Mbledhja e Bordit të ZRrE-së. Foto: KALLXO.com

Zyrtarët e ZRRE-së përdorin veturat zyrtare pa mbajtur evidenca

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka dobësi në menaxhimin e pasurive, kështu ka konstatuar raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit për këtë institucion.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, në menaxhimin e keq të pasurisë hyjnë edhe katër automjete zyrtare të përdorura nga zyrtarët e ZRRE-së, por të cilët nuk kanë mbajtur evidenca për kilometrat e kaluara.

“Menaxhimi i automjeteve është e definuar me Rregulloren për përdorim të automjeteve zyrtare të ZRRE-së, e cila përcakton se për çdo udhëtim zyrtar duhet të mbahen evidencat e kilometrave të automjeteve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, rregullorja për menaxhimin e pasurive kërkon që pasuritë jo kapitale dhe stoqet të regjistrohet në sistemin “e-Pasuria”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ende nuk e ka në funksion sistemin e-Pasuria, përkundër që kishte bërë kërkesa në MAP për funksionalizimin e këtij sistemi.

“Në mungesë të këtij sistemi, regjistri i pasurisë me vlerë nën 1,000€ është duke u mbajtur në Excel”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas rregullores për menaxhimin e pasurive raporti i inventarizimit duhet të kryhet para përgatitjes së PFV-ve në mënyrë që të krahasohet gjendja nga inventarizimi me gjendjen në regjistrat e pasurisë.

“Komisioni kishte kryer me kohë inventarizimin, mirëpo nuk ishte kryer harmonizimi i pasurive të inventarizuara me regjistrat e pasurive jo financiare”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Mangësitë e evidentuara më lartë sipas ZKA-së, pasqyrojnë dobësi në menaxhimin e pasurive dhe i ekspozojnë pasuritë pranë rrezikut të humbjes apo keq menaxhimit. Po ashtu, regjistrimi i pasurive jokapitale në Excel ku ekziston mundësia e ndryshimeve në çdo kohë pa lënë ndonjë gjurmë, rritë rrezikun që informatat e prodhuara për PFV të jenë të pasakta dhe jo të plota.

Një e gjetur tjetër e ZKA-së për ZRRE-në është klasifikimi joadekuat i shpenzimeve.

“Projekti për pajisje të teknologjisë informative – Licenca” ishte buxhetuar dhe paguar me vlerë prej 8,644 euro nga investimet kapitale. Këto licenca nuk janë shpenzime kapitale për nga afati dhe do të duhej të buxhetohen dhe paguhen nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve”, thuhet në raportin e ZKA-së, duke treguar se rreziku i saj ndikon në mbivlerësimin ose nënvlerësimin e kategorive përkatëse të shpenzimeve. Si rrjedhojë e kësaj paraqitja e tyre në pasqyra financiare nuk është e drejtë.

Dobësi në menaxhimin e rrezikut është një e gjetur tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

ZRRE sipas ZKA-së, për vitin 2017 nuk kishte hartuar regjistrin e rreziqeve siç kërkohet me rregullat e MFK-së.

“Me funksionalizimin e bordit, në prill 2018 ishte hartuar regjistri. Mbetet sfidë menaxhimi dhe monitorimi i rreziqeve në mënyrë aktive për sa i përket azhurnimit dhe sigurimit se janë duke u ndërmarrë veprime për të parandaluar dhe zbutur rreziqet”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Mungesa e menaxhimit efektiv dhe gjithëpërfshirës të rrezikut pamundëson reagimin me kohë ndaj rreziqeve me të cilat ballafaqohet organizata, qofshin ato nga mjedisi i brendshëm apo i jashtëm. Kjo për shkak se veprimet proaktive të nevojshme për të parandaluar ose evituar rreziqet e tilla nuk do të ndërmerren në mënyrë të planifikuar dhe sistematike.