Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilani mbështet fushatën kundër dhunës në familje

Me moton “Dhuro buzëqeshje, fal dashuri”, sot është shënuar aktiviteti kundër dhunës në familje në Gjilan, duke promovuar tolerancën në familje dhe ngritjen e pozitës së gruas në shoqëri, si pjesë e barabartë e shoqërisë.

Sipas një njoftimi për medie, në këtë aktivitet gjithashtu është potencuar se dhuna ndaj gruas është shkatërrimtari i fuqishëm i familjes dhe njëkohësisht edhe i shoqërisë.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë se dhuna në familje është një dukuri shqetësuese me të cilën duhet të merremi të gjithë bashkërisht.

“Komuna e Gjilanit, kryetari i Komunës, Kuvendi, Mekanizmi Kundër Dhunës në Familje, zyrtarët për të drejtat e njeriut dhe shoqëria civile, janë vazhdimisht të angazhuara për një shoqëri të barabartë dhe për perspektivë më të madhe për gratë. Kjo është një detyrë e jona e përbashkët që nga bashkëshortët, institucionet e deri te shoqëria, që të kujdesemi për pozitën më të mirë të raporteve burrë-grua, sepse vetëm me eliminimin e dhunës në familje mund të shënohen hapa të ecjes përpara dhe promovimin e vlerave të mirëfillta”, ka thënë mes tjerash kryesuesja Kurteshi-Emini.

Ndërkohë, mbrëmë para publikut gjilanas është mbajtur shfaqja teatrale “Drejt Paqes”, e cila është përgatitur me regji dhe skenar të Qëndrim Kqikut dhe ka trajtuar gjendjen aktuale të rinisë në përgjithësi dhe raporteve që kalojnë në familje gratë të cilat preken nga dhuna në familje.