12 Vjet në Kërkim të Drejtësisë për Shtëpinë

Shukrije dhe Zeqir Berisha së bashku ishin nga viti 1986 deri në vitin 2003 kur Zeqiri ndërroi jetë. Vdekja e bashkëshortit është moment i dhimbshëm veçanërisht kur çifti që e ndan vetëm vdekja kalon dekada krah për krah njëri-tjetrit. Krahas dhimbjes së humbjes së burrit të saj, Shukrijes shpejt iu  desh të ballafaqohet edhe me një problem tjetër- ajo rrezikonte të mbetej pa kulm mbi kokë.

Nga viti, 2004 e deri në një zgjidhje e cila nuk duket në horizont, Shukrie Berisha është duke u ballafaquar në një betejë ligjore më kunetërit e saj për të drejtën pronësore mbi shtëpinë ku jetoi për vite të tëra me burrin e saj.

Shukrija e priti me padurim një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, por kur ai erdhi më 26 prill të vitit të kaluar, e la të pakënaqur. Në kërkim të së drejtës siç ajo e kërkon iu drejtua Gjykatës së Apelit, e nga kjo gjykatë nuk pritet të ketë vendim së shpejti.

Si filloi rrugëtimi i Shukries në gjykatat e Kosovës

Siç ndodh në shumicën e rasteve në familjet shqiptare në Kosovë, shqyrtimi i trashëgimisë bëhet vetëm pas vdekjes së trashëgimlënësit, ndërsa jo rrallë kjo ndodh vite të tëra pas vdekjes së tij.

Trashëgimia e Sofie Berishës, nënës së bashkëshortit të Shukrijes, Zeqirit, nisi të shqyrtohej vetëm në vitin 2004, ndonëse e ndjera Sofie kishte vdekur në gusht të vitit 1996.

Sofie Berisha pas vetes kishte lënë djemtë, Iljazin, Ademin e Zeqirin  dhe vajzat Alijen e Nazlijen, tani të ndjerë.

Me ose pa paramendim, pas vdekjes së bashkëshortit të Shukrijes e djalit të Sofie Berishës, Zeqirit, sipas  një aktvendimi të Gjykatës Komunale të Prishtinës  të datës 24 qershor 2004 që mori formën e prerë të njëjtën ditë, pasuria e paluajtshme e gjendur në  “Nazim Gafurr”,  e përbërë nga një shtëpi prej 57  metrash katrorë dhe oborr 3.76 ari,  u kaloi trashëgimtarëve Adem Berisha, Iljaz Berisha dhe Alije Ashiku.

Pa bashkëshortin e saj, pa fëmijë,  tani e mbetur edhe pa pronë, Shukrije Berishës nuk i kishte mbetur zgjidhje tjetër përpos që për realizimin e të drejtave të saj t’i drejtohej gjykatës.

Albana Kelmendi, avokatja e Shukrije Berishës tregon se betejën ligjore e kishte filluar në vitin 2005.

“Me padi në vitin 2005 i është drejtuar Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe gjykata ka vendosur në favor të paditëses Shukrie Berisha. Ndërsa pastaj Gjykata e Apelit në vitin 2011 e ktheu çështjen në gjykatën komunale, ndërsa procesi filloi tek në vitin 2014,” tha Kelmendi.

Procesi i rifilluar rishtazi në vitin 2014 sipas padisë së Shukrije Berishës, përfundoi nga Gjykata Themelore e Prishtinës në prill të vitit 2016.

Ndonëse iu miratua pjesërisht padia e saj, Shukrie Berisha nuk e mori atë që sipas saj i takonte nga kontributi i saj dhe i burrit të saj të ndjerë Zeqirit.

