Zhvillimet e fundit nga lufta Rusi - Ukrainë

Sot është dita e 273 e pushtimit rus të Ukrainës. 

Pushtimi rus në Ukrainë filloi në mëngjesin e 24 shkurtit, kur Putini njoftoi një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e Ukrainës. Disa minuta më vonë, raketa dhe sulme ajrore goditën gjithë Ukrainën, duke përfshirë Kievin, të pasuar menjëherë nga një pushtim i madh tokësor përgjatë fronteve të shumta. Zelenskyy shpalli gjendjen ushtarake dhe një mobilizim të përgjithshëm të të gjithë shtetasve meshkuj ukrainas nga 18 deri në 60 vjeç, të cilëve iu ndalua të largoheshin nga vendi.

Sulmet ruse fillimisht u nisën në një front verior nga Bjellorusia drejt Kievit, një front veri-lindor drejt Kharkivit, një front jugor nga Krimea dhe një front juglindor nga Luhansk dhe Donetsk. 

Pushtimi u dënua ndërkombëtarisht si një luftë agresioni. Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi një tërheqje të plotë të forcave ruse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullonte operacionet ushtarake dhe Këshilli i Evropës dëboi Rusinë. Shumë vende vendosën sanksione të reja, të cilat prekën ekonomitë e Rusisë dhe të botës dhe ofruan ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Guvernatori i Zaporizhzhia, Oleksandr Starukh, ka deklaruar në Telegram në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës se një sulm me raketa ruse në një repart materniteti në qytetin e Zaporizhzhias në Vilniansk ka vrarë një foshnjë të porsalindur.

Më herët gjatë këtij viti, më saktësisht në muajin mars, bombat ruse shkatërruan një spital fëmijësh dhe materniteti në Mariupol, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 17. Një grua shtatzënë që ishte në spital kur u sulmua vdiq më vonë, pasi u dërgua në një spital tjetër, ashtu si edhe foshnja e saj.

Kombet e G7 do ta bëjnë pubilk së shpejti kufirin e çmimit për eksportet e naftës ruse dhe ky koalicion kombesh ndoshta do ta rregullojë nivelin disa herë në vit dhe jo çdo muaj, tha të martën një zyrtar i lartë i Thesarit të SHBA-së. G7, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, së bashku me BE-në dhe Australinë janë planifikuar ta zbatojnë kufirin e çmimeve për eksportet detare të naftës ruse më 5 dhjetor, si pjesë e sanksioneve që synojnë ta ndëshkojnë Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë.

Ukrainasit që kanë nevojë për shërbime bazë nëse Rusia i rrëzon termocentralet dhe objektet e tjera këtë dimër, mund të kthehen në qendra speciale të pathyeshmërisë, tha të martën presidenti Volodymyr Zelenskiy. Mijëra qendra të shtrira në të gjithë vendin do të ofrojnë energji elektrike, ngrohje, ujë, shërbim interneti, lidhje telefonike dhe një farmaci, pa pagesë dhe gjatë gjithë kohës. “Nëse sulmet masive ruse ndodhin përsëri dhe është e qartë se rryma nuk do të rikthehet për orë të tëra, “qendrat e pathyeshmërisë” do të hyjnë në veprim me të gjitha shërbimet kryesore,” tha Zelenskiy.

Ukrainasit ka të ngjarë të jetojnë me ndërprerje të energjisë elektrike të paktën deri në fund të marsit, tha udhëheqësi i një ofruesi kryesor të energjisë, pasi qeveria filloi evakuimet falas për njerëzit në Kherson në rajone të tjera.

Kievi do ta thërrasë ambasadorin hungarez si shenjë proteste pasi që kryeministri Viktor Orbán shkoi në një ndeshje futbolli i veshur me një shall që përshkruante disa territore ukrainase si pjesë e Hungarisë, tha të martën Ministria e Jashtme e Ukrainës. Mediat ukrainase shfaqën pamje të Orbanit duke takuar një futbollist hungarez i veshur me një shall, për të cilin ‘Ukrainska Pravda’ tha se e përshkruante një hartë të “Hungarisë së Madhe” duke përfshirë territorin që tani është pjesë e shteteve fqinje të Austrisë, Sllovakisë, Rumanisë, Kroacisë, Serbisë dhe Ukrainës.

Gazprom i Rusisë ka kërcënuar se do t’i shkurtojë flukset e gazit në Evropë përmes Ukrainës që në fillim të javës së ardhshme. Në një deklaratë, gjigandi shtetëror rus i energjisë tha se disa flukse gazi që mbaheshin në Ukrainë ishin të destinuara në të vërtetë për Moldavinë dhe e akuzoi Kievin për pengimin e dërgimit të 52.52 milionë metrave kub nga tranziti në Moldavi.

Në Krime, mbrojtja ajrore ruse u aktivizua dhe dy sulme me dronë u zmbrapsën të martën, duke përfshirë një që synonte një stacion energjie pranë Sevastopolit, tha guvernatori rajonal. Sevastopol është porti vendas i flotës ruse të Detit të Zi. Guvernatori i instaluar nga Rusia Mikhail Razvozhaev bëri thirrje për qetësi dhe tha se nuk ishin shkaktuar dëme.

Presidenti polak ishte subjekt i një mashtrimi me një telefonues i cili pretendonte të ishte Emmanuel Macron i Francës në natën kur një raketë goditi një fshat afër kufirit me Ukrainën, ka pranuar zyra e tij. “Emmanuel, më beso, jam tepër i kujdesshëm,” i thotë Duda telefonuesit në një regjistrim të thirrjes të postuar në internet. “Nuk dua të kem luftë me Rusinë dhe më besoni, jam tepër i kujdesshëm, tepër i kujdesshëm”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala