Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës, duke ia dorëzuar Raportin 100 ditor të punës, Kryeparlamentarit Kadri Veseli.. || Foto: ZKM

100 Ditë Qeverisje Kanunore

Njëqind ditët e para të qeverisjes Haradinaj, e cila mori aprovimin e Kuvendit më 10 shtator 2017, ishin: 100 ditë vetmi- në aspektin e politikës së jashtme, Haradinaj  ishte Kryeministri më i izoluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës; dhe 100 ditë qeverisje kanunore, ku në aspektin e politikës së brendshme Qeveria Haradinaj u karakterizua me vendime arbitrare dhe pa llogaridhënie.

Në një intervistë dhënë për mediat vendore në fillim të kësaj jave, i pyetur se çfarë mendon se një nga zëvendëskryeministrat kishte gjuajtur me armë nga oda e një zëvendëskryeministri tjetër, Kryeministri deklaroi se është në traditën kanunore të vendit që të gjuhet me armë në oda dhe se nuk është dëmtuar askush. Në muajin tetor të këtij viti, në një intervistë tjetër televizive, Haradinaj deklaroi “se nuk ka ushtarë të UÇK i cili nuk mban armë pa leje, edhe nëse i kontrolloni në vetura mundeni me ua gjetë një”. Madje kërkoi që të propozohet një ligj “si në Amerikë,” me të cilin do të gjobiteshin me 50 euro të gjithë ata që nuk bartin armë (nuk ka ligj të tillë në Amerikë).

Në kohën kur Kryeministri i vendit i bën këto deklarime, institucionet e sigurisë tërë kohën bëjnë thirrje për mosgjuajtje me armë nga rreziku i plumbave qorr. Rasti më i fundit i plagosjes nga një plumb qorr ndodhi në mes të muajit dhjetor 2017 në Prishtinë.  Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime deri në pesë vjet burg për ata që mbajnë armë pa leje, kurse SHBA mban primatin e vdekjeve të shkaktuara me armë zjarri.

Por, qeverisja 100 ditëshe nuk është shoqëruar vetëm me deklarata skandaloze, por edhe me vendime të tilla:

