20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, ende asnjë i dënuar

Në mesin e mijëra personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë janë edhe vëllezërit Bytyqi, tre shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane të cilët u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, deri sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë krim.

Përpos institucioneve të Kosovës, kjo vrasje ka qenë pikë presioni e ShBA-së ndaj Serbisë, pasi Amerika kërkon me ngulm që të ketë epilog lidhur me vrasjen e shtetasve të tyre.

Zbardhja e rastit të arrestimit, vrasjes e më pas zhdukjes së vëllezërve Bytyqi ende po vazhdon të jetë sfidë në vete si për institucionet vendore ashtu edhe për ato ndërkombëtare.

Sot në 20 vjetorin e vrasjes së tyre, familja Bytyqi përmes një video të shpërndarë në mediat sociale po bën apel për zbardhjen e vrasjes së tre vëllezërve duke kërkuar kështu edhe përkrahjen e qytetareve.

“Deri sa të shërbehet drejtësia: një premtim për vëllezërit Bytyqi”, quhet video të cilën familja Bytyqi u ka kërkuar qytetarëve që ta shpërndajnë në mënyrë që të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së vëllezërve të tyre.

Si u vranë Vëllezërit Bytyqi?

Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.

Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç’rast edhe u arrestuan menjëherë.

Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.

Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.

Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo. Duart e tyre ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga vrasja e tyre edhe përkundër përpjekjes së vazhdueshme të SHBA-ve të cilët vazhdimisht kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti, deri në këto ditë nuk ka ndonjë person të dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Në kuadër të përpjekjes për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Kongresi Amerikan përmes miratimit të një rezolute ka kërkuar nga Serbia, masa konkrete për zgjidhjen e këtij rasti, në të kundërtën i është thënë Serbisë se mund të dëmtohen marrëdhëniet diplomatike.

Madje zyrtaret e lartë amerikanë, po thuajse sa herë janë takuar me zyrtarët serb ua kanë përmendur atyre ketë çështje duke u kërkuar zbardhjen e rastit.

Gjatë këtyre takimeve Vuçiq vrasjen e vëllezërve Bytyqi e kishte konsideruar si krim të rëndë dhe kishte thënë se autoritetet serbe janë duke punuar në hetimin e rastit por edhe 20 vite pas vrasjes së tyre deri në ditët e sotme një gjë e tillë ende nuk është arritur.

Gjatë vitit 2018 në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, i ftuar ka qenë Ivan Pajiq, personi i cili pandeh se është dëshmitar okular në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Në një rrëfim ekskluziv për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Ivan Pajiq ka drejtuar akuza drejt zyrtarëve të lartë të Serbisë për mungesën e gjyqit për këtë vrasje.

Pajiq ka thënë se janë vetë ish-kryeministri serb dhe Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, të cilët nuk dëshirojnë që rasti ndaj vëllezërve Bytyqi të zbardhet.

Ivan Pajiq i cili ndonëse ka heshtur për 14 vite, ka deklaruar se nuk ka dashur të flasë për atë çfarë ka parë derisa ia kishin arrestuar babanë i cili kishte qenë i vetmi që e kishte ditur sekretin e tij.

Në rrëfimin e tij, Pajiq thotë se dyshon që babanë ia helmuan në burg për shkak të asaj që dinte për vrasjen e vëllezërve Bytyqi që ishin ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Vuçiq dëshiron që të përfundojë ky rast por ky tjetri (Ivica Daçiq) dëshiron ta lërë anash…Mua ky rast më ka kushtuar me vrasjen ose me kokën e babait tim. Këtu mund të them që Daçiqi është drejtpërsëdrejti i përzier në këtë”, ishte shprehur Pajiq në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Pajiq gjatë intervistës ka rrëfyer se më 9 korrik të vitit 1999 në qendrën e trajnimeve të Xhandarmërisë serbe në Petrovo Sello kishte parë tre civilë dhe tre ushtarë dhe më pas ishte larguar kur njëri nga ushtarët kishte shtënë me armë në njërin civil.

