Greva ne QKUK 17.12.2018 FOTO KALLXO

Gjendje alarmante në QKUK, anulohen rreth 200 operacione në ditë

 

Kolegjiumi i Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka hyrë në javën e tretë të grevës.

Si rrjedhojë e grevës së këtij kolegjiumi janë duke u anuluar rreth 200 operacione në ditë nga sa ka qenë mesatarja e operacioneve të kryera në këtë klinikë.

Kirurgu, Arbër Morina, tha për KALLXO.com se kjo klinikë para grevës ka pranuar deri në 200 raste për operacione, ndërsa tash është duke trajtuar vetëm rastet emergjente.

Morina tha se grevës së kolegjiumit të kirurgëve i janë bashkëngjitur edhe Institutet Paraklinike.

“Kirurgët abdominal udhëheqin kolegjiumet e kësaj greve, përpos kirurgëve abdominal në qendrën Klinike Universitare i janë bashkangjitur edhe Institutet Paraklinike, Patologjia. Jemi në javën e tretë të grevës, 157 specialistë të Qendrës Klinike Universitare janë në grevë edhe greva vazhdon me intensitet”, ka thënë Morina.

Ai ndër të tjera tha se nuk do të zmbrapsen nga kërkesat e tyre deri në plotësimin e tyre.

“Ne prej kohësh i kemi bërë të qarta kërkesat tona dhe kërkesa jonë është një pagë e dinjitetshme e rregulluar në nivel shtetëror me koeficient sa gjyqtarët dhe prokurorët, ne nuk kemi asgjë kundër, por në qoftë se në këtë shtet është  rregulluar atëherë edhe ne mendojmë se duhet të kemi një pagë të dinjitetshme për hir të shkollimit dhe të gjitha privilegjeve të tjera që kemi si kirurg. Kërkesa jonë është e qartë, e vetme dhe e panegociushme dhe mund të bisedojmë me faktorët relevant vetëm mbi modalitetet e zgjidhjes së këtij problem dhe asnjëherë për ndonjë mundësi tjetër”, ka shtuar Morina.

Greva në shëndetësi ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor dhe kishte zgjatur 72 orë. Më pas kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla pas takimit me zyrtarë qeveritarë kishte hapur rrugën për dialog social, duke urdhëruar që greva të ndërpritet.

Ndërkaq, mjekët kirurgë, grevën e nisën më 17 dhjetor dhe pavarësisht thirrjeve për ndërprerje të grevës, ata ende po vazhdojnë.

Kolegjiumi i Kirurgëve po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, që koeficienti i pagës së tyre të rritet nga 5 sa e kanë aktualisht në 10, duke nënkuptuar që të kenë pagesë mujore deri në 4 mijë euro.