Zv.Guvernatori I BQK-së Në Konflikt të Mundshëm Interesi

Zëvendësguvernatori aktual i Bankës Qendrore të Kosovës Fatmir Gashi, i emëruar më 1 gusht 2013, mban njëkohësisht edhe pozitën e kryesuesit të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar, ku është emëruar më 2 dhjetor 2011. 

Banka Qendrore bën mbikëqyrjen e bankave, kompanive të sigurimit dhe institucioneve tjera financiare, ndërsa Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar është trupi kryesor shtetëror që licencon dhe kontrollon firmat audituese në Kosovë.

Gashi me përvojë njëmbëdhjetëvjeçare në biznesin e kompanive të sigurimit, tash do t’i mbikëqyrë edhe ato.   

Pozita e zëvendësguvernatorit, që mban Gashi, është funksion publik, dhe legjislacioni kufizon mbajtjen e dy pozitave nga individët që shërbejnë si zëvendësguvernator në BQK dhe kryesues të këtij këshilli. 

Zëdhënësi i Bankës Qëndrore të Kosovës, Besnik Kada, tha se pozita e zëvendësguvernatorit nuk është post publik, e as emërim politik. Ai nuk sqaroi se çfarë pozite konsiderohet ajo e zëvendësguvernatorit.

Por sipas Agjensionit Kundër Korrupsion dhe Kuvendit të Kosovës, pozita e zëvendësguvernatorit që mban Gashi është post publik.

Drejtori i AKK-së Hasan Preteni dhe sekretari i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi iu referuan ligjit për deklarimin  e pasurisë, kur thanë se posti i zëvendësguvernatorit është post publik.

Agjensioni Kundër Korrupsion ka filluar shqyrtimin e këtij rasti për konflikt të mundshëm interesi, pas pranimit të informacionit nga Gazeta Jeta në Kosovë.

“Agjencia ka hapur rast për këtë punë pas informimit tuaj. Do ta trajtojmë atë dhe do ta informojmë publikun për rezultatin e këtij rasti”,  tha udhëheqësi i AKK-së, Hasan Preteni.

Ndërkohë Naser Osmani, zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa që mbikqyrë punën e BQK-së, thotë se më shqetësues se konflikti i mundshëm i interesit është fakti që ai vjen nga biznesi i sigurimeve. Osmani nuk komentoi më shumë rreth angazhimit të Gashit në BQK.

Ligji që e rregullon funksionimin e BQK-së, në paragrafin e tretë të nenit 69, përcakton që zëvendësguvernatori do të punojë më orar të plotë dhe se “nuk do të angazhohet në ndonjë punë tjetër, qoftë fitimprurëse ose jo, përveç në ato raste të jashtëzakonshme kur Bordi i Bankës Qendrore lejon një përjashtim”.

Fatmir Gashi, i kontaktuar nga gazeta, tha se është i gatshëm të tërhiqet nga Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar, nëse ka konflikt interesi. “Nëse ka konflikt të interesit unë nuk jam i interesuar ta ushtroj këtë detyrë [në KKRF] nëse bie ndesh me punën e zëvendësguvernatorit”. 

Bazuar në deklarimin e pasurisë, Gashi paguhet 3 mijë e 360 euro në vit nga KKRF-ja.

Gashi thotë se Komisioni i Kosovës për Raportim Financiar e paguan rreth 250 euro në muaj. “Kjo nuk është çështje e interesit, por çështje e profesionit”.

BQK-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës nëse Bordi i Bankës Qendrore ka bërë përjashtim për Gashin, që t’i lejohet angazhimi në një institucion tjetër siç parashihet në Ligjin për BQK-në.  

KKRF-ja figuron si i pavarur, në Ligjin për kontabilitetit dhe raportim financiar, por është i detyruar që t’i raportojë Qeverisë së Kosovës. Ndërkaq, informatat mbi këtë këshill, figurojnë në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. 

Shtatë anëtarët e tij, që përfaqësojnë BQK-në, universitetin, Ministrinë e Financave, shoqatat profesionale dhe komunitetin e biznesit, emërohen nga qeveria. 

Nga Qeveria është emëruar edhe Fatmir Gashi në dhjetor të 2011-ës.

Kënd e përfaqëson Fatmir Gashi në KKRF?

Institucione të ndryshme kanë dhënë deklarata kundërthënëse lidhur me atë se kënd përfaqëson Fatmir Gashi në Komisionin e Kosovës për Raportim Financiar.

Gashi në KKRF përfaqëson Odën Ekonomike të Kosovës, sipas sekretarit të odës, Berat Rukiqi. 

“Fatmir Gashi ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës si njohës i ekonomisë, ndaj edhe na përfaqëson ne si OEK në Këshillin për Raportim Financiar”.

Njëjtë është shprehur edhe zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada “në këtë post, z.Fatmir Gashi është i nominuar nga Oda Ekonomike, e jo si përfaqësues i BQK-së”. 

Edhe vetë Fatmir Gashi tha se përfaqon OEK-un në KKRF.

Por për Ministrinë e Financave, Gashi përfaqëson Bankën Qendrore të Kosovës. 

“Këshilli është formuar më 12 dhjetor 2011… ku edhe parashihet një anëtar nga Banka Qendrore e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim të Ministrisë së Financave.