Ivan Pajiq ka rrëfyer ekskluzivisht për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, se si kishte parë të qëllohet një nga vëllezërit ‘Bytyçi’ , duke deklaruar se kjo kishte ndodhur në prani të Goran Radosavljeviq, i njohur me nofkën ‘ Guri’, ish-kolonel i Forcave Speciale të Policisë së Serbisë.

Pas deklaratës së tij të dhënë në Prokurorinë e Serbisë, Pajiq ka deklaruar se ishte përballur me kërcënime të shumta sa që në një rast ai kishte pësuar nga shpërthimi i veturës së tij për të cilin ende nuk dihen shkaqet.

Dy zyrtarë të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme, Sretan Popoviq e Milos Stojanoviq në vitin 2006 u akuzuan për krime që ndërlidheshin me përfshirjen e tyre në ndalimin dhe më pas transportimin e vëllezërve Bytyqi nga Prokuplja në Petrovo Sello, por të njëjtit në mungesë të provave janë liruar në maj të vitit 2012.

Përkundër trysnisë së madhe nga SHBA-të, ndonëse autoritetet serbe i zhvilluan disa hetime lidhur me këtë rast, asnjëherë nuk i vunë para drejtësisë zinxhirin komandues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë,  përfshirë ish-Ministrin e Punëve të Brendshme Vlajko Stojilkoviq, ndihmës Ministrin dhe Shefin e Departamentit të Sigurisë Publike Vlastimir Gjorgjeviq, si dhe komandantin e kampit të trajnimit të operacioneve speciale Goran” Guri ” Radosavljeviq.

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme Vlajko Stojilkoviq vdiq në prill të vitit 2002, pasi që bëri vetëvrasje para se të transferohej në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ku pritej të gjykohej për krime kundër njerëzimit si dhe shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë.

Ndërsa komandanti i kampit të trajnimit të operacioneve speciale Goran ” Guri ” Radosavljeviq raportohet të banojë dhe punojë në Serbi si udhëheqës i një firme këshilluese të sigurisë në Beograd dhe po ashtu është anëtar i një partie politike.

Kurse Vlastimir Gjorgjeviq pas një kohe në arrati, u arrestua në qershor të 2007-ës dhe u transferua në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, me ç’rast pas gjykimit nën akuzat për krime kundër njerëzimit si dhe shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë, fillimisht u dënua me burgim të përjetshëm, më pas dënimi ju zvogëlua në 27 vjet burg e së fundmi dënimi i është reduktuar në 18 vite burgim.

Ky i fundit, Vlastimir Gjorgjeviq ndonëse për disa vite ka qëndruar në arrati dhe asnjëherë nuk  e ka pranuar fajësinë për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, para disa muajve i është drejtuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë me kërkesë për lirimin e tij të parakohshëm nga burgimi.

Sipas informacioneve të cilat i posedon KALLXO.com, Gjorgjeviq kërkesën e tij e ka bazuar në sjelljen e tij të mirë gjatë vuajtjes së dënimit si dhe gjendjen e përkeqësuar shëndetësore.

Lidhur me kërkesën e Gjorgjeviqit për lirimin e tij të parakohshëm nga vuajtja e dënimit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i familjes Bytyqi të cilat kanë nisur disa letra me të cilat e kanë kundërshtuar lirimin e tij.

Letrën e parë ia kanë drejtuar kryetarit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, nga i cili kanë kërkuar që ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

Përmes kësaj letre adresuar kryetarit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, familja Bytyqi i kanë kërkuar këtij Tribunali që ta refuzoj kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

“Ne kërkojmë nga ju që të refuzoni kërkesën e tij (Gjorgjeviqit) për lirim të parakohshëm derisa ai të tregoj shenja të rehabilitimit dhe në thelb të bashkëpunoj me Zyrën e Prokurorit. Këtë mund ta bëjë duke asistuar në identifikimin e varrezave masive si dhe dhënien e një deklarate nën betim për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi”, thuhet në letrën e adresuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar.

