96 vetura të IPK-së në servis

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi në prokurim të bëra nga Ministria e Punëve të Brendshme, pasi nuk ka kërkuar deklaratë nga biznesi me shkrim për tenderin me çmime jo-normalisht të ulët.

Sipas Ligjit dhe rregullave të zbatueshme të Prokurimit Publik, në rast se një tender (apo një pozicion i tenderit) duket të jetë jo normalisht i ulët, Autoriteti Kontraktues (AK) duhet të kërkoj me shkrim nga Operatori Ekonomik një deklaratë e cila përfshinë një zbërthim të detajuar të pjesëve relevante të tenderit dhe e cila përfshin një shpjegim për çmimin e ultë duke përdorur formularin standard të miratuar nga KRPP-ja “Shkresa standarde për tenderët jo-normalisht të ulët”. Një gjë të tillë nuk e kishte bërë MPB-ja.

“Në kontratën e nënshkruar ”Mirëmbajta dhe servisimi i automjeteve të IPK-së” në vlerën prej 59,835€, OE fitues kishte ofertuar me çmime jo normalisht të ulëta për disa artikuj. AK nuk kishte kërkuar deklaratë me shkrim nga OE, në lidhje me çmimet e ofruara. Sipas deklarimeve të zyrtarëve, nuk është parë e nevojshme dërgim i shkresës standarde për tenderët jo-normalisht të ulët nga ana e AK tek OE”, thuhet në raport.

Rreziku në këtë rast është se ofertimet e artikujve me çmime jo normalisht të ulëta, mund të kenë qenë përcaktuese në dhënien e kontratës, duke rrezikuar eliminimin nga konkurrenca të operatorëve tjerë që kanë ofertuar me çmime normale të tregut. Mos ndjekja e procedurave të duhura të prokurimit dhe udhëzuesve përkatës, mund të rezultojë në mos-gatishmërinë e OE për të furnizuar entitetin me artikujt e kontraktuar.

Gjetja e ZKA-së, thotë se servisimi dhe riparimi i automjeteve varësisht nga prishjet për të cilat janë dërguar në Flotën e Policisë, sipas rregullave të tyre duhet të kryhet brenda një periudhë optimale 1 deri në 3 muaj.

ZKA ka vërejtur se menaxhimi me flotën e automjeteve e PK-së ku bëhet servisimi dhe riparimi i automjeteve vazhdon të jetë ende i dobët, vazhdon të ketë vonesa të stërzgjatura në riparimin e automjeteve, ku një numër i tyre ishin në pritje për riparim që nga viti 2016.

Numri i automjeteve që presin për riparim janë: 16 automjete nga viti 2016, 35 automjete nga viti 2017 dhe 45 të vitit 2018.

“Arsyet e pritjes kaq të gjatë për riparim të automjeteve sipas zyrtarëve të flotës janë: mungesa për një kohë të gjatë e kontratave për furnizim. Shumica e automjeteve në pritje janë të prodhuesit Volksëagen ku PK nuk ka pasur kontratë për furnizim që nga 19.09.2015, pavarësisht se një kontratë ishte lidhur me 15.03.2017 dhe pas kërkesave nga personeli i flotës për furnizim me pjesë, ata nuk kishin marrë furnizimet të cilat do t’i bënin funksionale këto automjete, vjetërsia e automjeteve, numri i vogël i stafit etj”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori tregon se rreziku i kësaj është se dobësitë në menaxhimin e flotës së automjeteve, reduktojnë kapacitetin operativ të PK-së për të ushtruar pa pengesë aktivitetet e përditshme.

Një e gjetur tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditorit është edhe avanci prej 33 mijë e 948 eurove e cila ishte bartur nga viti 2010, avanc ky i cili figuron si i hapur në Ministrinë e Financave ndërsa MPB dhe PK e kishin raportuar si të mbyllur.

“MPB kishte paraqitur në PFV avance të hapura në vlerë prej 68,929.61€, prej të cilave 33,948.61€ kishin të bënin me avance të bartura që nga vitit 2010. Sipas zyrtarëve të MPB-së dhe PK-së, këto avance figurojnë si të hapura në MF por entiteti akoma nuk ka arritur t’i identifikoj se për cilat avance bëhet fjalë, dhe sipas të dhënave të MPB, të gjitha avancet figurojnë të mbyllura”, thuhet në raport.

Nga dëshmitë e siguruara PK dhe MPB kanë kërkuar disa herë nga Ministria e Financave informata për vlerën prej 33,949€ e cila sipas zyrtarëve të MPB ato do duhej të figuronin si të të mbyllura, por ende nuk kanë arritur që me MF ta zgjidhin këtë problem.

Sipas auditorit rreziku në këtë rast dhe mos-mbyllja e avanceve të hapura rrit rrezikun që mjetet e shpenzuara të mos jenë përdorur për qëllimin e paraparë.

Një gjetje tjetër e auditorit ishte edhe një shumë prej 11 mijë e 290 eurove e cila sipas raportit është regjistruar gabimisht në sistemin elektronik.

“Ne kemi vërejtur se në pesë raste, vlera e gjobave mandatore të paraqitura në regjistër nuk është e njëjtë me gjobën që ju ka shqiptuar shkelësve të ligjit, por është paraqitur vlera më e lartë bazuar në nenit përkatës të ligjit. Vlera e këtij gabimi ishte 11,290€. Kjo ka ardhur si pasojë e futjes së gabueshme të informatave në sistemin elektronik, pasi që ndërlidhja elektronike e dënimeve me regjistrin është bërë bazuar në nenet e ligjeve të cilat parashohin maksimumin e gjobave, e jo në bazë të shumës së gjobave që janë shqiptuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rreziku i kësaj çështjeje është se regjistrimi i shumës së dënimit mandator sipas kufirit më të lartë të dënimit që parasheh ligji, dhe jo sipas shumave në bazë të të cilave janë shqiptuar dënimet, paraqet rrezik që PK të paraqes shuma të cilat nuk janë të sakta dhe të njëjtat të japin informata çorientuese në PFV.