Foto: Kallxo.com

Gjilan, del në gjyq eksperti i akuzuar për SMS-in e dërguar gabimisht duke kërkuar shpërblim

Nexhmedin Shaqiri, ekspert financiar i licencuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, doli sërish para gjykatës në Gjilan.

Ai  ishte dënuar më parë nga gjykata e Gjilanit me 6 muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të profesionit si ekspert gjyqësor në afat prej një viti. Më pastaj lënda kishte përfunduar me ankesë në gjykatë të Apelit, e cila e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Nexhmedin Shaqiri, edhe në seancën e sotme të rigjykimit, deklaroi se nuk e pranon fajësinë sepse nuk e ndien vetën fajtor për akuzën që e ngarkon.

Pas kësaj, në fjalën hyrëse të palëve,  prokurori i shtetit Arben Ismajli tha ndër të tjera se qëndron pranë aktakuzës së ngritur, kurse i akuzuari Nexhmedin Shaqiri dhe mbrojtësi i tij avokati Masar Morina, në fjalët hyrëse theksuan kundërshtimet e tyre ndaj saj.

Më tej në gjykatore u dëgjuan dy dëshmitarë të prokurorisë: Ramadan Ramadani dhe Bujar Jashari.

Dëshmitari Ramadan Ramadani tha se mbetet pranë dëshmisë së dhënë në këtë gjykatë dhe deklaratave të dhëna në prokurori dhe se nuk ka çka të ndryshojë apo plotësojë diçka më tepër për këtë rast gjyqësor.

Të njëjtën gjë e deklaroi edhe dëshmitari tjetër Bujar Jashari.

Kur u pyet nga prokurori i shtetit se a ka njohuri nëse ka pasur dikush përfitim nga ky rast, Jashari u përgjigj se “nuk e di dhe s’kam njohuri për këtë punë”.

Të ftuar për të dëshmuar në këtë seancë ishin edhe dëshmitarët Avdi Avdija dhe Erina Gashi, por në mungesë të tyre, trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Naser Maliqi kryetar, Veli Kryeziu dhe Gazmend Ajvazi anëtar, vendosën që seanca të shtyhet për datë 25 janar 2019.

Nexhmedin Shaqiri nga Gjilani, profesor i shkollës së mesme ekonomike dhe ekspert financiar i licencuar nga KGJK-ja- akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, sepse më datë 27 mars 2017, si person zyrtar në cilësinë e ekspertit financiar, ka tejkaluar kompetencën e tij zyrtare. Ai akuzohet se derisa ka qenë duke e kryer ekspertizën lidhur me një rast gjyqësor të kontestit civil, të caktuar nga gjykata e Gjilanit, ka komunikuar me palën paditëse Avdi Avdija duke kërkuar nga ai një shpërblim për ekspertizën e bërë por pa e saktësuar shumën e pagesës.

Sipas akuzës, më pas Shaqiri më 25 prill 2017 i kishte dërguar SMS gabimisht personit me emrin Bujar Jashari (drejtor i bankës NLB-dega në Gjilan), duke i thënë se “mbetet të më paguhet shpërblimi nga ana juaj sipas marrëveshjes”.