32 Vjet Burgim për Vrasjen e Biznesmenit Ferizajas

Enver Neziri është dënuar me 19 vjet burgim, djali i vëllait të tij Muharrem Neziri është dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa dy vëllezërit tjerë të Enverit, Ekremi dhe Heseti me nga 1 vit burgim.

Ata u dënuan për vrasjen e Brahim Veselit më 18 shkurt 2010, teksa ai po shkonte me makinë drejt shtëpisë së tij. Atë ditë kur u vra biznesmeni ferizajas, në të njëjtin sulm qenë plagosur edhe dy djemtë e tij.

Ne fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor kanë qenë të akuzuar edhe dy vëllezërit e Muharrem Nezirit, Besimi dhe Shukriu. Por prokuroria e shtetit pati hequr dorë nga ndjekja penale e tyre, në mungesë te provave.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Ferizaj-Greme dhe i gjithë kontesti, sipas aktakuzës së prokurorisë ka qenë për shkak të një prone.

Në momentin e shpalljes së aktgjykimit, policia ka rrethuar të akuzuarit tashmë të dënuar, për shkaqe sigurie.

Gjykimi është përcjellë me tensione, ndërsa gjatë muajit prill, në ditën kur parashikohej të mbahej seanca e këtij rasti, është kapur një person që tentonte të futej në gjykatë me plumba të revoles.

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi në arsyetimin e aktgjykimit tha se janë shqyrtuar provat relevenate dhe ka pasur ekspertiza të shumta në këtë rast.

Ndërsa avokati i të dënuarve, Bahtir Troshupa, pas aktgjykimit tha se e kundërshton në tërësi këtë aktgjykim, sepse sipas tij prej fillimit ka pasur shkelje esenciale të ligjit.

“Si Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ashtu edhe tash kjo themelorja në Ferizaj kanë bërë shkelje të ligjit me rastin e zhvillimit të hetimeve. Po ashtu edhe gjykata nuk ka bërë vërtetim të plotë të gjendjes faktike në këtë rast”, tha Troshupa.

Lënda e këtij gjykimi nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë është kthyer në Gjykatën Themelore të Ferizajt, kur në janar u riorganizuan gjykatat e Kosovës.

Ky është dënimi më i madh i shqiptuar në Gjykatën Themelore në Ferizajt, që nga ky  riorganizim.