Zharku Refuzon të Shkojë në Burg

Ish-kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, përmes një letre, ka bërë të ditur të dielën se ka vendosur të mos respektojë vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës që e obligon atë të shkojë tri vjet në burg.

Letra është konfirmuar nga Mergim Zharku, i biri i Xhabir Zharkut.

“Po ne e kemi derguar atë letër”, tha Mergim Zharku, djali i Xhabirit, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Zharku, i cili ndodhet në arrati që nga dita e premte, thotë se nuk do të shkojë në burg pasi që vendimi që e shpalli atë fajtor për zhvatje dhe armëmbajtje pa leje është vendim politik.

Sipas tij, atij nuk i është lejuar që të paraqes prova të reja.

“Kemi siguruar prova të reja dhe të njëjtat kemi provuar t’i paraqesim para gjyqësorit vendor dhe atij të EULEX-it, por ka qenë e pamundur që të bëjmë këtë ngase ky vendim është politik dhe me porosi”, thuhet në letrën e Zharkut.

Në të, Zharku thotë se ka kërkuar të takohet me ish-shefin e misionit të EULEX, Yves de Kermabon, prokurorë dhe gjykatës për të ofruar provat e reja, porse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Zyra për media e EULEX-it i tha Gazetës Jeta në Kosovë se çdo takim i Zharkut me EULEX-in “do të politizonte këtë proces”.

Misioni europian bëri thirrje që Zharku të dorëzohet.

“Zharku po mundohet t’i ikë drejtësisë. Nëse ai ka respekt për sundimin e ligjit, ai duhet të dorëzohet”, thotë zyra për media e EULEX-it.

Vendimin do ta zbatoj vetëm nëse rasti kthehet në rigjykim, thotë Zharku në letrën e tij.

Ai pretendon se ka fakte që për momentin nuk do t’i publikojë por që do të përdoren si “prova materiale”.

Në fund Zharku thotë: “Nëse EULEX-i dhe drejtësia vendore nuk marrin masa unë jam i detyruar të publikoj fakte në lidhje me këtë rast dhe raste të tjera të cilat mund të ngrisin në masë të lartë revoltën e qytetarëve.”

Zharku është dënuar me tri vjet burg për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Ai së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenën, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme, prej ose më 26 qershor 2006 deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete, ose për dikë tjetër, ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve.

Ata i kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme delesh, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.