Foto: Agon Sinanaj

“A hahet asfalti”?

Mbi 70 fshatra në Dukagjin – Pejë, Deçan, Gjakovë – nuk kanë ujësjellës, përderisa, pothuajse një pjesë e madhe e fshatrave është në rrezik nga epidemitë për shkak të mungesës së sistemit të kanalizimit.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës është duke prioretizuar ndërtimin e një autostrade një miliardëshe mbi tokat e Dukagjinit.

 Nëse ndërtohet Autostrada e Dukagjinit, banorët e fshatit Maznik do ta kenë larg trasenë e autostradës jo më shumë se dhjetë kilometra. Por ky fshat i thellë i Komunës së Deçanit nuk ka as ujësjellës e as kanalizim. 

Secila shtëpi e ka të hapur një bunar prej nga banorët furnizohen me ujë të pijes. Në mungesë të trajtimit adekuat të ujërave të zeza, disa prej banorëve kanë hapur gropa septike, derisa ka edhe raste kur ujërat e zeza derdhen mbi sipërfaqen e tokës, përreth shtëpive.

“Nga ujërat e zeza është rrezik me na ra naj epidemi”, thotë Afrim Tahiraj, banor i Maznikut, i cili ka dëgjuar për Autostradën e Dukagjinit, por kur pyetet për të, nuk shpreh kurrfarë entuziazmi.

“A hahet asfalti, o shoq…a po e shihni, në fshat nuk kemi as ujësjellës, as kanalizim”, ankohet ai.

Afrim Tahiraj, banor i fshatit Maznik

Traseja e Autostradës së Dukagjinit, sipas draftit të projektit, do ta përshkojë një gjatësi prej 91 kilometra dhe do të kalojë nëpër fshatrat e Istogut, Pejës, Deçanit, Gjakovës, e Prizrenit. Vetëm në tri komunat kryesore që pritet t’i lidhë kjo autostradë, Pejë, Deçan e Gjakovë, sipas hulumtimit të BIRN, pa ujësjellës dhe me probleme me furnizim me ujë të pijes janë gjithsej 73 fshatra.

Me gjithë premtimet e papërmbushura të politikanëve, banorët e Maznikut shprehen të indinjuar me investimet miliardëshe që po bëhen në ndërtimin e autostradave. Sipas tyre, më mirë do të ishte që investimet të bëhen në plotësimin e nevojave elementare për ta, siç është ujësjellësi apo trajtimi i ujërave të zeza.

Pas Pavarësisë së Kosovës, prioritet numër një për qeveritë e deritanishme ka qenë investimi i parasë publike në asfalt.

Në vitin 2019 përfundoi autostrada e dytë, ‘Arben Xhaferi’, që e lidhë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut me një kosto prej 800 milionë euro. Në vitin 2013, përfundoi së ndërtuari autostrada “Ibrahim Rugova”, me një kosto prej 900 milionë eurove.

Rinia po ikë nga fshati

Në Maznik, Afrimi merret me bujqësi e blegtori. Prej katër fëmijëve sa ka, dy tashmë kanë ikur për një jetë më të mirë në Gjermani. Ai thotë se të gjithë të rinjtë e fshatit po ikin. Fëmijët e tij janë në mesin e 170,000 personave që e kanë lënë Kosovën në pesë vitet e fundit, apo rreth 10 për qind e popullsisë së përgjithshme

Fshati Maznik në të kalurën është njohur për kultivimin e specit, diku të mbjellura kanë qenë deri 100 hektarë, kurse sot ka rënë në vetëm 1 hektar. Afrimi tregon se nuk është përkrahur nga komuna asnjëherë me subvencione për ta rritur prodhimin. Atij madje nuk i kujtohet nëse dikush në fshat ka përfituar nga komuna qoftë edhe një kacidhe.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), një buxhet prej 25 milionë euro është ndarë me 2018, për të ofruar mbështetje financiare në zhvillimin e bujqësisë. Mirëpo, kjo është shumë pak krahasuar me nevojat. Sipas ekspertëve, Kosova nuk i plotëson as për së afërmi nevojat për grurë, diku vetëm 30 për qind. 

Në anën tjetër, vetëm në vitin 2019, kosovarët paguan 78 milionë euro nga taksat e tyre, për ndërtimin e autostradave.

Mungesa e mbështetjes financiare nga shteti ka bërë që shumë banorë të Maznikut ta lëshojnë vendin.

“Jam duke e pritur vizën për Gjermani”, ndërhyn Avniu, një i ri nga fshati që së bashku me Afrimin, po e shoqëronte ekipin e BIRN. Në fshat nuk ka fare hapësira rekreacioni për të rinjtë, përveç shkollës të cilës ka muaj që po i pikë çatija.  

