Zyrtarët e teknologjisë informative të disa institucioneve mbesin jashtë kategorizimit si ekspertë

Zyrtarë të teknologjisë informative në disa institucione publike në vend kanë mbetur jashtë kategorizimit si ekspertë në Ligjin për Paga, duke ngritur pretendime për diskriminim. Ata po ankohen se nuk është bërë vlerësim i duhur i punës së rëndësishme që ata kryejnë.

Zyrtarë të IT-ve të komunave të Kosovës, si dhe të institucioneve si Agjencia e Kosovës për Akreditim, apo Autoriteti Kombëtar i Kualifikimit janë ankuar publikisht se komisioni i themeluar nga Qeveria e Kosovës për të bërë kategorizimin si ekspertë, pa të drejtë i kanë lënë jashtë listës përfundimtare.

Edhe pse ka pasur ankesa dhe kërkesa të vazhdueshme, komisioni që udhëhiqet nga Artan Dreshaj i Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk i ka marrë parasysh ato dhe në listën përfundimtare nuk i ka përfshirë.

Duke u bazuar në “Rregulloren nr. 11/2023 për Ekspertë”, Qeveria e Kosovës me datë 08.03.2023 kishte themeluar Komisionin për Vlerësimin e Sistemeve Shtetërore të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike.

Ky komision i përbërë nga Artan Dreshaj kryesues dhe Elmi Podrimaj e Vjosa Hoxha – anëtarë, kanë pasë për detyrë që të klasifikojnë zyrtarët e teknologjisë informative të institucioneve publike në Kosovë, të cilët i plotësojnë kushtet për të qenë ekspert. Klasifikimi si ekspert këtyre zyrtarëve iu mundëson që të kenë paga më të larta, siç e përcakton ligji.

Kriteret e përcaktuara sipas rregullores në fjalë, kanë qenë që zyrtarët të menaxhojnë apo administrojnë sisteme si infrastruktura kritike e informacionit (IKI), që përfshinë sistemet – paaftësimi ose shkatërrimi i të cilave do të mund të cenonte sigurinë kombëtare, qeverisjen, ekonominë ose mirëqenien sociale të vendit; sistemet përmes të cilave qeveria realizon funksionet e saj themelore si për shembull sistemi i tatimeve, thesarit, buxhetit, prokurimit publik, shëndetësisë, mirëqenies sociale, arsimit, sigurisë, gjykatave, prokurorisë, sistemeve kibernetike apo të mbrojtjes.

Po ashtu, aty përfshihen regjistrat kyç shtetëror si regjistri civil, regjistrat kadastral, regjistri i bizneseve, regjistri i OJQ-ve, i lëndëve gjyqësore, adresave apo automjeteve; sistemet të cilat lidhen me menaxhimin e proceseve në administratën publike apo sistemet qendrore të E-Qeverisjes.

Institucionet publike të cilat kanë vlerësuar se posedojnë, menaxhojnë ose koordinojnë funksionimin e sistemeve shtetërore të informacionit me rëndësi strategjike, është dashur që të bëjnë kërkesë te komisioni në fjalë, kërkesë e cila duhet të përmbante informacione për nivelin e klasifikimit të sistemeve përkatëse të rrjetit; kategorinë e shërbimeve që ofrojnë përmes sistemet përkatëse; apo ndikimin e sistemeve përkatëse që menaxhojnë në realizimin e objektivave të institucioneve shtetërore.

Kategorizimi i sistemeve në fjalë, është dashur të bëhej në bazë të shërbimeve që ofrojnë, në njërat nga këto kategori: shërbime për qytetarë; shërbimet për shëndetësi; shërbime për financa/prokurorim; shërbime për siguri dhe mbrojtje; shërbime për arsim; shërbime për drejtësi; apo shërbime interne për administratë publike.

Ukë Krasniqi është kryesues i Kolegjiumit të Zyrtarëve të Teknologjisë Informative në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Njëkohësisht është udhëheqës i IT-së në Komunën e Drenasit.

