Nga gjykimi i zyrtarit policor, Erduan Banushi në Gjilan. Foto: Kallxo.com

Gjilan, dënohet polici i akuzuar për zvogëlim të gjobës së trafikut

Gjykata Themelore në Gjilan shpalli vendimin përfundimtar ndaj Erduan Banushit, zyrtarit policor që akuzohej për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Banushi po gjykohej për faktin se me veprimet e tij, duke intervenuar në një tiketë kundërvajtêse kishte kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar.

Gjykata i ka caktuar Banushit dënimin prej 90 ditë burg por dënimi nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarë Aziz Shaqiri (kryetar), Menderes Behluli e Veli Kryeziu (anëtarë) gjithashtu e obliguan të pandehurin që ta paguajë shumën prej 50 eurove në emër të paushallit gjyqësor.

Sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga Prokurori i shtetit Shaban Spahiu, i pandehuri Erduan Banushi, më 08 janar 2018, në Stacionin Policor në Gjilan, ka falsifikuar dokumentin zyrtar duke ndryshuar të dhënat e tiketës-fletëparaqitjen e zyrtarit policor Skënder Dushica, përkitazi me një gjobë kundërvajtëse ndaj personit A. I, duke e shënuar në vend të nenit 188 siç ka qenë në tiketë, nenin 118 i cili parasheh sanksion me gjobë më të vogël për kundërvajtësin dhe për pasojë kundërvajtësi në vend që të paguajë dënimin e paraparë me gjobë prej 100 deri 300 euro, ka paguar 10 euro, përkatësisht 50 % të gjobës së paraparë prej 20 eurove.

https://kallxo.com/polici-i-dyshuar-per-falsifikim-te-dokumentit-zyrtar-nuk-e-pranon-fajesine/

Kundër këtij vendimi palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në gjykatën e Apelit brenda 15 dite nga momenti i pranimit të këtij vendimi.