A e ka ndryshuar Thaçi retorikën e tij?

Diskursi i Thaçit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ka ndryshuar. Tani, ai haptazi e quan me emrin serb ‘Zajednica,’ i cili është përdorur fillimisht nga partia opozitare e Vetëvendosjes.

“Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëputje të pjesës veriore të Kosovës dhe nuk ka Republika Srpska,” ka thënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një konference të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, të mërkurën.

Presidenti beson se dialogu me Serbinë do të jetë situatë “win-win”, ku të dyja palët kanë përfitime të njëjta. Pavarësisht vijave të kuqe më lart, Thaçi ka vazhduar ta mbështesë idenë qe do ta kërkojë bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, dhe se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ose Thaçi është duke e shitur idenë e ndryshimeve kufitare si njëfarë dermani, ose ai nuk e kupton fort mirë konceptin “win-win” në marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe personi më naiv do ta shtronte pyetjen: çfarë do të fitonte Serbia në këtë skenar?

Ndoshta fjalori i Thaçit nuk ngërthen brenda vetes fjalën kompromis, por të bërat e tij politike janë të stërmbushura me to. Madje, duhet vetëm të kujtohet pavarësia e Kosovës, të cilën ai e ka quajtur kompromis në shumë raste.

Ka mundësi që teoricienët e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ta mbrojnë presidentin. Gjithmonë duhet të shkosh me kërkesa maksimaliste për të pasur avantazh në fund të çdo faze negociatash, mund të thoshin ata.

Por, historia e vonë politike mes Kosovës dhe Serbisë dhe realiteti në terren kanë qenë tejet të ndryshme nga teoria. Duke i qëndruar besnik emrit të luftës, Thaçi lë gjurmë gjarpri në rrugëtimin e tij, duke e formësuar realitetin politik para dhe pas pavarësisë, kur kompromisi gjithmonë ka ngadhënjyer.

Edhe pse Kosova është pavarësuar në vitin 2008, me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin, duke e lexuar deklaratën e mëvetësisë, nuk mund të harrohen kompromiset e bëra në atë proces, të cilat ngrenë pyetje serioze për vetë thelbin e pavarësisë.

Pamundësia për ta formuar ushtrinë e Kosovës për shkak të kundërshtimit të serbëve të Kosovës në kuvend është shembull për pretendimet e fundit të Thaçit―një farsë. Pa dyshim, Thaçi nuk ishte vetëm në këtë proces, dhe të tjerët kanë përgjegjësi për kësolloj kompromisesh në të kaluarën, por roli udhëheqës i Thaçit prapëseprapë mbetet.

Lojë tautologjike apo strategji taktike?

Sikur me pretendime tjera, Thaçi ka ruajtur qëndrim të fortë kur thotë, “Si president, nuk do ta lejoj të instalohet Zajednica në Kosovë”.

Thaçi kurrë nuk e ka quajtur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe “Zajednicë”, e cila është fjalë serbe e përdorur në marrëveshjen për Asociacionin e nënshkruar në gusht të vitit 2015.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, partitë opozitare, e sidomos Vetëvendosje, e kanë quajtur Asociacionin me fjalën serbe “Zajednica”.

Thaçi ishte prej atyre që e kanë kritikuar opozitën për nxitjen e “nacionalizmit” duke e përdorur këtë term, dhe duke i dhënë hije të keqe marrëveshjes duke përdorur fjalë serbe për t’iu referuar asaj.

“Zajednica” do të thotë “bashkësi” në serbisht, dhe si e tillë nuk është fjalë e keqe. Edhe pse nuk është fyese, kur politikanët shqiptarë e përdorin këtë fjalë në gjuhën serbe, kuptohet si inkurajim për shqiptarët e Kosovës të cilët e dëgjojnë që të kenë mospëlqim ndaj kësaj marrëveshjeje.

Në të vërtetë, kjo javë ka vërtetuar se përdorimi i kësaj fjale nga Thaçi nuk ishte lapsus linguae, meqenëse edhe figura tjera udhëheqëse të PDK-së sikur Kadri Veseli, Abelard Tahiri dhe Uran Ismaili kanë përdorur termin “Zajednica” së bashku në paraqitjet e tyre. Që PDK-ja ta përvetësojë një diskurs të përdorur fillimisht nga Vetëvendosja (që më vonë është përdorur edhe nga AAK-ja e NISMA sa ishin në opozitë) është diçka e re.

