
Kandidatët e AAK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Zotimet e Koalicionit AAK-Nisma: Termocentral me thëngjill, rritje pagash e funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës
Për të ardhur në pushtet, Koalicioni AAK-Nisma premton ndërtimin e një termocentral të ri me thëngjill, rritjen ekonomike deri në 7 për qind, shtimin e tatimeve të reja, pagën mesatare në 1 mijë euro dhe funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.
Katër kandidatë për deputetë nga Koalicioni AAK-Nisma, premtojnë se me “Qeverinë Haradinaj”, zhvillimi ekonomik në vend do të rritet deri në 7 përqind, për sa kohë që paga mesatare do të bëhet 1 mijë euro.
Këto janë dy nga, siç i quajnë ata, ‘top-prioritetet’ e programit të tyre zgjedhor. Në planin e tyre është që ekonomia të rritet përmes sigurisë dhe stabilitetit në vend. Këtë synojnë ta arrijnë përmes anëtarësimit të vendit në NATO. Në këtë formë, këta kandidatë besojnë që investitorët e huaj nuk do të frikësohen që të vijnë për të investuar në Kosovë.
Në “Debat Përnime”, më 23.01.2025, kandidatët Arton Demhasaj, Smajl Latifi, Edmond Hoxha e Artan Nimani, premtuan edhe projekte të tjera që lidhen me ekonominë, energjinë dhe investimet në rajonin e Gjakovës.
Termocentral me thëngjill
Kandidati nga AAK-ja, Arton Demhasaj, cili para se të garojë për deputet ka qenë pjesë e shoqërisë civile, tha se koalicion e kanë në plan që të ndërtojnë një termocentral të ri me thëngjill, “që do të ndikojë në uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe reduktimin e ndotjes së ambientit”.
Demhasaj beson se ndërtimi i këtij termocentrali do të bëhet për të ofruar një ambient të sigurt për investitorët e huaj dhe për të rritur zhvillimin ekonomik, gjë që sipas tij, do të ndikojë në uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe reduktimin e ndotjes së ambientit.
“Kjo çështja e energjisë elektrike ka me u zgjidh sepse kemi paraparë një termocentral 500 MË, që ka me qenë me thëngjill, me standardet e teknologjisë me të re, e që ka me e reduktu edhe ndotjen e ajrit”- ka thënë Demhasaj.
Kandidati i AAK-së Arton Demhasaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Se si do të sigurojnë mjetet financiare për ndërtimin e termocentralit, Demhasaj tha se me mbi 700 milionë euro sa ka blerë energji Kosova për katër vjet, mund të ndërtohet një termocentral i ri.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ky projekt të realizohet përmes Partneritetit Publiko- Privat.
“Imagjinojeni 700 milionë euro me i pasë në dorë, d.m.th ti e ndërton një termocentral pa pasë nevojë për ndihmën e askujt. Kjo minimum ka me reduktu 50% ndotjen e ajrit”- tha Demhasaj.
Ai paralajmëroi se do të kthehen te çështja e gazit me SHBA-në, duke shpalosur me këtë rast dy ide të cilat mëtojnë t’i kthejnë në program qeveritar.
“E para është potenciali i ndërtimit të një termocentrali me gaz që poashtu mund të prodhojë deri në 500 MW energji elektrike dhe ideja tjetër është ose të shkohet në shpërndarjen e gazit nëpër ekonomitë familjare”- tha ai.
Ide tjetër që paraqiti ai është ndërtimi i pesë ngrohtoreve në pesë qendrat e mëdha: Prizren, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë, që sipas tij, përgjysmon pothuajse nevojën e konsumit të energjisë elektrike.
Përveç kësaj, kandidati Edmond Hoxha tha se investimin e parë do të jetë rivitalizimi i Termocentralit “Kosova B”, që “të mundësojë rritjen e kapaciteteve edhe për 500 MW të tjera”.
