Takimi mes kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri dhe regjisorit Jasmin Rexhepi, Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilani fillon në vitin 2019 me 'Anamor Music Festival'

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim regjisorin e njohur gjilanas me famë botërore, Jasmin Rexhepi, i cili jeton dhe vepron në Islandë.

Haziri e ka përgëzuar Rexhepin për sukseset e mëdha që ka treguar në fushën e artit në botë.

Nga ana e tij, regjisori Jasmin Rexhepi e ka prezantuar idenë e mbajtjes së festivalit të muzikës ‘Anamor Music Festival’, i cili parashihet të nis për herë të parë në Gjilan, në verën e vitit 2019.

Kryetari Haziri e ka përkrahur idenë e Rexhepit, duke shfaqur zotimin se komuna e Gjilanit është e gatshme ta mbështesë me të gjitha kapacitetet.

Ai tha se Gjilani duhet ta ketë një brend të festivalit të natyrës së Anamor, në të cilin pritet të performojnë edhe yje të muzikës botërore.

Përndryshe, përveç lëmisë së tij si regjisor, Rexhepi ka edhe festivalin e tij të muzikës ‘M For Mayhem’ në Rejkjavik, duke qenë edhe promoter i muzikës, ndërkaq vlen të theksohet se ai kishte marrë pjesë edhe në festivalin e Cannes (Short Corner), me dy filma të shkurtër të tij, ‘La Monique Oubliee’ dhe ‘Letter to My Widow’.