Përmes letrës familja Bytyqi thotë se Gjorgjeviqi ishte përgjegjësi kryesor për operacionet policore që u kryen në fund të luftës në Kosovë.

“Policia dhe Ushtria Serbe u bashkuan në një operacion të përbashkët kriminal për të fshehur vrasjet masive të mijëra shqiptareve nga Kosova. Në pjesën me të madhe të këtij operacioni, Ideja për fshehjen e këtyre krimeve ishte e Gjorgjeviqit”, shprehet familja Bytyqi.

Sipas familjes Bytyqi,  Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka gjetur se Gjorgjeviqi ka qenë direkt i involvuar jo vetëm në operacionin e fshehjes së vrasjeve masive por edhe dhënien e urdhrit për gjykimin dhe më pas ekzekutimin e Yllit, Agronit dhe Mehmetit.

“Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka gjetur se Gjorgjeviq disa javë me herët ka qenë në Petrovo Sello në vendin ku janë gjetur kufomat e 75 personave. Për të dashurit tanë Gjorgjeviq ndezi një fije zjarri dhe e hodhi atë drejt në një fushë me naftë”, thotë familja Bytyqi.

Në fund të kësaj letre familja Bytyqi i kërkon Tribunalit që ta refuzoj kërkesën e Gjorgjeviq derisa i njëjti të bashkëpunoj me institucione e drejtësisë dhe të zbuloj vendndodhjen e varrezave të tjera masive pasi që siç thuhet në letër, familjarët e 1092 viktimave të vrara meritojnë mbylljen e plagëve dhe familja Bytyqi meriton të vërtetën!

Ndërsa letrën e dytë familja Bytyqi ia kanë dërguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq nga të cilët kanë kërkuar që të bllokojnë lirimin e Vlastimir Gjorgjeviqit.

Fatos e Ilir Bytyqi përmes letrës së drejtuar presidenteve të Kosovës dhe Serbisë, i kanë informuar presidentët Thaçi dhe Vuçië lidhur me fushatën e tyre dhe nga të njëjtit kanë kërkuar që të reagojnë për të parandaluar miratimin e kërkesës së Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

“Për shumë vite, Presidenti Vuçiq më ka premtuar mua dhe familjen time se ai do të zgjidhë vrasjet e vëllezërve të mi.  Ai mund të filloj ti tregojë botës se është njeri i fjalës duke ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rastin e Vlastimir Gjorgjeviqit. Historia është duke parë”, është shprehur Fatos Bytyqi.

Ndërsa Ilir Bytyqi ka thënë se kjo është mundësi unike për Kosovën që të ndërmarrë veprime konkrete për t’i përmbushur premtimet për zbardhjen e rasteve të të pagjeturve.

“Ne kemi qenë të nderuar nga përpjekjet e shumta që Presidenti Thaçi dhe Qeveria e Kosovës kanë ndërmarrë për të nderuar vëllezërit tonë të rënë. Kosova tani e ka mundësinë unike për të ndërmarrë veprime konkrete për të përmbushur premtimt e vërteta të paqes dhe drejtësisë për familjen tonë dhe familjet e të zhdukurve. Ne ju nxisim që të veproni me shpejtësi”, thotë Ilir Byqtyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit (tre vëllezërve të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999).

Por familja Bytyqi nuk është ndaluar me kaq pasi që përpos këtyre letrave, ata ka filluar edhe një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve si peticion kundër lirimit të parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

ICTY: Mbaje Vlastimir Gjorgjeviq në Burg, quhet iniciativa e filluar nga familja Bytyqi të cilët kërkojnë përkrahjen e popullatës për të adresuar këtë peticion në Tribnal për të kundërshtuar lirimin e parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

Iniciativën për fillimin e këtij peticionin mund ta gjeni në këtë link.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund ti gjeni në këtë link.

08 Korrik 2019 - 17:16

Blerta Iberdemaj 08/07/2019 - 17:16
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend