Zyrtarët e Akuzuar të Arsimit Thanë Fjalën Përfundimtare (TV)

Gjykata e Qarkut në Prizren, më 12 shtator 2011, ka filluar shqyrtimin kryesor ndaj tre zyrtarëve të Drejtorisë Komunale në Prizren, ku përveç Nexhat Çoçajt përfshihen edhe Reshit Kushaj, zyrtar për tri nivelet e arsimit në këtë drejtori dhe Nezir Osmani, zyrtar për buxhet.

Akuza e ngritur nga prokuroria dhe e konfirmuar nga gjykata, i ngarkon zyrtarët e DKA-së se më 9 maj 2009, me qëllim fitimi të dobisë pasurore, e shpërdoruan detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare.

Sipas aktakuzës, megjithëse firma transportuese NTSH “Shpejtimi” nga Suhareka i plotësonte kriteret për tenderin lidhur me dërgimin e maturantëve të shkollave të mesme të Prizrenit në bregdetin e Shqipërisë, të akuzuarit nuk e përfillën ftesën për ofertë dhe si fitues shpallën firma më të shtrenjta, të cilat nuk ishin të licencuara nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë (MTI).

Ndërsa në ftesën për ofertë parashihej si kusht edhe pajisja me licencë nga MTI-ja.

Pronari i kompanisë “Shpejtimi”, Ekrem Veselaj, ka bërë padi në Prokurorinë e Qarkut, duke deklaruar se i është shkaktuar dëm nga fitimi i humbur në vlerë prej 40,250 eurosh.

Ai, po ashtu, përmendi se për pajisje me licencë nga MTI-ja paguan 20,000 euro në vit, e cila është garanci për kalimin e grupeve në udhëtime jashtë shtetit.

“Shpejtimi” ishte një nga kompanitë e pakta që konkurruan, e që posedonte licencë dhe kishte ofruar çmimin më të lirë – 108 euro për nxënës.

Ndërsa kompanitë fituese kishin ofruar çmim prej 115 eurosh.

Seanca e së mërkures në Gjykatën Themelore të Prizrenit, filloi me 25 minuta vonesë, për shkak të vonesës së njërës nga gjykatëset e trupit gjykues, e cila dha arsyetimin se ishte kujdestare dhe kishte pasur një rast me paraburgim.

Në seancën e së mërkurës, u dha fjala përfundimtare e palëve.

Në fjalën e tij të fundit, ndër të tjera prokurori i rastit Metush Biraj, theksoi mungesën e licencës së kompanive fituese.

 “Se nuk janë pajisur me licencë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, kjo u vërtetua kur nxënësit u ndalën dhe pritën në kufi me orë të tëra”, tha Biraj.

Në fjalën e tij të fundit, prokurori, e tërhoqi nga aktakuza pjesën, ku përmendej vlera prej 40 mijë e 250 eurosh, e cila ishte si dëm i ishte shkaktuar të dëmtuarit Ekrem Veselaj.

Ndërsa kërkoi që të akzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i drejtorit të arsimit, avokati Rexhep Hasani, tha se Ekrem Veselaj, nuk ka aplikuar si person privat për fitimin e tenderit, por ka aplikuar firma e tij, andaj mbrojtja konsideroi se Ekrem Veselajt nuk i është shkaktuar dëm, dëmi ka mundur t’i shkaktohet firmës së tij dhe në këtë drejtim sipas mbrojtjes akuza nuk mund të qëndrojë.

Në fjalën përfundimtare, drejtori i akuzuar i arsimit Nexhat Çoçaj, tha se edhe ofertuesit tjerë kur kanë aplikuar kanë ofruar licencat e MTI-së.

“Por ne si komision nuk e kemi ditur se duhen ato, përndryshe të gjitha këto i keni të bashkangjitura në shkresat e lëndës, për çka edhe vërtetohet se të njëjtit i kanë poseduar ato”, u arsyetua ai.

Pas fjalës përfundimtare të palëve, kryetarja e trupit gjykues shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor.

Shpallja e aktgjykimit në rastin e zyrtarëve të arsimit në Prizren, do të bëhet më 17 qershor 2013.