Në lidhje me çmimin e energjisë elektrike, Demhasaj tha se Qeveria në kushte normale nuk mundet me marrë vendim për me e ulë çmimin, por as politika nuk duhet të ndikojë në institucione të pavarura si Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
“Ne kemi tendenca që ZRrE-ja me qenë një institucion i pavarur dhe i pandikuar prej politikës. Kur ZRrE-ja ka me qenë e pavarur edhe e pandikuar politikisht, unë garantoj që vetë ZRrE-ja ka me u ulë me i analizu çmimet dhe ka me i ulë çmimet”- tha ai, duke fajësuar partinë në pushtet për ndikime politike.
Demhasaj premtoi se në mandatin e tyre do të ketë kontroll të derivateve, sepse sipas tij, 50% e ndotjes në Prishtinë nuk vjen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), por edhe nga veturat.
“Ajo që ne e kemi në program është për kategoritë e ndjeshme edhe veteranët edhe familjarët e dëshmorëve, familjet me asistencë sociale, që të kenë një reduktim të faturave të tyre të energjisë elektrike”- tha ai.
“Top- prioritetet”
Kandidati Edmond Hoxha tha se si pikë të parë në programin e tyre e kanë rritjen ekonomike deri në 7 për qind.
Kjo, sipas tij, realizohet duke filluar me investime publike prej mbi 1 miliard euro dhe duke i rritur ato deri në 1.5 miliard euro deri në fund të mandatit.
“Investimet e huaja direkte parashikohet të shkojnë deri në 2 miliardë euro, bashkë me investimet e sektorit privat”- tha ai.
Për investimet e huaja, Hoxha si zgjidhje e sheh anëtarësimin e Kosovës në NATO, në mënyrë që të krijohet siguri në vend. Zgjidhja e dytë, sipas tij, është që bizneset të shihen si partnerë e jo si armiq. Siç thotë ai, kjo ndikon në rritjen e investimeve direkte.
Ndër të tjera, Hoxha thotë se top- prioritetet e tyre janë investimet ne biznese të reja, paga mesatare deri në 1 mijë euro, pensione mbi 500 euro dhe mos të ketë pagë minimale nën 500 euro.
Kandidati i AAK-së, Smajl Latifi i cili është kryetar i Rahovecit, tha se përmes Ligjit për investime strategjike dhe lehtësimit të procedurave burokratike mund të japin një impakt të fuqishëm për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik.
E Arton Demhasaj theksoi se për të tërhequr investime të huaja, ndër të tjera duhet të zhvillohet infrastruktura, duke vlerësuar që autostrada e Dukagjinit është kyçe në këtë aspekt për shkak se lidhë shumë rrugë dhe si e tillë iu ndihmon investitorëve për bartjen e mallrave.
“Një autostradë e tillë që lidhë Mitrovicën me Prizrenin, potencialisht secilit investitor atje, i shkurtohet koha e transportit të mallrave e njëkohësisht edhe kostoja. Infrastruktura rrugore është tepër e rëndësishme tek investimet e huaja”- tha ai.
Demhasaj tha se investitorët e huaj nuk vijnë të investojnë nëse Kosova proklamohet si vend që rrezikohet nga lufta.
“Çështja e parë është siguria sepse investitorët e huaj nuk vijnë me investu në një vend që pikën primare nuk e ka sigurinë. Kjo çështje e sigurisë qysh në vitin e parë qeverisë ka me u rregullu. Ka me qenë një siguri e plotë dhe e përhershme që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në NATO”- tha Demhasaj.
Element tjetër të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik Demhasaj, e veçon funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë.
A ka oligarkë dhe kartele në Kosovë?
Kandidatët për deputetë nga Koalicioni AAK-Nisma nuk besojnë që në Kosovë ka oligarkë dhe kartele që ndikojnë në lëvizjen e çmimeve në treg.
Hoxha tha se nuk ka oligarkë në Kosovë, por që nga ana terminologjisë përdoret gabim për qëllime propagandistike, duke shënjestruar kështu Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai kritikoi qasjen e partisë në pushtet ndaj bizneseve.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Koalicioni për Kosovën Fituese bizneset do t’i shohë si partnerë. Të gjitha informacionet që do të mblidhen nga biznesi do të përdoren për bashkëpunim dhe për rritjen e ekonomisë së vendit”- tha ai.
