Zjarr një Veture në Veri

Policia e Mitrovicës ka njoftuar se një veture me targa vendore “KS” të regjistrimit, i është vënë zjarri në pjesën veriore të Mitrovicës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës dy, të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Kolashini” në afërsi të “Tre Rrokaqiejve”.

Policia, e cila ka dalë në vendngjarje, ka konstatuar se persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjetit me ndihmën e një substance ndezëse, që besohet të jetë një përzierje molotovi, me benzinë.

Automjeti konsiderohet të jetë djegur tërësisht. Policia ka intervistuar pronarin, një 34-vjeçar, i përkatësisë etnike serbe.

Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Në bazë të hetimeve të para, besohet se një larje hesapesh për çështje biznesi, mund të jetë motiv i mundshëm i këtij akti kriminal, ka thënë Besim Hoti, zëdhënës i policisë në
Mitrovicë.