Zjarrfikësit paralajmërojnë protesta, Hoti premton trajtimin e kërkesave të tyre

Zjarrfikësit në Kosovë ka disa vite që kanë disa kërkesa për plotësimin e kushteve për punë, e të cilat i janë parashtruar gati çdo qeverie në periudhën e pasluftës.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, është takuar me përfaqësuesit e Sindikatën e Zjarrfikësve, për të diskutuar për kërkesat e tyre.

Kërkesat e Sindikatës së Zjarrfikësve janë nivelizim i rrezikshmërisë në punë në nivel me Policinë e Kosovës, kompensimi i punës jashtë orarit, sigurimi i vijës buxhetore e rregullimi i statusit juridik.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kryetari i Sindikatës, Muharrem Beka, tha se kërkesat e tyre ndaj kryeministrit Hoti janë ato që kanë qenë tash e disa vite, ndërsa tha se shpreson që të këto kërkesa të plotësohen.

“Kërkesat janë ato të njëjtat, nuk ka ndryshim. Në takim me kryeministrin na u tha se do të shqyrtohen kërkesat, ndërsa të hënen e kemi edhe një takim dhe aty do të shihet se çka ndodhë”.

Beka tha se nëse edhe kësaj here nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestat janë të pashmangshme.

“Nëse nuk shqyrtohen apo plotësohen kërkesat, atëherë zgjidhja e vetme mbetet dalja në rrugë. Është e pashmangshme dhe kjo nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet, shantazh apo gjë e tillë. Këto kërkesa i kemi që rreth 10 vjet. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha Beka përmes telefonit.

Në anën tjetër përmes një postimi në ‘Facebook’, kryeministri në detyrë, Hoti, bëri të ditur se përveç zjarrfikësve, është takuar edhe me Sindikatën e Judikaturës, Shërbimit Korrektues, Punonjësve Social, të Policisë, Administratës së Pavarur, të Shërbimit Civil dhe të ATK-së.

Sipas tij, ai është zotuar që Qeveria do të paguaj të gjithë sektorët ku ka pasur angazhim shtesë dhe rrezikshmëri në punë, për shkak të COVID-19.

“Sindikalistët paraqitën një varg kërkesash bashkë me shqetësimin e tyre se, qasja e institucioneve nuk ka qenë e barabartë për secilin sektor, duke theksuar se ata po ndjehen të anashkaluar dhe të diskriminuar. Shpreha gatishmërinë që t’i trajtojmë të gjitha kërkesat veç e veç dhe të shikojmë mundësitë buxhetore për përmbushjen e tyre”, ka shkruar Hoti.

Ditë më parë edhe Sindikata e Policisë ka paralajmëruar protesta nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, të cilat janë vazhdimi i pagesës nga pakoja emergjente dhe pagesa e shujtës ditore.

Ndërsa një Sindikatë tjetër ka arritur të plotësojë kërkesat, tash në prag të zgjedhjeve.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në konferencë për media të mbajtur me 22 janar bashkë me Ministrin në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj dhe kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kanë bërë të ditur se do të nënshkruajnë kontratatën kolektive dhe nga viti 2023 mësimdhënësit do të marrin pagën e 13-të.

Gjithashtu është bërë e ditur se punëtorëve të arsimit do t`iu kompensohen orët shtesë dhe rreziku që kanë pasur në kohë të pandemisë, në fund të muajit shkurt dhe në muajin maj të viti 2020.

“Kemi dakorduar të gjitha aspektet kryesore për kontratën kolektive. I kemi saktësuar të gjitha çështjet, Jemi pajtuar që të paguhet rroga e 13-te për punëtorët e arsimit nga viti 2023. Sot do të nënshkruhet kjo kontratë. Për shkak të orëve të mbajtura arsimtarëve t`iu paguhen dy paga në fund të shkurtit dhe në fund të majit”, ka thënë Hoti në konferencën e 22 janarit.

Rrogë të 13-të për mësimdhënësit