Duke u thirrur në të drejtën e përfaqësimit të burrit të saj në trashëgimi,  si dhe kontributit të saj dhe të burrit, Shukrie Berisha kërkonte ½ e shtëpisë  në sipërfaqe prej 110.75 metrash katrorë nga sipërfaqja e tërësishme e shtëpisë prej 255.45 metrash katrorë si dhe 1/5 e truallit apo oborrit respektivisht 63 metra katrorë nga sipërfaqja e tërësishme prej 319 metrash katrorë.

Pavarësisht kërkesave të Shukrijes, me aktgjykimin e datës 24 prill 2016 asaj iu njoh e drejta në 1/10-ën e oborrit dhe 1/6-ën e shtëpisë.

http://kallxo.com/gjykata-verteton-pronesine-e-shukrije-berishes/

Çka tha Shukrie Berisha e çka Kunetërit dhe si vendosi gjykata

Sipas padisë së Shukrije Berishës, shtëpia e cila është kontestuese në mes të saj dhe kunetërve, ishte ndërtuar me kontributin e burrit të saj të ndjerë, Zeqirit, i cili ishte profesor në Shkollën Teknike “28 nëntori” dhe me kontributin e vëllait të Zeqirit, tani të paditurit Iljazit, i cili punonte në Gjermani.

Në padi përmendet edhe një kredi për ndërtimin e shtëpisë që Shukrie Berisha thotë që e kishte marrë burri i saj Zeqiri.

Gjithnjë sipas pretendimeve të paraqitura në padi, pasi që Iljazi ishte në Gjermani, Shukrija me burrin e saj Zeqirin kishin jetuar me të ndjerën Sofie për të cilën ishin kujdesur gjersa ishte gjallë.

Shukrie Berisha në padi pretendon se kishte kontribuar për shtëpinë edhe me pagën e saj të cilën e fitonte duke punuar si inkasante.

Ndryshe nga Shukria, kunati i saj Adem Berisha, i cili ishte në cilësinë e të paditurit, në parashtresat e tij me shkrim dhe në seancat e mbajtura ka kundërshtuar kërkesat e paditëses duke thënë se prona ishte në emrin e nënës së tij-të ndjerë Sofie.

Sipas Adem Berishës kontributin më të madh për ndërtimin e shtëpisë e kishte dhënë vëllai që ishte në Gjermani, Iljazi që i vetëm kishte financuar ndërtimin e shtëpisë, ndërsa vetë Adem Berisha tha se kishte kontribuuar në menaxhimin e mjeteve.

http://kallxo.com/motra-dhe-dy-vellezer-kundershtojne-kunaten/

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmendet e thëna se Adem Berisha kishte mohuar kontributin e burrit të Shukrije Berishës,vëllait të tij Zeqirit duke konstatuar se Zeqir Berisha ka punuar me orar të shkurtuar dhe  nuk ka pasur marrëdhënie të rregullt të punës.

Edhe i padituri tjetër, kunati tjetër i Shukrijes, Iljaz Berisha përmes avokatit të tij, Shefki Sylaj e ka kundërshtuar padinë duke thënë se toka kontestuese ishte blerë nga shitja e një paluajtshmërie të familjes në Gjilan, prej nga e kanë prejardhjen, ndërsa shtëpia ishte ndërtuar ekskluzivisht me financimin e tij dhe të askujt tjetër.

Padinë e Shukries në seanca sipas aktgjykimit e kanë kundërshtuar edhe kunata e saj, Alije Ashiku dhe pasardhësit e kunatës të ndjerë Nazlije Berisha.

Pas një procesi maratonik ku pati seanca që u shtynë e edhe seanca të tensionuara, gjykata vendosi që kontributi i të paditurit, kunatit të Shukrijes ishte 70 për qind e investimeve në ndërtimin e shtëpisë, ndërsa kontributi i burrit të Shukrijes ishte 30 për qind.

http://kallxo.com/tensionet-ne-gjykimin-per-shtepine/

Andaj bazuar në Ligjin për Trashëgiminë, gjykata vendosi t’ia njohë pjesërisht të drejtën Shukrijes.

