Gjilani Nis Ndihma për Shqipërinë

Komuna e Gjilanit ka ndarë një kontigjen të ndihmave për Republikën e Shqipërisë pas dëmeve të pësuara nga reshjet e fundit.

Këto ndihma janë ndarë nga Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Drejtori Ramiz Ramadani tregoi për llojet e ndihmave që janë nisur për në Shqipëri.

“Ne kemi organizuar grumbullimin e ushqimeve të koncentruara për kafshë dhe sot nga Gjilani po dërgohet një kontigjent prej rreth 14 tonelatash ushqim për kafshë, ndërsa Komuna të tjera kanë mbledhur ushqime dhe veshëmbathje për qytetarë, e kështu me radhë” , tha Ramadani.

Ai po ashtu përmendi bizneset që kanë dhënë kontribut për dërgimin e këtyre ndihmave.

“Së bashku me Drejtorinë e Emergjencave ne kemi arritur që të organizohemi shumë shpejtë dhe dua ti falënderoj të gjitha organizatat bujqësore që kontribuan duke filluar nga “Consoni”, “Rendimenti”, “Gresa”, Mulliri “Alia Comerc” dhe në mënyrë të veçantë e falënderoj kompaninë “Fauna Group”, e cila ka ndarë një kontigjent prej 10 mijë kilogramë me miser kokërr”, shtoi ai.

Në pikën kufitare në Vërmivë, doli sot edhe ambasadori i Shqipërisë, Qemail Minxhozi, i cili falenderoi të gjithë ata që kanë ndërmarrë këto hapa të mbështetjes për qytetarët të cilët janë të përfshirë nga vërshimet në Vlorë, Fier, në qytete dhe vendbanime të tjera.

Ai ka thënë se janë kontigjente nga Gjilani, Peja, Malisheva, Vitia, Prizreni dhe qytete të tjera me gjithsej 15 maune me ngarkesë që po shkojnë drejtë Shqipërisë, gjithashtu ka bërë të ditur që është duke vazhduar ky aksion.