Gjilan: 100 euro gjobë për ata që ndezin goma

Drejtoria e Inspekcionit në komunën e Gjilanit njofton qytetarët se ata që ndezin goma dhe gjësende të tjera për 1 Maj, do të ngarkohen gjobat në shumën prej 100 euro.

Inspektorët komunal janë vazhdimisht në terren dhe gjobat do të pasojnë konform Udhëzimit Administrativ për Ndëshkimet me Gjobat Mandatore dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Drejtori i Inspekcionit, Nevzad Rushiti, ka thënë se Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon djegien e gomave sikurse edhe Udhëzimi Administrativ, duke shtuar se do të ketë tolerancë zero për ata që ndezin.

Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore, thuhet në njoftimin e komunës së Gjilanit.