Kur analizohet fjalori i figurave të PDK-së, mund të kuptohet se kjo nuk është vetëm tautologji, por edhe manovër politike.

Kjo shënon një fushatë të re për ta fajësuar partnerin e atëhershëm qeverisës, LDK-në, apo Isa Mustafën, për nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit në vitin 2015, marrëveshje që vjen prej një marrëveshjeje tjetër mes Thaçit dhe Daçiqit në vitin 2013. Edhe pse Mustafa nuk ishte i vetmi politikan kosovar që e nënshkroi marrëveshjen që nënkuptonte formimin e Asociacionit, ai tani po përdor diskurs për ta fajësuar LDK-në.

Kur në dhjetor të vitit 2015 opozita organizoi protestë brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kundër marrëveshjes për Asociacionin, Thaçi dhe udhëheqësia e PDK-së e akuzuan opozitën për kultivimin e urrejtjes ndaj komunitetit serb të Kosovës. Shpeshherë në diskursin e tyre dëgjohej dënimi dhe kritika ndaj përdorimit të termit “Zajednicë”. Pyetja tani është: përse nuk është më emërtimi “Zajednicë” për Asociacionin fyes ndaj komunitetit serb, pasiqë ka hyrë në edhe fjalorin e tyre?

Paradoksalisht, presidenti dhe zyrtarët e PDK-së duket se kanë harruar që kanë bashkëjetuar në një koalicion me LDK-në, se Thaçi ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme në qeverinë e Mustafës, dhe se ulej përkrah tij në takimet me Federica Mogherinin kur është nënshkruar marrëveshja.

Pasi u bë marrëveshja në Bruksel në vitin 2015, PDK-ja vazhdoi të qeveriste me LDK-në. Nëse marrëveshja e Asociacionit do të hynte në fuqi ashtu si ishte në vitin 2015, nuk do të ishte “në frymën” e Kushtetutës së Kosovës, siç është konfirmuar prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Pasur parasysh këtë, përse vazhdoi PDK-ja të qeverisë me një parti që bën marrëveshje që do ta kishte dëmtuar sovranitetin e Kosovës, dhe do ta kishte krijuar “Zajednicën”?

Kjo e shpjegon përkushtimin e Thaçit dhe udhëheqësve të PDK-së për ta mbrojtur kushtetutën, sovranitetin, dhe integritetin territorial të Kosovës. Por, a mund vërtet të besojmë që një udhëheqësi e re e PDK-së në vitet që vijnë kurrë nuk do ta fajësojë Thaçin për nënshkrimin e një marrëveshjeje të keqe?

Mustafa reagoi ndaj këtyre komenteve të martën, duke e mohuar akuzën e Thaçit dhe duke shpjeguar se në fakt, marrëveshja e vitit 2015 për Asociacionin ka ardhur prej një marrëveshje të ashtuquajtur “historike” që është nënshkruar nga Thaçi në vitin 2013, gjë që është e vërtetë.

Akuzat e ndërsjella janë të parëndësishme, por e tregojnë makiavelizmin e politikës kosovare: prej një mbrojtjeje të palëkundur të marrëveshjes së Asociacionit, pak vite më vonë shohim se eksponentët e njëjtë kanë drejtuar tytat ndaj saj.

A po ndodh kjo sepse Thaçi do ta ridefinojë veten si nacionalist, pas shumë vitesh të përpjekjeve për ta shlyer imazhin e tij gueril, që të shihet si politikan liberal, partner i komunitetit ndërkombëtar?

Edhe pse, këto ditë, hedhja e akuzave ndikon mirë në arritjen e qëllimeve politike, kjo vetëm do ta rrisë mosbesimin ndaj lidershipit kosovar për çdo marrëveshje që bëhet. Për më shumë, kjo lloj gjuhe sërish vjen prej stilit të politikanëve të viteve të 90-ta në Ballkan që përpiqen të nxisin urrejtje etnike.

06 Shtator 2018 - 17:06

Eraldin Fazliu 06/09/2018 - 17:06
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend