A duhet Kosova të marrë shembull Bangladeshin për punësimet partiake?

Pas shpalljes së pavarësisë nga Pakistani në vitin 1971, qeveria e pasluftës në Bangladesh kishte vendosur një rregull – favorizimin në punësim të familjarëve të atyre që luftuan për liri. Ligji, që është në fuqi edhe sot, rezervon 30% të pozitave në shërbimin civil për partinë Awami e cila i priu rezistencës për liri.

Rreth tre mijë vende pune shpallën të lira çdo vit në shërbimin civil të Bangladeshit, por 30% e tyre janë të rezervuara për familjarët e veteranëve të luftës. Pjesa tjetër e vendeve të punës shpërndahet në bazë të meritave në një proces konkurrues.

Kritikët thonë se lista me emrat e veteranëve të luftës është ndërruar gjashtë herë që nga përfundimi i luftës, përderisa shumë certifikata të veteranit janë falsifikuar ose marrë me ryshfet. Në një vend me papunësi të lartë, kuotat për punësime partiake kishin nxit një valë të madhe të protestave në pranverën e vitit që shkoi.

Të rinjtë po kërkonin që 90% e punësimeve në këto pozitave të bëheshin në bazë të meritave. Për t’i qetësuar protestuesit, Qeveria e Bangladeshit kishte premtuar heqjen e kuotave dhe fundin e punësimeve partiake.

Në Kosovë nuk është folur ndonjëherë për kuota partiake për punësime në institucionet publike, por sikurse në Bangladesh, punësimet jo-meritore në bazë të lidhjeve familjare e partiake kanë ndodhur që nga paslufta. Ngjashëm sikurse në Bangladesh, krerët e shtetit vazhdimisht kanë premtuar luftimin e nepotizmit. Si hap konkret, ata kanë nënshkruar një marrëveshje me Ambasadën e Britanisë përmes së cilës një firmë e huaj do të ndihmonte në përzgjedhjen e personave meritor në pozita të larta drejtuese.

Nëse në krye të institucioneve do të vinin persona meritor, ata do të ndikonin direkt në instalimin e meritokracisë. Prandaj marrëveshja në veçanti synonte përzgjedhjen meritore të anëtarëve të bordeve, sekretarëve të përgjithshëm dhe krye shefave ekzekutiv. Tri vjet më vonë, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se emërimet e kandidatëve të pakualifikuar nuk kanë të ndalur.

‘Një qasje e tillë që penalizon profesionalizmin në favor të nepotizmit po shkatërron institucionet’ – tha ai në një tryezë të përbashkët me Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin. Institucionet e Kosovës nuk po e respektojnë marrëveshjen dhe si duket projekti po shkon drejt dështimit.

Por kjo nuk do të ishte është hera e parë. Atëherë kur nisi projekti i britanikëve, u shua një projekt tjetër vendor, i cili po ashtu kishte për qëllim punësimin e kuadrove profesionale në pozita të larta në institucionet e Kosovës. Quhej ‘Fondi i Trurit’.

Pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria kishte krijuar një fond special buxhetor për të tërhequr ekspertë të fushave deficitare për të punuar për institucionet publike. Projekti parashihte kritere strikte të përzgjedhjes dhe rekrutim transparent. Për shkak se ishin kuadro deficitar, përfituesit e fondit do të paguheshin nga 800 deri në 1,800 euro në muaj.

Në fillim nisi mirë, por brenda pesë viteve fondi u shndërrua nga një fond për ekspert në fond për anëtarë partie. Shumica e përfituesve nuk kishin as shkollim të avancuar universitar e as nuk ishin kuadro deficitare. Në vitin 2015, fondi u shua përfundimisht.

Nepotizmi – favorizimi në punësim për shkak të lidhjeve familjare, apo kronizmi – favorizimi për shkak të miqësisë, më e pakta janë veprime jo-etike, ngase punësohen familjarë dhe miq në pozita të cilat ata/ato nuk i meritojnë për shkak se iu mungojnë kualifikimet dhe shkathtësisë e nevojshme, e që nënkupton mohimi i të drejtës së personit që e meriton.

Kjo, përveç se është padrejtësi, ndikon negativisht edhe në kualitetin e shërbimit dhe ul produktivitetin në ato institucione. Por, veprimet e tilla jo vetëm se janë jo-etike, janë edhe veprime që bien në kundërshtim me një varg ligjesh në Kosovë.

Asnjë qeveri deri më sot nuk ka treguar vullnet për ndaljen e nepotizmit. Përkundrazi, informatat që sinjalizuesit dhe gazetarët po nxjerrin në publik kohët e fundit, dëshmojnë se punësimet partiake janë bërë normë e jo përjashtim.

Nëse Kosova refuzon modelin e Britanikeve për punësime meritore, dhe punësimet partiake nuk kanë të ndalur mos duhet shikuar kah modeli i Bangladeshit – ku familjarët e partive në pushtet i kanë disa vende të rezervuara por në vendet e mbetura rekrutohen persona në bazë të meritave?

Modeli i Bangladeshit ndoshta nuk përputhet shumë me modelin e Bashkimit Evropian, por as punësimi i katër fëmijëve nga vet drejtori i bordit nuk është në frymën e acquis communautaire. Diçka duhet të ndryshojë. Vetëm status quo-ja nuk është opsion.