400 Mijë Euro Shpenzime të Ambasadave - Pezull

Misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës, MDK, e posaçërisht ato që operojnë jashtë eurozonës, vazhdojnë të sjellin fatura të cilat Ministria e Punëve të Jashtme, MPJ, nuk ua pranon për shkak se nuk respektojnë udhëzimet administrative që rregullojnë shpenzimet.

Sipas MPJ-së, këto shpenzime përfshijnë periudhën prej vitit 2008 e deri në 2011, dhe në mesin e tyre ka shpenzime të rregullta por që nuk kanë arritur të regjistrohen në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, SIMFK.

Këto shpenzime përfshijnë pagesa shtesë të qirave të ambasadave dhe konsullatave për shkak të ndryshimit të kursit të valutave për misionet që gjenden jashtë eurozonës.

MDK-ve nuk iu janë pranuar pagesa për sigurime shëndetësore meqë ambasadat kishin krijuar kontrata me disa kompani të cilat nuk ishin të thirrura nga MPJ-ja për të ofruar këto shërbime.

Po ashtu, ambasadave nuk u ishin aprovuar shpenzime pas blerjes së inventarit pasi që ato ishin bërë pa procedura të prokurimit.

Këto çështje ishin nënvizuar edhe në raporte të viteve të kaluara nga Auditori i Përgjithshëm që, për çdo vit, jepte rekomandime për përmirësimin e performancës sa i takon financave.

Edhe pse MPJ kishte adresuar një numër të këtyre rekomandimeve, vërejtjet janë paraqitur edhe në raportin e auditorit për këtë ministri për vitin 2011.

Raporti tregon se MDK-të kanë krijuar shpenzime operacionale në vlerë prej 386.089 eurosh pa  dhe ato nuk janë aprovuar nga MPJ.

“Dua të theksoj se deri në kohën sa ishim në auditim, sipas raporteve financiare të MPJ-së, vlera e këtyre shpenzimeve për muajt e parë të vitit 2012, ishte ulur dukshëm”, Ilir Abazi, auditor në ZAP i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Abazi po ashtu shtoi se mungesa e stafit në departamentin e financave të MPJ-së ka shkaktuar vonesa në regjistrimin e shpenzimeve nga ana e MDK-ve.

 “Kushtet që i kemi parë, ku punojnë vetëm dy veta në regjistrimin e shumë raporteve, kanë bërë që të ketë vonesa në futjen e shpenzimeve në sistem”, tha Abazi.

MPJ-ja ka krijuar kohë më parë një komision që do të merret me këto shpenzime dhe varësisht prej rekomandimeve nga ky komision do të veprohet për aprovim apo mos aprovim të tyre.

“Për të gjitha Misionet Diplomatike përdoret e njëjta procedurë”, tha zyra për informim e MPJ-së.

Ministria tha se gjatë vitit komisioni do të kryejë këtë procedurë dhe se do të regjistrohen të gjitha shpenzimet për të cilat kanë siguruar dokumente shtesë duke bërë të zvogëlohet kjo shumë.

Po ashtu, MPJ-ja do të nxjerr edhe një udhëzim tjetër administrativ që do të trajtojë çështjen e pagesave të qirave për ndërtesat e ambasadave dhe konsullatave që gjenden jashtë eurozonës.
Ky udhëzim do të nxjerr proporcionin e dallimit të ndryshimit të kursit valutor në fillim të muajit dhe kështu pret që këtë çështje ta rregullojë.

USB për Lobim

Një nga shpenzimet e MPJ-së, sipas raportit të auditimit për vitin 2011, kishin qenë edhe rreth 10 mijë euro për të blerë 550 USB të formatit të vizitë kartave të cilat shfrytëzohen për promovimin e Kosovës dhe u shpërndahen si dhurata përfaqësuesve të niveleve të ndryshme të shteteve të huaja.

“Këto USB janë konceptuar si një lloj kartele promovuese e Kosovës, pasi që si për nga pamja e jashtme (në të janë të shtypura flamuri i Republikës së Kosovës si dhe elemente tjera që e përfaqësojnë shtetin e Kosovës), por edhe përmbajtja e materialeve promovuese në brendësi (fotografi, video-spote dhe materiale të tjera) për të gjithë personat të cilëve iu janë shpërndarë u kanë ofruar një imazh dhe pasqyrë të veçantë, shumë afirmative të Kosovës”, tha zyra për informim e MPJ-së.

Një USB e tillë ka kushtuar 17.80 euro dhe ato janë të madhësisë prej 4 gb. Vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 9.790 euro.

“Duke pas parasysh rezultatet pozitive që janë vlerësuar se janë arritur përmes këtyre USB-ve, pas shpërndarjes së kontingjentit të parë të tyre, janë kërkuar kontingjente shtesë me të njëjtin qëllim, që të shërbejnë si materiale promovuese për Kosovën para përfaqësuesve të huaj”, shpjegon MPJ.