“Në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar, gjykata vërtetoi se kërkesëpadia e paditëses është pjesërisht e bazuar pasi nga provat e administruara gjykata ka konstatuar se paditësja pretendon se të drejtën e pronësisë e ka fituar mbi bazën e trashëgimit të bashkëshortit të saj, i cili duke qenë njëri nga pasardhësit e të ndjerës Sofie Berisha (nëna e bashkëshortit të Shukrije Berishës), ka të drejtën në trashëgimi”, thuhet në arsyetimin e vendimit gjyqësor të 26 prillit 2016.

Kur do të përfundojë ?

Ndonëse kanë kaluar 12 vjet nga koha kur zuri fillin ky kontest pronësor dhe lënda u end disa herë nëpër gjykatat  e Kosovës, rasti është larg nga të përfunduarit. Ndonëse Gjykata Themelore ia njohu pjesërisht kërkesat Shukrije Berishës, ajo e pakënaqur iu drejtua Gjykatës së Apelit duke ushtruar ankesë.

Duke iu përgjigjur interesimit të KALLXO.com për këtë çështje pronësore, zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit Arbër Jashari, nuk jep ndonjë shpresë se kjo lëndë mund të zgjidhet së shpejti.

“Kjo lëndë ka ardhur në Gjykatën e Apelit me 20.09.2016. Është ndarë në  punë me 03.10.2016 dhe pret në radhë për vendosje. Sikurse edhe mund te jeni ne dijeni, Gjykata e Apelit është tejet e ngarkuar me lëndë, ndaj procedimi i shpejtë i tyre është i pamundur,” tha Jashari.

Gjykata e Apelit në 2016-ën sipas të dhënave të paraqitura në konferencën e fundvitit për gazetarë zgjidhi 10534 lëndë, ndërsa i mbetën të papërfunduara 11354, 10 mijë nga të cilat janë lëndë të natyrës civile.

Nga ky numër i lëndëve del se secili nga 34 gjyqtarët e Gjykatës së Apelit duhet të merret me 700 lëndë, ndërsa për të përballuar fluksin e lëndëve duhet që në këtë gjykatë të shtohen edhe 15 gjyqtarë.

Pra, përkundër vullnetit të pathyeshëm që Shukrije Jashari e kishte për këto 12 vjet në procedura gjyqësore,  lënda e saj është vetëm nga njëra prej më shumë 11 mijë lëndëve të pazgjidhura në Gjykatën e Apelit, e kur dihet se kjo gjykatë nëse nuk pajtohet me gjetjet e gjyqtarit të shkallës së parë lëndën mund ta kthejë në rivendosje përsëri në gjykatën themelore, Shukrijes përsëri do t’i duhet të përballet me labirintet e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Se sa gra në Kosovë e kanë guximin dhe mundin për realizimin e një të drejtë themelore të tyre, siç është e drejta në pronë përmes rrugëve gjyqësore dhe sa inkurajues dhe efikas është sistemi gjyqësor i Kosovës në trajtimin e këtyre lëndëve  më së miri e tregojnë të dhënat e publikuara nga raporti i BIRN-it në vitin 2016 për të drejtat e grave në pronë.

Sipas këtij raporti, vetëm 16 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruara në emër të grave e kjo përbën përqindjen më të ulët në rajon.

Pavarësisht të gjitha këtyre, Shukrie Berisha në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com, thotë se do të vazhdojë rrugën e saj e palëkundur deri në fund, derisa drejtësia t’i japë atë që meriton-asgjë më shumë, por edhe  asgjë më pak.

KALLXO.com lidhur me këtë rast ka bërë përpjekje që të kontaktojë edhe me të paditurit, por përkundër përpjekjeve nuk ka arritur të vë kontakt me ta, ndërsa Shefki Syla, avokati i Iljaz Berishës, i kontaktuar përmes telefonit nuk ishte në dispozicion.