Gjenerali serb s'e duron praninë e Kosovës, lëshon mbledhjen në Bruksel

Gjenerali Pedrag Bandiq, shef i delegacionit të Serbisë, nuk ka duruar praninë e zyrtarëve të Kosovës në mbledhjen e mbajtur në Bruksel për normalizimin e aviacionit në Ballkan. Ai e ka lëshuar takimin.

Kjo ka ndodhur në momentin kur aty i kanë filluar diskutimet zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Burim Ramadani, dhe drejtori i Autoritetit Civil të Aviacionit, Eset Berisha.

“Sjelljet e këtilla të Gjeneralit serb nuk i kontribuojnë qasjes së përbashkët rajonale të normalizimit të aviacionit në Ballkan. Shpreh keqardhjen time për këtë veprim”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka komentuar edhe në Facebook për qëndrimin në Bruksel:

“Në NATO, u mbajt takimi për normalizimin e aviacionit në Ballkan

Ishte kënaqësi që bashkë si delegacion i Kosovës të marrim pjesë në takimin e BANM (Takimet e Normalizimit të Aviacionit në Ballkan), sot në selinë qendrore të NATO-s, në Bruksel.

Qartësuam pozicionin e Kosovës për hapjen e hapësirës së ulët ajrore, duke funksionalizuar kështu zgjidhje për uljen e kostos së çmimeve të biletave të fluturimit për qytetarët tanë.

Kosova është plotësisht e vullnetshme për të punuar me NATO-n dhe KFOR-in në kornizën kohore të dakorduar, në mënyrë që të përfundojmë situatën e deritashme të paarsyeshme.

Hapja e hapësirës së ulët ajrore do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në koston e çmimeve dhe kohëzgjatjen e fluturimeve, rrjedhimisht në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë.

Një ditë e mirë në Bruksel me Eset Berishën, drejtorin e ACA-s, me Ismail Berishën, drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës, Arianit Islamin nga ACA, Merita Makollin nga ASHNA, dhe Kol. Ahmet Ajetin, Atasheun e Mbrojtjes në Bruksel”, ka shkruar ai.