Ai thotë se deri më tash zyrtarët e IT-ve të komunave kanë qenë të klasifikuar si kuadër deficitar, të cilët me një vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2008 kanë marrë shtesa mujore prej 300 euro, për shkak të specifikave të profesionit.

Krasniqi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se arsyetimi i kryetarit të Komisionit, Artan Dreshaj, se pse kanë lënë jashtë listës së kategorizimit zyrtarët e IT-ve të komunave, ka qenë se institucionet komunale nuk kanë sisteme shtetërore me rëndësi strategjike, por “kryesisht i shfrytëzojnë sistemet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI)”.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë sepse komisioni në këtë rast del se nuk ka pasë aspak njohuri për sistemet e nivelit lokal, se cilat sisteme janë në nivelin lokal dhe cilat sisteme i shfrytëzojnë komunat” – thotë Krasniqi.

Ai ka thënë se në listën e sistemeve që janë miratuar, komisioni ka renditur edhe sisteme që i administrojnë dhe menaxhojnë edhe komunat.

“Për shembull ‘Active Directory’ është një sistem që i menaxhon gjithë sistemuesit brenda komunës. Komuna më e vogël i ka diku 300 shfrytëzues, domethënë 300 llogari, 300 kompjuterë të cilët i menaxhon një administrator, në këtë rast një profesionist i IT-së në komunë” – ka thënë Krasniqi.

“E liston si sistem me rëndësi shtetërore intranetin. Intraneti është aplikacioni më i rëndësishëm në nivelin komunal. Që domethënë ky aplikacion gjeneron me miliona lëndë, është aplikacioni pas e-Kosovës, aplikacioni më i madh. Secila komunë e ka administratorin e këtij sistemi, domethënë sistemit të intranetit, në këtë rast është zyrtari i teknologjisë informative në komunën përkatëse. Edhe ky sistem thash që është në listën e sistemeve me rëndësi shtetërore që ka listu komisioni” –  thotë ai.

Pasi që ka marrë një konfirmim nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), se komunat administrojnë me tre sisteme të rëndësishme, të cilat vetëm janë të hostuara në ASHI, Ukë Krasniqi në emër të 56 zyrtarëve të IT-ve të 34 komunave, në tetor të vitit 2023 iu ka drejtuar për herë të dytë Komisionit të Qeverisë, me kërkesën për të rishqyrtuar edhe njëherë listën.

Por që nga tetori i vitit 2023 ai thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje tek kryetari i komisionit, Artan Dreshaj, për të kuptuar arsyet konkrete se pse zyrtarët e IT-ve të komunave kanë mbetur jashtë listës së ekspertëve, por i njëjti edhe pse përmes telefonit ka premtuar se do të kthejë përgjigje, deri në publikimin e këtij shkrimi ai nuk është përgjigjur.

Një tjetër institucion që ka pasur ankesa për diskriminim ka qenë edhe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).

Kastriot Ilazi nga ky institucion ka thënë se kanë mbetur jashtë listës, edhe pse AKA-ja posedon, menaxhon dhe administron me dy sisteme të krijuara për të gjithë stafin akademik në institucionet e arsimit të lartë, si publik e ashtu privat.

Ai për KALLXO.com ka bërë të ditur se këto dy sisteme u mundësojnë stafit akademik të universiteteve publike dhe kolegjeve private që të regjistrohen dhe të bëjnë përditësimet lidhur me të dhënat se tyre se ku janë të punësuar.

“Ndërsa komisioni në fjalë ka vendosur zyrtarët e Universitetit të Prishtinës në listën e ekspertëve. Për informimin tuaj, i gjithë stafi akademik i Universitetit të Prishtinës është i vendosur në platformën tonë të E-akreditimit, së bashku me të gjitha universitetet tjera dhe kolegjet private. Për nga numri dhe volumi i punës, sistemi ynë është shumëfish më i madh dhe më i ndërlikuar se sa ai i UP-së” – ka thënë Ilazi.

