Prokuroria Themelore në Gjilan, Foto: KALLXO.com

Gjilan: Aktakuzë për ngacmim seksual të dy nxënëseve derisa po shkonin në shkollë

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.A., për ngacmim seksual të dy vajzave të mitura në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë.

Sipas prokurorisë, i pandehuri R.A., i kishte bindur dy të miturat të hynin në veturë, derisa të njejtat ishin duke shkuar në shkollë.

“Sipas aktakuzës, më 11 maj 2019, rreth orës 8:15 minuta, në fshatin Pozheran, komuna Vitisë, i pandehuri R.A. (1979), ka ngacmuar seksualisht dy vajza të mitura, në atë mënyrë që derisa ato shkonin në shkollë, i pandehuri me veturën e tij, i tejkalon, pastaj kthehet mbrapa duke iu thënë që të hynin në veturë për t’i dërguar në shkollë dhe se i njihte prindërit e tyre, të cilat fillimisht nuk pranojnë, mirëpo pas insistimit të tij, të miturat hyjnë dhe ulen mbrapa në veturë, me ç’rast i pandehuri e devijon rrugën dhe i ngacmon me fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Më tej, sipas aktakuzës së prokurorisë, vajzat e mitura kishin kërcyer nga vetura deri sa ishte në lëvizje, duke pësuar edhe lëndime trupore në gjunjë dhe këmbë.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ndaj të pandehurit është caktuar masa e paraburgimit prej 11 majit të këtij vitit.