Hoxha tha se ligji në Kosovë është i qartë dhe se ka institucione përkatëse që janë të trajnuara mirë, që do të ndërhynin në rast se ka kartele.
“Ne jetojmë në një ekonomi të tregut ku është e pamundshme që bizneset me vetëdije të plotë me kriju kartele e aq ma pak kur kjo është joligjore. Asnjë biznes i madh ose i vogël nuk do të rrezikonte rënien ndesh me ligjin, kur ligji është i qartë”- beson ai.
Ai tha se AAK-ja është koncept i djathtë dhe nuk do të përzihet në çështjet e mikro-menaxhimit të bizneseve.
“Nuk mund të paramendojmë që bizneset në mënyrë kartelore t’i përcaktojnë çmimet sepse ekonomia e tregut është e pamëshirshme në kuptimin e konkurrencës. Prandaj bizneset mundohen të performojnë sa më mirë që të jenë më afër klientëve”- tha ai.
Se a ka kartele në Kosovë, Smajl Latifi përgjigjen e kolegut të tij e quajti “principal”.
Latifi tha se nëse ka kartele përgjigjen duhet ta jap Prokuroria Speciale e Kosovës, Agjencia Anti-Korrupsion dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
“Nëse makiatos po i rritet çmimi, ATK-ja mund të pyes atë pronar të asaj kafeterie se a e ka kuponin fiskal a jo. Ekonomia e tregut rregullohet përmes ofertës dhe kërkesës”- tha ai.
Latifi premtoi se detyra e Qeverisë do të jetë që të krijojë politika që i japin fuqi zhvillimit ekonomik përmes lehtësirave fiskale, luftimit të evazionit fiskal dhe përmes shtimit të investimeve në infrastrukturë publike.
Nëse Koalicioni AAK-NISMA vjen në pushtet parasheh të bëj tatimin mbi karbonin, tatimin mbi luksin dhe ndotjen, tatimin mbi transaksionet dhe tatimin mbi shitjet online.
Kandidati Arton Demhasaj, tha se të tilla politika kanë edhe në vende e tjera.
“Secili shtet veç ka vendos tatim mbi karbonin … Por kjo duhet të bëhet me bazë ligjore. Ka me pasë edhe ulje të tatimit që paguhet për energjinë elektrike”- tha Demhasaj.
Për tatimin për ndotjen, Demhasaj tha se kushdo që shkakton ndotje, apo që vërtetohet një nivel i ndotjes së shkaktuar, kur të vendosen premisat ligjore, do të caktohet një taksë.
Trefishim i subvencioneve dhe ndërtim i qendrave të skijimit
Duke qenë një nga kryetarët e komunave më prodhuese në Kosovë, asaj të Rahovecit, Smajl Latifi, si sektor të rëndësishëm që ndikon në rritjen e zhvillimit ekonomik e konsideron edhe zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.
Latifi premtoi se si koalicion kanë paraparë rritjen e subvencioneve në sipërfaqe dhe rendimente.
“Efektet e punës në bujqësi mund të ndikojnë në rritjen e Bruto Produktit Vendor. Ne kur i rrisim subvencionet, kur i hapim më shpesh thirrjet për grante që të fitojnë projekte në partneritet me qeverinë, me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, sigurisht që do të jetë lehtësi për ta”- tha Latifi.
Ai tha se Ministria e Bujqësisë duhet të marr shembull nga Rahoveci se si trajtohet sektori i bujqësisë.
Trajtimi i sektorit të bujqësisë me prioritet, sipas tij, përveçse do t’i përmbushte nevojat e Kosovës, do mundësonte që produktet vendore të jenë konkurruese në rajon.
“Bujqit e Kosovës nuk i kanë marr subvencionet edhe pse aplikimet kanë ndodh në shkurt të vitit që shkoj. Ne hapim thirrje rrallë për grante. Ne po mendojmë që të hapim çdo vit thirrje për grante, e dy herë në vit për mbjelljet e kulturave pranverore, e mbulim më të madh me serra e stalla”- tha Latifi.
