Gjendje e rënduar në Suharekë pas vërshimeve të mbrëmshme

Qytetarët e komunës së Suharekës janë përballur me një natë të rëndë si pasojë e vërshimeve të mëdha që ndodhën gjatë natës së kaluar.

Gjendja ishte e rëndë edhe sot në qytetin e Suharekës por edhe në fshatrat përreth.

Si rezultat i reshjeve të mëdha të shiut nga uji janë vërshuar shumë shtëpi e biznese në qytet dhe fshatra.

Banorët tregojnë për KALLXO.com për atë se çfarë ngjau gjatë natës.

Halil Bytyqi, i cili është zjarrfikës, tregon se reshjet filluan rreth orës 21:00.

Për shkak se reshjet ishin të mëdha, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka kërkuar mobilizimin e të gjithë zjarrfikësve për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

“Mbrëmë shiu ka filluar rreth orës 9:00. Më kërkesën e kryetarit kemi dalë të gjithë zjarrfikësit në vendin e ngjarjes. Reshje të mëdha ka pasur nëpër fshatra. Suhareka nuk ka pasur reshje në atë kohë. Reshje ka pasur në fshatin Bukosh, Savrovë, Shirokë, Sopijë, Tërrnje dhe Leshan. Ekipet tona kanë dalë në terren”, tha Bytyqi.

Zjarrfikësi tregon se është një lum në qytet, i cili kur del nga shtrati, shkakton dëme në biznese e ekonomi familjare.

Lumi Toplluha disa herë në të kaluarën ka rrezikuar banorët që jetojnë përreth tij.

Nga ky lum është vërshuar mbrëmë edhe shtëpia e zjarrfikësit.

Halil Bytyqi tregon se shtëpinë e tij e kanë vizituar një komision komunal, pasi kati i parë i saj është i tëri i përmbytur.

“Janë kanë një komision komunal, kanë bërë disa fotografi, evidencë. Kjo vazhdon se ka ndodhë në shumë fshatra e sidomos në lagjen tonë. Në disa shtëpi ka pasë të lënduar. Uji ka vazhduar deri në orën 8:00 të mëngjesit të sotëm”, tha banori.

Ndërsa, kryetari i Komunë së Suharekës, Bali Muharremaj tha se Komuna ka mbledhur Shtabin Emergjent pas situatës së krijuar.

“Vërshimet kanë përfshirë diku 50 për qind të fshatrave të komunës tonë. Gjithashtu edhe komplet qytetin. Gjendja është e rëndë edhe sot. Kam thirrë edhe shtabin emergjent dhe partitë politike, i falenderoj që kanë ardhë të gjithë që të jemi bashkë. Kemi ndarë tri komisione për të bërë vlerësimet për ata që kanë nevojë emergjente. Drejtoria e Shërbimeve Publike kanë marrë urdhër për me dezinfektu terrenin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e komunës sonë”, theksoi Muharremaj.

Kryetari i Suharekës tha se ende nuk dihet vlera e dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore por tha se do t’i dërgojnë Qeverisë së Kosovës kërkesë për kompensimin e dëmeve.