Shtëpia e shëndetit e këtij fshati, e ndërtuar tash e 12 vite, është jo funksionale dhe e mbuluar nga therrat. Afrimi tregon se ambulanta asnjëherë nuk është funksionalizuar.

Shtëpia e Shëndetit në Manzik. E ndërtuar 12 vite më parë, ajo asnjëherë nuk është funksionalizuar

Të jetosh pa ujë të pijes

Si Mazniku, pa ujësjellës dhe me probleme me ujërat e zeza, janë me dhjetëra fshatra në Komunën e Deçanit. Por zyrtarë nga kjo komunë i kanë thënë BIRN-it, se përveç Maznikut janë vetëm edhe dy fshatra tjera që nuk kanë ujësjellës. 

“Komuna e Deçanit e ka të mbuluar mbi 93% të territorit me ujësjellës në përjashtim të tri fshatrave: Ratish i Ulët, Ratish i Epërm dhe Maznik. Këto tri fshatra janë në përfundim të procedurave tenderuese për fillimin e punimeve ku investitor është CDI-ja së bashku me Komunën”, thuhet në përgjigjen për BIRN, të Zyrës për Informim të Komunës së Deçanit.

Por gjendja në terren sipas hulumtimit të BIRN flet krejt ndryshe. Përveç fshatrave Maznik, Ratish e Epërme, Ratish e Ulët, janë edhe dhjetë fshatra tjera që kanë probleme të theksuara me furnizim me ujë, thonë anëtarë të shoqërisë civile në qytetin perëndimor të Kosovës.

Adem Lushaj, Drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Intelektualëve të Pavarur (SHIP), thotë se gjatë takimeve që kanë pasur nëpër fshatra, ka rezultuar se janë gjithsej 14 fshatra në Komunën e Deçanit që kanë problem me furnizim me ujë të pijshëm.

“Kemi identifikuar se fshati Maznik, Ratish i Poshtëm dhe i Epërm, ishin pa ujësjellës. Por, edhe ujësjellësi i 10 fshatrave (Prejlep, Prekolluk, Irzniq, Gllojan, Shaptej, Gramaqel, Dubravë, Rastavicë, Baballoq, Jasiq i ri), është i punuar jashtë çdo standardi dhe kohë pas kohe, kishte mungesë të ujit. Problem me ujë të pijes ka edhe fshati Strellc”, ka thënë Lushaj.

Ndërsa, sa i përket  kanalizimit, ai thotë se nuk ka pothuajse asnjëri nga fshatrat, përjashto këtu ndonjë lagje me ndonjë zgjidhje të pjesshme.

Ujërat e zeza rrugëve të Maznikut

Marrë parasysh gjendjen e rëndë nëpër fshatra dhe nevojën për investime në bujqësi dhe turizëm malor,  Lushaj mendon se ndërtimi i një autostrade në këtë anë, është shumë pak e rëndësishme për kohën.

“Shumë më ekonomike është investimi në ndërtim të rrugës që lidh Deçanin me bukuritë natyrore, investimet në qendrën e skijimit në Bjeshkë te Belegut, apo në ndonjërën nga vendet turistike të Deçanit,” thotë ai.

“Më mirë të investohet në gjërat bazike nëpër fshatra, se në një autostradë që nuk mund të ketë ndikim aq të rëndësishëm për zhvillimin e komunës sonë”, vlerëson Lushaj. 

Kotradiqi i Pejës i harruar nga institucionet

Në dy komunat tjera të Dukagjinit, Pejë e Gjakovë, që po ashtu, sipas projektit, pritet të lidhen me autostradë, gjendja nuk është aspak më e mirë. Janë gjithsej 59 fshatra pa ujësjellës. 

Vetëm në Pejë pa ujësjellës janë 28 fshatra, në mesin e të cilave edhe fshati Kotradiq, të cilit i ka bërë vizitë ekipi i BIRN.

Avdyl Idrizaj, banor i Kotradiqit, ka treguar se ujësjellësi iu premtohet që 12 vite nga të gjitha partitë. 

“Kur vjen vakti i zgjedhjeve i bijnë do bagera qaty, po kurgjo tjetër”, thotë Idrizaj, familja e të cilit mbijeton nga bujqësia.

Për ujë të pijshëm ai ka hapur një bunar, por nuk e di me siguri të plotë nëse uji është i sigurt. Ndonëse ka të mbjella perime me hektarë të tërë, Idrizaj tregon se asnjëherë nuk është subvencionuar nga komuna, përkundër kërkesave.  