  1. Ramush Haradinaj mori votat e Kuvendit për të udhëhequr qeverinë me 21 ministra dhe pesë zëvendëskryeministra, numër rekord deri më tani në historinë e qeverisjes në Kosovë.
  2. Pak ditë pas emërimit të ministrave, qytetarët filluan të raportojnë se një nga ministrat e Qeverisë Haradinaj kishte torturuar shqiptarët gjatë viteve ’90. Përderisa Haradinaj i cilësoi si të pabaza këto akuza, vetëm trie vjet më parë ai u kishte prirë protestave të cilat kërkonin shkarkimin e ministrit të Qeverisë Mustafa, Aleksander Jablanoviq, për shkak të fyerjeve që kishte drejtuar në drejtim të grave të Gjakovës, të cilat përmes protestave nuk po i lejonin pelegrinët serbë të vizitonin kishën e Gjakovës, duke pretenduar se disa prej të ardhurve kishin bërë krime gjatë luftës.
  3. Tri ditë pasi mori drejtimin e qeverisë, Ramush Haradinaj emëroi këshilltar një të dyshuar për lidhje me krimin, i cili dyshohet për lidhje me rrëmbyesit e një biznesmeni dhe lidhje me personat që kishin vrarë dy policë.
  4. Në ditën e katërt të qeverisjes dhe një ditë pasi një nga mediat kishte shkruar për emërimin e këshilltarit të dyshuar për lidhje me krimin, një deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK, nga ata që Kryeministri i arsyeton që lëvizin me armë pa leje, kërcënoi indirekt me vrasje me plumb në ballë gazetarin Vehbi Kajtazi. Deputeti që kërcënoi u pa disa herë në fushatën zgjedhore në Komunën e Istogut krah Kryeministrit Haradinaj.
  5. Në ditën e katërt të qeverisjes, Kryeministri fyu të gjithë gazetarët duke i cilësuar si të pashkollë, për faktin se nuk i pëlqeu pyetja e një gazetareje për demarkacionin.
  6. Në ditën e gjashtë të qeverisjes, Haradinaj vazhdoi kompletimin e kabinetit qeverisës duke emëruar këshilltar personin e dënuar me nëntë muaj burg me kusht për keqpërdorim të fondit në vlerë prej miliona eurove.
  7. Në ditën e trembëdhjetë të qeverisjes, Kryeministri i kërkoi ministrit të Arsimit që të shkarkojë tërë Bordin e Agjencisë së Akreditimit (Këshillit Shtetëror të Cilësisë) – organ i cili bën licencimin e programeve të arsimit të lartë. Qeveria Haradinaj nuk dha asnjëherë asnjë arsyetim për këtë vendim, përveç asaj se kishin ndodhur parregullsi serioze në të kaluarën, pa i specifikuar se çfarë ishin ato parregullsi. Për herë të parë që nga themelimi, Këshilli Kombëtar i Cilësisë kishte filluar të japë rezultate pozitive, duke refuzuar akreditimin e programeve të atyre universiteteve publike dhe private të cilat nuk plotësonin kushtet për akreditim. Për më tepër, shkarkimi i Bordit ishte joligjor, për faktin se vetëm Kuvendi mund të zëvendësojë më shumë se 1/3 e anëtarëve të bordit.
  8. Në mbledhjen e gjashtë të Qeverisë Haradinaj, u mor vendim për faljen e të gjitha borxheve për ambalazhuesit e ujit. Ky vendim u mor në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, i cili parasheh që shfrytëzuesit e ujit të paguajnë për përdorimin e burimeve natyrore, të cilat janë pasuri e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo e vetëm një grupi biznesesh. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma e borxheve të grumbulluara nga viti 2008 është rreth 51 milionë euro. Kjo është hera e tretë pas vitit 2008 që qeveritë në fillim të mandatit falin borxhet për bizneset. Kjo ka bërë që shumë biznese dhe qytetarë të mos kryejnë obligimet ndaj shtetit, duke pritur vendimin e radhës për faljen e borxheve.
  9. Në mbledhjen e tetë të qeverisë, u ndryshua Rregullorja për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, me anë të së cilës iu bë vend edhe një këshilltari në secilën ministri dhe deri në shtatë këshilltarë shtesë nga radhët e komuniteteve pakicë për Zyrën e Kryeministrit. Pas këtyre ndryshimeve, çdo ministri ka të drejtë të emërojë deri në shtatë këshilltarë, kurse Kryeministri deri në 19 këshilltarë. Me këto ndryshime, numri i këshilltarëve politikë të cilët paguhen nga buxheti i shtetit mund të arrijë deri në 196. Përveç kësaj, Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat mund të emërojnë në total edhe 88 këshilltarë të jashtëm, të cilët nuk paguhen nga buxheti i shtetit.
  10. Me arsyetimin se ka agjendën e ngarkuar, Kryeministri anuloi pjesëmarrjen në ‘Samitin 100’ i cili u mbajt në Shkup më 16 tetor 2017, e në të cilin morën pjesë të gjithë kryeministrat nga vendet e rajonit, përfaqësues të BE dhe shumë afaristë nga Europa Juglindore. Por, “agjenda e ngjeshur” e Kryeministrit më datën 16 tetor tregon për një takim në zyrën e tij me një të akuzuar nga gjykatat për kërcënim për një tender në KEK, Sami Lushtakun; një takim tjetër me deputetin Milaim Zeka, i cili pak orë pas takimit me Kryeministrin u arrestua nga policia nën akuzën për mashtrim të 920 qytetarëve për leje pune në vendet e Europës; një takim tjetër me Bordin e Agjencisë për Privatizim dhe pjesëmarrja në një akademi përkujtimore.
  11. Në mbledhjen e pestë të qeverisë, u mor vendim për shkarkimin e dhjetë anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, kërkesë e Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) që nga muaji shkurt i vitit 2016 për shkak të emërimeve të jashtëligjshme. Qeveria e kaluar nuk e kishte respektuar opinionin e AKK. Por Qeveria Haradinaj e zbatoi pjesërisht këtë vendim, duke shkarkuar vetëm dhjetë nga 19 anëtarët e bordeve për të cilët AKK kishte kërkuar shkarkimin.
