundit, protestat e aktivisteve gra për drejta civile në Kosovë janë të dokumentuara mirë, së paku që nga vitet e ‘90ta.

Megjithatë, derisa bëhemi gati për të marshuar në disa qytete në Kosovë nën moton “Ka ardhë koha” për të protestuar kundër abuzimit seksual, ngacmimeve dhe vrasjeve të grave dhe vajzave, ky  është edhe një rast i mirë për të vlerësuar sa shumë hapa para  kemi bërë.

Para më shumë se dhjetë vitesh, në kohën kur isha ende studente, dukej me të vërtetë e paimagjinueshme që do të marshoja mes qindra njerëzve të cilët kërkojnë që jeta e grave dhe vajzave të respektohet pa u akuzuar që po stër-reagonim.

Parada e Krenarisë, e zëshme dhe shumëngjyrëshe, e organizuar në dy vitet e fundit është gjithashtu një dëshmi festive që tregon ndryshimin që kemi përjetuar përgjatë jetës sonë.

Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të asaj se si lëvizja feministe ka kaluar prej reagimeve të shkruara ndaj të akteve të dhunës në dalje në rrugë: vetëm këtë të mërkurë mbi njëqind njerëz u mblodhën për të protestuar kundër dënimit me burg  në kohëzgjatje prej tri vjetësh që iu dha personit i cili i shtypi me veturë dhe i vrau dy vajza në Prishtinë vitin e kaluar.

Ndërkohë, pak javë më parë, qindra vetë protestuan para selisë kryesore të policisë në Prishtinë, pasi mediat raportuan se një vajzë nga Drenasi ishte abuzuar seksualisht nga mësuesi i saj dhe më pas edhe nga zyrtari policor i cili ishte ngarkuar me rastin,  gjatë kohës që vajza në fjalë ishte e mitur.

Rasti pati jehonë të madhe publike, dhe nxiti më shumë raportime për ngacmimin dhe abuzimin seksual, duke iniciuar një debat të gjerë në shoqëri rreth ngacmimit, si dhe pajtimit.

Qindra vetë protestuan gjithashtu vitin e kaluar, kur doli në pah se një burrë në Gjakovë vrau bashkëshorten e tij, Valbona Nrecaj dhe vajzën e tyre; e shoqja kishte bërë disa raportime në polici që kishin shkuar të padëgjuara. Javën e kaluar, fajtori mori dënimin me burg të përjetshëm – dënimi më i lartë i dhënë ndonjëherë për një rast të dhunës në familje në Kosovë.

A është kjo e mjaftueshme?

Jo, por është një fillim i mbarë. Që nga viti 2017, të frymëzuara nga greva e grave polake kundër kriminalizimit të abortit dhe nga fushata Ni Una Menos (As edhe një më shumë), kundër femicidit (vrasjeve të grave) në Argjentinë, organizatat feministe nga i gjithë globi iu bashkuan thirrjes për të shënuar 8 marsin me një Grevë Ndërkombëtare për Gratë.

Greva është organizuar në më shumë se 50 vende gjatë dy viteve të fundit ndërsa edhe këtë vit, gratë nga e gjithë bota do të ndalen së punuari në vendet e tyre të punës apo edhe në shtëpi për të dëshmuar edhe një herë se “kur gratë ndalen, bota ndalet”. Jemi dëshmitarë të shfaqjes së një lëvizjeje të vërtetë globale feministe, ndërsa tanimë ka edhe zëra që kërkojnë që ky moment të shndërrohet në një lëvizje feministe ndërkombëtare që do t’i shërbente 99 për qindëshit.

Në librin e botuar tash së voni “Feminizmi për 99%: Një Manifesto”, Cinzia Arruzza, Tithi Bhattacharya dhe Nancy Fraser shpjegojnë se si greva ndërkombëtare e grave ka arritur t’i rigjejë rrënjët politike të Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe ka arritur të përdorë këtë grevë  për të shpikur një lloj të ri të politikës që shkon përtej politikave të identitetit dhe çështjeve klasore.

Edhe në Kosovë, marshi tashmë tradicional “Marshojmë, S’festojmë” e ka rimarrë 8 Marsin prej atyre që ende e konsiderojnë këtë ditë si Dita e Nënës dhe e festojnë atë me dhurata dhe lule, duke e shndërruar atë në një thirrje për veprim.

Për herë të parë këtë vit, përveç bllokimit të qendrës në Prishtinë për disa orë, në të njëjtën kohë marshimi do të bëhet edhe në Prizren, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Greva e Ndërkombëtare Grave, siç shënojnë autoret e Manifestit, ka zgjeruar repertorin e grevës duke ia shtuar asaj tërheqjen nga puna, mbylljen e bizneseve të vogla, bojkotin dhe bllokadat; dhe madje edhe tërheqjen nga “punët te shtëpisë, seksi dhe buzëqeshjet”.

Teksti kyç i Silvia Federici-t “Paga për punë shtëpiake”  është botuar që në vitin 1975, por për disa mund të jetë ende lajm që pjesa më e madhe e punëve të pavërejtura që bëhen rreth shtëpisë bie në kurriz të kohës dhe energjisë së grave.

