Dita Kulturore e Japonisë shënohet në Gjilan

Gjilani shënoi ‘Ditën Kulturore Japoneze’

Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka pritur sot në zyrën e tij shefin e zyrës nga Ambasada e Japonisë në Vjenë, Mitsunori Ogasawara.

Haziri ka falënderuar qeverinë japoneze për renovimin e objektit të shkollës fillore “Esat Berisha”, në fshatin Llashticë të kësaj komune.

Dita e Kulturës Japoneze organizohet për herën e katërt në këtë komunë.

“Japonia është vend mik i yni dhe Gjilani është anëtar i ‘Qyteteve të Paqes’ në Hiroshima në Japoni. Tragjeditë që kemi kaluar na bëjnë bashkë edhe në këto forume. Ne do të punojmë shumë edhe në programe të tjera me qeverinë e Japonisë në interes të qytetarëve”, tha Haziri.

E Mitsunori Ogasawara e vlerësoi  këtë ngjarje si gurëthemel të përparimit të mëtejshëm për miqësinë e dy vendeve.

“Është kënaqësi e madhe të vij në Gjilan dhe të bashkohem me këtë ngjarje të rëndësishme me ju së bashku, si përfaqësues i Ambasadës dhe Qeverisë së Japonisë. Kjo Ditë Kulturore Japoneze në Gjilan tregon interes të fortë të popullit të Kosovës në Japoni. Shumë njerëz po ndjekin ata që kanë qenë në Japoni, mësojnë artetet marciale japoneze. Jam i bindur se ky shkëmbim kulturor do të forcojë marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunuese ndërmjet popullit të Kosovës dhe Japonisë’, ka thënë Ogasawara.

Në objektin e shkollës “Esat Berisha” në Llashticë, është shpalosur edhe pllaka falënderuese për qeverinë japoneze për donacionin e renovimit të shkollës, duke ndikuar në përmirësimin e kushteve për edukim cilësor.