“Pra në sistemet informative të UP-së menaxhohet vetëm me të dhënat e stafit akademik të UP-së, ndërsa administrator i lartë i sistemeve softuerike dhe data-bazës menaxhon të dhënat e gjithë stafit akademik në Kosovë”.

Një sistem tjetër që menaxhon Agjencia e Kosovës për Akreditim, ka thënë Ilazi, është edhe Aplikacioni për Gjenerim të Konfirmimit të Studentëve, që sipas tij, shërben që të gjithë studentët të cilët kanë kryer fakultetin brenda Kosovës, të mund të verifikojnë nëse institucioni apo drejtimi që kanë përfunduar, a ka qenë i akredituar dhe është hapi kryesor që kërkohet për njohjet ndërkombëtare të diplomës.

Në lidhje me arsyet e refuzimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Artan Dreshaj po ashtu nuk ka kthyer përgjigje.

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) është një tjetër institucion, zyrtarët e të cilëve nuk janë të përfshirë në listën e ekspertëve të teknologjisë informative.

Duke përshkruar punët dhe përgjegjësinë që ka si zyrtar i IT-së në këtë institucion, Vilzan Arifaj për KALLXO.com ka thënë se AKK-ja posedon sisteme të cilat kanë shërbime për arsim dhe qytetarë ashtu siç e përcakton Rregullorja për Ekspertë, sisteme të tilla si “Sistemi për Menaxhimin e Njohjes së Mësimit Paraprak (NJMP), apo E-akredimit për NJMP.

“Gjithashtu AKK është në fazë finale të lansimit të platformës më të re me rëndësi nacionale që quhet ‘Regjistri Kombëtar i Kualifikimeve’, ku do të regjistrohen të gjitha kualifikimet e Republikës së Kosovës që nga niveli 1 deri në 8, si dhe platformën për sigurimin e cilësisë e financuar nga donatori GIZ, e cila do të fillojë këtë vit për implementim” – ka thënë Arifaj.

Ai ka kritikuar komisionin e Qeverisë, duke thënë se në listë të ekspertëve ka futur pozita të “Help – Desk” të institucioneve të tjera, që sipas tij, nuk kanë të bëjnë asgjë me administrim apo menaxhim të sistemeve.

“Pra assesi nuk arsyetohet puna e komisionit, i cili ka futur në listë të ekspertëve pozita të help-deskut të institucioneve tjera të cilët asnjë nuk administron me sisteme apo punë të ngjashme, sikurse këto të cekura më lartë” – ka thënë Arifaj.

Si zyrtarët e komunave, ashtu edhe zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, kanë bërë ankesa në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil (KPMSHC), por që i janë refuzuar ankesat.

Ukë Krasniqi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se ankesën e tyre e kanë drejtuar edhe te Avokati i Popullit.

I pyetur nga KALLXO.com në lidhje me këtë çështje gjatë një konference për media me 28.08.2024, Ministri i Financave Hekuran Murati, tha se rasti është trajtuar nga komisioni përkatës, por ngriti “dyshimet” e tij se kush duhet të quhet ekspert.

“Pra duhet të bëhet ndarja se a është dikush ekspert i data-bazave, që ndërton data-bazë, apo është ekspert dikush që plotëson data-bazën me të dhëna. Sepse në fund të fundit, plotësimi i data-bazës bëhet nga të gjithë ne, në baza ditore. Çdo informacion pothuajse ruhet në një data-bazë të caktuar. Pra, nuk është ekspertizë. Po flas vetëm si parim, për të sqaruar, sepse ka shpesh herë këso situata. Por gjithsesi është komisioni përkatës profesional që bën përcaktimin dhe vendosjen dhe neve si qeveri pastaj na takon të procedojmë tutje me propozim vendimin” – tha ministri Murati.

Shtojca 14.4 e Ligjit për Paga përcakton koeficientin e pagës për secilin nivel të ekspertit, sipas të cilit zyrtarët e IT-ve të komunave, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, pretendojnë se duhet të paguhen.