Por në vendimin e Qeverisë që ka emëruar anëtarët e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar, të nënshkruar nga kryeministri Hashim Thaçi, shkruan se Banka Qendrore e Kosovës përfaqësohet nga Gani Geci, auditor në këtë institucion. Të gjithë anëtarët kanë mandat trevjeçar.

Kështu, sipas të dhënave të Ministrisë, BQK-ja përfaqësohet në KKRF nga dy anëtarë të saj, edhe pse ligji për raportim financiar parasheh një anëtar nga ky institucion.

Mbajtja e dy pozitave publike nuk është në përputhje edhe me legjislacionin që rregullon funksionimin e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar.

Sipas ligjit për Kontabilitet dhe Raportim Financiar dhe Auditim, kryesuesi i KKRF-së, pozitë kjo që ushtrohet nga Gashi, nuk mund të mbajë pozitë tjetër publike. 

“Kryesuesi i KKRF-së e as anëtarët nuk duhet të mbajnë funksione publike dhe të jenë të emëruar politikë”, thuhet në pikën 3 të nenit 13 të këtij ligji.

Gashi ende mban dy pozitat.

Karrierë e bujshme në biznesin e kompanive të sigurimeve

Zëvendësguvernatori Gashi vetëm gjatë vitit 2012 kishte më shumë se 60 mijë euro të hyra nga angazhimet e tij të ndryshme, përfshirë të ardhurat nga kompania e sigurimit Dardania.

Banka Qendrore e Kosovës është autoriteti kryesor që menaxhon funksionimin e bankave dhe kompanive të sigurimeve.

Zëvendësguvernatori Gashi është njeri me përvojë njëmbëdhjetëvjeçare në fushën e sigurimeve. 

Që nga 2002-ta ai ka mbajtur pozitat kyçe në tri nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve.

Më 2002 deri më 2006 ka punuar si drejtor financiar në kompaninë Dukagjini të themeluar nga biznesmeni pejanë Ekrem Lluka, më 2006 deri më 2011 në kompaninë Iliria, ndërsa nga tetori i 2012-ës deri në korrik 2013 ka drejtuar kompaninën e sigurimeve Dardania, sipas të dhënave të ofruara nga vetë Gashi.

Në BQK, Gashi paguhet 21 mijë euro në vit, bazuar në formularin e pasurisë. Kjo shumë është rreth 30 për qind më pak, sesa paga që ka pasur në kompaninë Dardania, ku paguhej 30 mijë euro në vit.

Në faqen e Internetit të kompanisë Dardania, Fatmir Gashi figuronte edhe si anëtar i bordit drejtues, së bashku me Riza Llukën, Fatmir Pulën, Sabajdin Bogun dhe Ferid Gjikollin. (shih dokumentin).

Vetëm gjatë vitit 2012 ai është paguar 30 mijë euro nga kjo kompani, bazuar në deklaratën e pasurisë të publikuar nga AKK-ja.

Gashi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë më 31 korrik 2013, një ditë para se të emërohej zëvendësguvernator i BQK-së, bazuar në letërdorëheqjen e tij që BQK-ja ia ka ofruar gazetës.

Zyra ligjore e kompanisë Dardania në përgjigjet dërguar gazetës thotë se sipas statutit të kësaj kompanie, drejtori gjeneral është edhe anëtar i bordit, por se ky mandat ka skaduar që nga pushimi i marrëdhënies së punës.

“Gjithashtu ju siguroj që z. Gashi është paguar nga kompania e sigurimit Dardania deri në muajin korik dhe pas këtij muaji nuk ka asnjë pagesë… pasi që nga data 1 gusht 2013 më nuk është punëtor i kësaj kompanie”, tha Muahmed Boja, drejtor i Zyrës Ligjore të Kompanisë Dardania..

Sipas të dhënave të Agjensionit për Regjistrimin e Biznesve, kompania Dardania figuron në emër të Riza Llukës.

Përveç angazhimit të drejtpërdrejtë në kompanitë e sigurimit, Fatmir Gashi figuron që ka qenë i angazhuar edhe në Byronë Kosovare të Sigurimit, ku është paguar gjashtë mijë euro për vitin 2012. 

Ai kishte përfaqësuar kompaninë Dardania, por tash nuk është më anëtar i BKS-së, sipas kryetarit të bordit të BKS-së, Rrahim Pacollit.

“Ai tash është zëvendësguvernator në BQK dhe për këtë ka dhënë dorëheqje te Dardania dhe kështu s’është as pjesë e byrosë” tha Pacolli.

Byroja Kosovare e Sigurimit është institucion që mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës, BQK dhe e përfaqëson Kosovën në Byronë Ndërkombëtare të Kartonit të Gjelbër. Ky mekanizëm mundëson kalimin e kufijve, pa paguar sigurime kufitare shtesë. 

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se Gani Thaçi, vëllai i kryeministrit Hashim Thaçi, ishte emëruar në mars të 2012-ës në detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), post që paguhet rreth 4 mijë euro në muaj.

Dy javë më pas, më 31 mars, Bordi Drejtues i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) kishte miratuar dorëheqjen e drejtorit të sapozgjedhur ekzekutiv, Gani Thaçit. Konkursi për zëvendësimin e tij është bërë publik të premten.