Zv/guvernatori Dorëhiqet Nga Bizneset Dhe Njëri Post Publik

Fatmir Gashi, zëvëndësguvernator i Bankës Qendore të Kosovës, deklaroi në Agjencinë Kundër Korrupsion se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryesuesit të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar, menjëherë pas raportimit të mediave. 

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi më 7 tetor të këtij viti se Gashi gjendej në konflikt të mundshëm interesi, pasi që mbante dy poste publike.

Një ditë pas raportimit, më 8 tetor, Gashi u ftua në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Zyrtarët e AKK-së e njoftuan atë se gjendej në konflikt të mundshëm interesi.

Në vendimin e datës 18 nëntor të Kundër Korrupsionit për rastin e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore, thuhet se  Gashi  paraqiti  dokumentin e dorëheqjes nga pozita e kryesuesit të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar dhe deklaroi se e kishte bërë këtë, mënjeherë pas raportimit të mediave. 

Përveç dorëheqjes nga kjo pozitë publike, Gashi dha dorëheqje edhe nga pozitat e personit të autorizuar në tri biznese private. Ai mbante këtë pozitë në kompanitë e sigurimeve Dardania, Illyria dhe në Mobikos. 

Agjencia Kundër Korrupsion konludoi në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të këtij instituticioni, se Gashi gjendej në konfikt interesi. 

Gashi, bazuar  në vendimin e Agjencisë, dha dorëheqje nga posti i kryesuesit të Këshillit për Raportim Financiar dhe pozitave të personit të autorizuar në tri biznese private.  

“Konsiderojmë se zyrtari i lartë z.Fatmir Gashi, zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, pasi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryesuesit të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar si dhe ndryshimet në bizneset ku kishte punuar më herët, ka shmangur situatën e mundshme të konfliktit të interesit në të cilin ndodhej”, thuhet në vendimin e AAK-së.

Pas prezantimit të dokumenteve të dhënies së dorëheqjeve, Agjencia Kundër Korrupsion e ka mbyllur rastin që e kishte hapur pas informimit nga Gazeta Jeta në Kosovë në muajin tetor.

“Agjencia ka hapur rast për këtë punë pas informimit tuaj. Do ta trajtojmë atë dhe do ta informojmë publikun për rezultatin e këtij rasti”, ishtë përgjigjur udhëheqësi i AKK-së, Hasan Preteni për shkrimin e gazetës të botuar më 7 tetor 2013.

Ndërkohë, Gashi i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë në muajin tetor, thoshte se ishte i gatshëm të tërhiqet nga Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar, nëse ka konflikt interesi. “Nëse ka konflikt të interesit unë nuk jam i interesuar ta ushtroj këtë detyrë [në KKRF] nëse bie ndesh me punën e zëvendësguvernatorit”. 

Ligji që e rregullon funksionimin e BQK-së, në paragrafin e tretë të nenit 69, përcakton që zëvendësguvernatori do të punojë më orar të plotë dhe se “nuk do të angazhohet në ndonjë punë tjetër, qoftë fitimprurëse ose jo, përveç në ato raste të jashtëzakonshme kur Bordi i Bankës Qendrore lejon një përjashtim”.

Gashi, bazuar në deklarimin e pasurisë bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion në gusht të kwtij viti, paguhej 3 mijë e 360 euro në vit nga KKRF-ja. 

Në BQK, Gashi paguhet 21 mijë euro në vit, bazuar në formularin e pasurisë. Kjo shumë është rreth 30 për qind më pak, sesa paga që ka pasur në kompaninë Dardania, ku paguhej 30 mijë euro në vit.

Pozitat e dorëhequra të Gashit 

Në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar, Gashi ishe si përfaqësues i Odës Ekonomike të Kosovës. Ai ishte emëruar aty me 2 dhjetor të vitit 2011, me një vendim të kryeministrit Hashim Thaçi. Kurse në pozitën e zëvendësguvernatorit është zgjedhur më 1 gusht të këtij viti.

Përveç angazhimit të drejtpërdrejtë në kompanitë e sigurimit, Fatmir Gashi figuron që ka qenë i angazhuar edhe në Byronë Kosovare të Sigurimit, ku është paguar gjashtë mijë euro për vitin 2012. 

Ai kishte përfaqësuar kompaninë Dardania.

Sipas vendimit të AKK-së lidhur me këtë rast, Gashi ka sjellë dëshmi të dorëheqjes nga Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimeve si dhe ka sjellë ndryshimet e bëra në biznesin “Dardania”, ku ai nuk është më person i autorizuar. 

AKK-ja gjithashtu thotë se Gashi nuk është më person i autorizuar as në Illyria dhe Mobikos.

Ilyria është një prej kompanive të sigurimeve në Kosovë, ndërsa Mobikos është një entitet i themeluar nga biznesmeni pejan Ekrem Lluka. Mobikos ishte pjesë e konozrciumit që konkurronte në tenderin për telefoninë e dytë mobile në vend, por kishte humbur në garë nga konzorciumi i kryesuar prej Telecom Slovenije.