Avdyl Idrizaj ankohet për mungesën e mbështetjes qeveritare për bujqësinë në fshat

“Tre djem i kom, veç mos me mujtë se të tretë ikin prej ktuhit. Djali e ka kry shkollën e punon si kamarier”, tregon Avdyli.

Pyetjes se si e ka pritur lajmin për ndërtimin e një autostrade të re në Kosovë, përkatësisht në Dukagjin, Avdyli i përgjigjet me tone të ngritura: “O burrë, na s’po kem ujë me vaditë, e ti po m’fol për autostradë”.

BIRN ka kontaktuar me Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhirin, për ta pyetur se pse fshati Kotradiq nuk ka ujësjellës, edhe përkundër faktit se ai gjatë fushatës u kishte premtuar banorëve se do t’ua ndërtonte një të tillë me ta marrë mandatin.

“Në Kotradiq, ndërtimi i ujësjellësit ka nisë që 7 vite, jemi duke punu ende”, është përgjigjur Muhaxhiri. Ai ka thënë se ka rezistencë edhe nga ana e banorëve lidhur me atë se ku duhet të vendosen gypat.

Muhaxhiri ka konfirmuar se në Pejë janë 16 fshatra pa ujësjellës në rrafsh, ndërsa edhe 12 tjera në fshatrat e Rugovës.

Fshati Kontradiq në Pejë

Gjendje më e rëndë është në Komunën e Gjakovës. Atje janë gjithsej 31 fshatra pa ujësjellës. Zyrtarja për Informim në këtë komunë, Sentona Macula, ka thënë se të gjitha këto fshatra pritet që gjatë vitit 2019 të inkuadrohen në “KRU Gjakova”, ndërmarrja e ujësjellësit në këtë qytet.

Lekaj: “Autostradën e Dukagjinit nuk mund ta ndalë askush”

Përkundër gjendjes së rëndë nëpër fshatra dhe mungesës së gjërave bazike, siç është ujësjellësi, në kryeqytet politikanët tashmë kanë filluar të “rrahin gjoks” për fillimin e autostradës më të re në Kosovë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në një përgjigje për BIRN, ka thënë se Autostrada e Dukagjinit ka kohë që ka marrë rrjedhën e jetësimit të saj dhe tashmë sipas tij fati i këtij projekti nuk lidhet me rënien e Qeverisë dhe paralajmërimet për zgjedhje të reja.

Sipas tij, nga buxheti i Kosovës janë ndarë mbi 1 milion euro për projektimin e saj, proces ky që tashmë është drejt përfundimit dhe kjo i hap rrugë procesit të tenderimit për të zgjedhur kompaninë që do të kryej punën.

“Edhe 1 milion të tjera janë të parapara për të filluar puna në ndërtimin e autostradës së Dukagjinit. Për herë të parë kanë përfunduar edhe dëgjimet publike, me ç’rast kjo autostradë ka marrë dritën jeshile edhe nga qytetarët e komunave nëpër të cilat kalon kjo autostradë”, ka thënë Lekaj.

Ai ka shtuar se Autostrada e Dukagjinit, është pranuar në Kuvend kur është votuar buxheti, si dhe në Qeveri kur është marrë vendimi për krijimin e komitetit ndërministror.

Në anën tjetër, ky projekt deri më tani ka përplasur akterë jo vetëm pozitë-opozitë, por edhe zyrtarë brenda koalicionit qeverisës. Kundër këtij projekti tashmë janë deklaruar zyrtarë nga  Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate kurse nga opozita, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas asaj që kanë deklaruar deri më tani zyrtarët qeveritarë, Autostrada e Dukagjinit do të kushtojë mbi 1 miliardë euro. 40 për qind e autostradës 91 kilometërshe të propozuar aktualisht është e vendosur në tokë që është në pronësi private, duke rezultuar në një kosto tepër të madhe shtesë për shpronësimin e saj.

Autostrada Prishtinë-Shkup, Valdrin Xhemaj

Zyrtarë të shumtë kanë vlerësuar se shpronësimi i tokave për të ndërtuar autostradën e Dukagjinit pothuajse do ta dyfishojë çmimin final të ndërtimit të autostradës, duke arritur mbi 1 miliard euro. 

Kjo nënkupton se taksapaguesit e Kosovës, me shumë gjasë do të paguajnë 11 milion euro për çdo kilometër të autostradës.

Me paratë e vetëm një kilometri autostradë, banorët e Maznikut e Kotradiqit, do të bëheshin me ujësjellës.

 Autor: Agon Sinanaj