Por ndoshta gjëja më e rëndësishme që kanë bërë këto greva për 8 mars është kthimi i lëvizjes feministe kah rrënjët e saj majtiste, duke hapur kështu një mundësi për të kapërcyer uzurpimin e feminizmit nga neoliberalizmi.

Për ta bërë këtë, Arruza, Bhattacharya dhe Fraser shkruajnë, ne kemi nevojë për një feminizëm të 99 përqindëshit: një feminizëm që “[refuzon] të sakrifikojë mirëqenien e shumë njerëzve për të mbrojtur lirinë e të paktëve, nevojat dhe të drejtat e grave të varfra dhe të klasës punëtore, të grave me ngjyrë dhe atyre emigrante, të grave queer, transgjinore dhe me aftësi të kufizuara, të grave që janë të inkurajuara ta shohin veten si ‘klasë e mesme’, edhe kur i janë të eksploatuara nga kapitali.”

A do të munden gratë e Kosovës ta pranojnë këtë ftesë? Le t’i shohim faktet: ato përballen me papunësinë, diskriminimin në punë, ngacmimin seksual në rrugë, në shkollë, madje edhe në stacionin e policisë, si dhe kujdesin e dobët shëndetësor, nëse jo abuzim total (së fundmi, një mjek në Prizren është incizuar duke i bërtitë një pacienteje e duke e quajtur majmun, gjatë procesit te operimit).  Në shtëpi, ato rrihen ose vriten, dhe prej tyre pritet që në heshtje t’i bëjnë punët e shtëpisë dhe të riprodhojnë.

Vetëm 12.7 për qind e grave në Kosovë janë zyrtarisht të punësuara, një numër ky shqetësues që duhet të na alarmojë për varësinë e tyre ekonomike. Sipas një sondazhi të OSBE-së, 55 përqind e grave varen nga të ardhurat e partnerit të tyre, ndërsa 27 përqind nga ato të prindërve të tyre.

Ndërkohë, 32 për qind e meshkujve kosovarë besojnë se roli kryesor i grave duhet të jetë kujdesi për shtëpinë dhe gatimi. Për komunitet pakicë vështirësitë janë edhe më të mëdha: mungesa e qasjes në kujdesin shëndetësor për gratë rome, ashkali dhe egjiptiane është me të vërtetë e tmerrshme; njerëzit transgjinorë mezi ia dalin të mbijetojnë dhe pavarësisht faktit që kemi një Kushtetutë përparimtare, ata nuk pranohen nga shteti.

Ndërkohë, personat me aftësi të kufizuara ende nuk kanë qasje të duhur në hapësira publike, duke përfshirë objektet e arsimit dhe përballen me diskriminim në shkollë dhe në punë.

Problemi duhet të ballafaqohet në mënyrë të drejtpërdrejtë: natyra interseksionale, shtypja socio-politike dhe margjinalizimi i prek gratë, personat queer , personat me aftësi të kufizuara të klasave dhe etnive të ndryshme në mënyra të ndryshme, por gjithsesi i prekë të gjithë. Mënyra e vetme për t’u marrë me këtë problem është t’i kuptojmë dhe t’i pranojmë privilegjet dhe dobësitë tona dhe të formojmë një aleancë që i tejkalon këta kufij ndarës dhe e bën një politikë totalisht të re në Kosovë.

Zgjidhja nuk do të jetë një feminizëm që thjesht kërkon kriminalizimin juridik të dhunës gjinore; ashtu siç thonë  Arruzza, Bhattacharya dhe Fraser, “emancipimi ligjor mbetet një guaskë e zbrazët nëse nuk përfshin shërbimet publike, strehimin social dhe fondet për të siguruar që gratë të largohen nga dhuna në familje dhe dhuna në vendin e punës”.

Gjithashtu zgjidhja nuk do të jetë një feminizëm që promovon një qasje individualiste ndaj “thyerjes se tavanit të qelqit” që i pengon gratë të përparojnë, pa i marrë parasysh të drejtat sociale, ekonomike dhe politike të grave në mënyrë sistematike. Fundja, siç edhe ka vënë në dukje Bhattacharya në një intervistë aktuale për The Dig, “tavani i qelqit është edhe tavan klasor” (the glass ceiling is also a class ceiling). Në vend që të ndjekim modele që vijnë nga veriu i globit, ne duhet ta zgjerojmë lëvizjen tonë feministe duke u solidarizuar me organizatat dhe lëvizjet që vijnë nga jugu global, e jo të bëjmë përpara drejt e në eksploatim nga kapitali.

Ndoshta ne do të mund të përmbledhim guximin dhe solidaritetin për ta bërë këtë, dhe mund të fillojmë vitin e ardhshëm duke organizuar një grevë të përgjithshme për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Atë ditë, ju bëj thirrje që të jeni kreativë në grevën tuaj: edhe skur mund të refuzoni punën së bashku me sindikatën tuaj,  apo të bojkotoni punën sa jeni ulur në ndonjë zyrë. Ju bëj thirrje që të refuzoni të pastroni dhe të gatuani, ju bëj thirrje që të refuzoni të bëni punë emocionale për njerëzit rreth jush. Vetëm shikoni se çfarë do të ndodhë atëherë. Bota do të ndalet, të paktën për një ditë.

 

Mendimet e shprehura në këtë seksion janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.