35 Vjet për Vrasjen në Banjë të Malishevës

Trupi gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendas, i kryesuar nga njëri gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit e dënoi Emin Krasniqin me 23 vjet burgim për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe lëndimit të rëndë trupor, ka njoftuar EULEX-i.

Durim Krasniqi u shfajësua për vrasje të rëndë, ndërsa u dënua me një vit burgim për veprën penale: mbajtje e paautorizuar e armëve në pronësi, në kontroll, në posedim apo në përdorim.

Berat Krasniqi u dënua me një dënim të përgjithshëm prej shtatë vjet e pesë muaj burgim për dy pika të akuzës: lëndim i rëndë trupor dhe mbajtje e paautorizuar e armëve në pronësi, në kontroll, në posedim apo në përdorim.

Astrit Krasniqi dhe Hazir Krasniqi u dënuan me nga dy vjet burgim secili për veprën penale: ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Të akuzuarit janë akuzuar në lidhje me vrasjen e Skender Limajt në fshatin Banjë të Malishevës në janar 2011.  Po ashtu, gjatë këtij incidenti qenë plagosur edhe pjesëtarë tjerë të familjes Limaj.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror vendas i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Aktakuza:

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkonte Emin, Durim, Berat, Astrit dhe Hazir Krasniqin se më 1 janar 2011 në fshatin Banjë të Malishevës, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake me familjen Limaj, duket për shkak të përkatësive të ndryshme politike, në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore. Sipas aktakuzës dyshohet se Emin dhe Durim Krasniqi, kishin shkuar në restorantin “Kështjella”, ku Skender Limaj po shikonte TV-në me të afërmit, me ç’rast Emini me shufër e godet disa herë në kokë e trup tani të ndjerin Skender Limaj, derisa Durimi shtie me armë zjarri dhe e qëllon atë për vdekje. Të dy Krasniqët akuzoheshin për bashkëkryerje të vrasjes së rëndë.

Ndërsa Berat Krasniqi, sipas aktakuzës, ngarkohej për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor, për gjuajtje me armë zjarri në drejtim të Ilir Limajt, i cili ishte plagosur në këmbë.

E, Astrit dhe Hazir Krasniqi, akuzoheshin se kanë ndihmuar të pandehurit e tjerë, duke i dërguar me veturë në vendin e ngjarjes, duke bërë roje dhe i udhëzuar përmes telefonave.