  12. Përveç zbatimit selektiv të opinionit ligjor të AKK, Kryeministri shkarkoi edhe Bordin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Përzgjedhja e anëtarëve të bordit të KOSTT bëhet nga Kuvendi, andaj shkarkim i tyre është në kundërshtim me ligjin.
  13. Pas dy muaj qeverisje, Qeveria Haradinaj emëroi anëtarët e rinj të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Për herë të parë në historinë e vendimmarrjes, qeveria mori vendim për emërim pa i bërë publik emrat e të emëruarve. Emrat e anëtarëve të rinj të Bordit u publikuan vetëm disa ditë pas marrjes së vendimit. Por, shumica e anëtarëve të rinj ishin persona politikë që vinin nga radhët e partive politike që përbëjnë koalicionin qeverisës.
  14. Në mbledhjen e trembëdhjetë të Qeverisë, u mor vendim që të ndahen 290 mijë euro për familjarët e të rënëve dhe të dënuarve me burg për konfliktin e Kumanovës. Në muajin maj 2015, disa shtetas të Kosovës kishin marrë pjesë në luftime në qytetin e Kumanovës në Maqedoni, ku mbetën të vrarë 18 persona, 10 nga grupi i armatosur dhe tetë policë. Shumica nga 37 personat e arrestuar u dënuan për terrorizëm. Arsyet e kësaj përleshjeje nuk janë zbardhur ende. Kosova është ndër vendet e pakta e cila e njeh Republikën e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues. Mbështetja financiare për familjarët e personave pjesëmarrës në këto luftime bie ndesh edhe me Ligjin për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Kosovës.
  15. Pas dy muajsh në krye të qeverisë, dhëndri 27 vjeçar i Kryeministrit Haradinaj u përzgjodh në krye të Fondit për Sigurime Shëndetësore, fond i cili do të ketë të hyrat më të larta pas Administratës Tatimore dhe Doganës. Edhe pse emërimi i tij nuk është bërë nga qeveria, duket pak e besueshme se përzgjedhja e tij, pa përvojë të duhur për të menaxhuar fonde milionëshe, të jetë bërë pa ndërhyrjen e Kryeministrit.
  16. Kabineti i Qeverisë Haradinaj, ashtu sikurse përbërjet e mëhershme qeveritare, kanë injoruar punimet e Kuvendit të Kosovës, duke mos marrë pjesë në seanca plenare. Edhe pse së fundmi Kryeministri u ka bërë thirrje ministrave që të marrin pjesë në seancat e Kuvendit, vetë ai nuk ka marrë pjesë në disa nga seancat e para të Kuvendit pas konstituimit të qeverisë.
  17. Për 100 ditë të qeverisjes, Haradinaj zhvilloi katër vizita jashtë vendit: dy në Shqipëri dhe dy në Bruksel. Për të njëjtën periudhë të qeverisjes, tri qeveritë paraprake kishin shumë më shumë takime të nivelit të lartë, si në vizita jashtë vendit, ashtu edhe pritje të vendimmarrësve të rëndësishëm që vizituan Kosovën. Takimi i parë i Haradinajt në Bruksel u shoqërua me tensione, çfarë bëri edhe anulimin e konferencës së përbashkët për media me përfaqësuesen e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
  18. Vendimi i parë i Qeverisë Haradinaj ishte shkarkimi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Demarkacioni ishte pika kryesore e cila solli rrëzimin e qeverisë së kaluar dhe kauzë mbi të cilën u ngrit Ramush Haradinaj në postin e kryeministrit. Komisioni i ri i emëruar nga Qeveria Haradinaj prezantoi raportin me të gjeturat në mbledhjen e 17 të mbajtur më 4 dhjetor. Ramush Haradinaj, së bashku me të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, aprovoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror me Malin e Zi, pa e ndërruar asnjë presje nga përmbajtja e aprovuar nga Qeveria Mustafa në fund të vitit 2015.
  19. Pas demarkacionit, premtimi më i madh i Haradinajt ishte liberalizimi i vizave brenda 90 ditëve të para të qeverisjes. Kur kjo nuk u arrit, Kryeministri dha premtimin e ri për liberalizim në tre muajt e parë të vitit 2018. Por nëse as kjo nuk ndodh, sipas Kryeministrit, gjithsesi liberalizimi do të ndodhë gjatë vitit 2018.
  20. Ajo çfarë e përcolli gati çdo ditë të qeverisjes Haradinaj, ishte emërimi i zëvendësministrave. Në 100 ditë, Qeveria Haradinaj ka më shumë të emëruar në poste ministrore sesa ditë kalendarike në qeverisje. Së bashku me postin e Kryeministrit, pesë zëvendëskryeministrave, 21 ministrave dhe rreth 73 zëvendësministrave, numri i posteve ministrore ka kaluar shifrën 100. Qeveria Haradinaj mban numrin rekord të emërimeve të zëvendësministrave. Këtë rekord deri më tani e mbante Qeveria Mustafa, e cila më 2016 kishte 43 zëvendësministra, kurse qeveria aktuale është në rrugë për ta dyfishuar këtë numër.

Është mjaft e vështirë të kërkosh përgjegjësi dhe integritet nga kjo qeveri, kur barometri etik i Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave që gjuajnë me armë është aq i ulët. Është e vështirë të mbashë këtë qeveri përgjegjëse për përmbushjen e objektivave, kur programi qeverisës i saj është një vazhdimësi e aktiviteteve të qeverive paraprake. Është vështirë të imagjinosh ditë më të mira të qeverisjes, kur 100 ditët e para, të cilat për çdo qeveri janë ditët kur vihen themelet e një mandati të tërë qeverisës, shoqërohen me aq shumë skandale, vendime joligjore e mungesë llogaridhënieje.