Buxhetin aktual për bujqësinë, Latifi e konsideron si shumë të ulët për t’i mundësuar prodhimtarëve në Kosovë që të sundojnë në treg të Kosovës, e le më me gjerë.
”Ju them të drejtën pak mbi 90 milionë është buxheti për bujqësi për këtë vit, për mallra dhe shërbime (katër milionë e 800 mijë), investime kapitale (4 milionë e gjysmë), në grante subvencione dhe transfere (74 milionë), që do të thotë që është aq buxhet i pamjaftueshëm sa ne nuk mund të jemi konkurrentë”- tha ai.
Sipas tij, e keqja më e madhe është që prodhimet e Kosovës janë shumë më të mira, cilësore, e të kërkuara, por janë të mbisunduara në treg nga prodhimet që importohen.
Latifi premtoi trefishim të mbështetjes për fermerët në katër vitet e para të mandatit dhe se do të marrin iniciativa konkrete për ta balancuar fermerin kosovar me atë të shteteve fqinje.
“Ka disa pengesa që ne mund t’i trajtojmë me udhëzime të veçanta, me akte nënligjore, në mënyrë që fermeri jonë të jetë i qasshëm në fonde të Kosovës, por të jetë i qasshëm edhe në fondet me donatorët e jashtëm”- tha ai.
Arton Demhasaj tha se kanë paraparë 1 miliard euro investime për bizneset e vogla, apo nga 250 milionë për çdo vit.
Një pjesë e produkteve vendore, sipas tij, ka nevojë për një kontroll të cilësisë. Për këtë, ai tha se kërkohet fushatë vetëdijësuese që ato produkte t’i kenë standardet e BE-së.
Ai përmendi edhe sektorin e turizmit, duke fajësuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti se e “ka harruar që ekziston”.
“Imagjinojeni kjo qeveri e ka ndalë edhe një rrugë që ka qenë t’u u ndërtu, rruga Deçan-Plavë që e ngjallë turizmin e asaj pjese. Ka qenë një prej projekteve më të rëndësishme të zhvillimit të turizmit, sidomos në pjesën e Bjeshkëve të Deçanit”- tha ai.
Në program, Demhasaj tha se kanë paraparë ndërtimin e tri qendrave të skijimit: një që lidhet me Deçanin në Bjeshkën e Belegut; e dyta që lidhet me Bjeshkën e Rugovës; dhe e fundit me Bjeshkët e Sharrit.
Funksionalizimi i Aeroportit të Gjakovës
Në programin zgjedhor të Koalicionit AAK-Nisma është edhe funksionalizmi i Aeroportit të Gjakovës.
Kandidati nga Gjakova, Artan Nimani i cili më parë ka qenë rektor në Universitetin e Gjakovës, premtoi se në mandatin e tyre qeverisës kanë për qëllim që ta përdorin Aeroportin e Gjakovës si aeroport alternativ, për të mundësuar zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Nimani nuk dha shifra se sa i kushton një gjë e tillë buxhetit, duke thënë se njëherë e kanë planifikuar vetëm ridizajnimin e tij.
Një premtim tjetër që dha Nimani është modernizmi i sistemit të ujitjes për një pjesë të madhe të këtij rajoni.
“Modernizimi i sistemit të ujitjes që po ashtu më shumë e mbulon pjesën lindore Prizren-Rahovec, por edhe pjesën tjetër të Gjakovës, pasi që vetë shpërndarja e tyre si burim e ka Liqenin e Radoniqit”- tha Nimani.
Nimani tha se kanë paraparë edhe funksionalizimin e hekurudhës mes Kosovës dhe Shqipërisë, investime në infrastrukturën rrugore, përfundimin e autostradës së Dukagjinit, asaj të Gjilanit, autostradës për Merdarë dhe rrugëve të tjera që kanë mbetur të papërfunduara.
Përvoja e Aleancës në pushtet
Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.
Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020, pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.
Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.
Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.
AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Ideali.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!