Gjilanasi akuzohet se e shantazhoi 14 vjeçaren për marrëdhënie intime

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj një 25 vjeçari të dyshuar për shantazh ndaj një të miture 14 vjeçare.

B.J. i lindur në vitin 1993 akuzohet për veprën penale të ngacmimit  dhe gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 25 janar 2019.

Sipas aktakuzës, më 23 – 25 janar 2019, në Gjilan, i pandehuri B.J., me veprimet e tij, me qëllim të frikësimit, me dashje dhe me përdorimin e kërcënimit se do të zbulojë diçka që mund të dëmtojë nderin ose autoritetin e tjetrit, e ka shqetësuar të miturën e moshës 14 vjeçare, tani të dëmtuarën A.D.

Ai akuzohet se e ka bërë këtë përmes rrjetit social Ëhats App duke kërkuar nga ajo që të takohen dhe të kenë marrëdhënie intime, ose në të kundërtën ai do t’i zbulonte dhe publikonte disa fotografi, në të cilat ajo kishte dalë e zhveshur.

Prokuroria thotë se me këto veprime, i akuzuari ka shkaktuar te e dëmtuara pasiguri, frikë dhe shqetësim të madh emocional.

Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit dhe i njëjti të shpallet fajtor për këtë vepër penale, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.